Vijojnë të dalin detaje të reja për vrasjen e të riut Klodian Rasha nga një efektiv policie pranë banesës së tij në Tiranë më datë 8 dhjetor.
Së fundmi gazetari Spartak Koka ka publikuar pamjet e një kamera amatore, ku shihet momenti kur forcat e policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes.
Bëhet fjalë për disa makina policie, motorë të “Shqiponjave” dhe rreth 16 efektivë të rendit.
“Kjo është video e filmuar nga një prej personave dëshmitarë, të cilët janë marrë në pyetje nga prokuroria. Është drejtuesi i automjetit. Po të kthehemi në videon e parë është një drejtues mjeti i cili del pas të shtënës së policit për të parë se çfarë po ndodhte, për herë të parë pas 2 minutash e 43 sekondash që zhvillohet e gjithë ngjarja. Është ky person i cili pas disa minutash i është thënë të largohej dhe ka filmuar teksa është rrotulluar.
Ka ikur, i kanë thënë të largohet pa i verifikuar dokumentet dhe është dashur 5 ditë që të gjendej se kush ishte personi i cili kishte qenë në automjetin privat. Është rrotulluar në krahun tjetër të rrugës dhe ka bërë një video. Ora që pretendon zotëria rreth orës 1:16. Shiko makinat e policisë, 1, 2, furgoni kemi 3 motora të “Shqiponjave”, rreth 16 punonjës policie, kemi 2 makina të tjera. Në këtë video nuk kuptohet është transportuar drejt spitalit, apo jo”, tha gazetari në programin “Opinion”.
Kujtojmë se dy netë më parë, dolën pamjet e kapura nga këndi i një kamere, ku duken lëvizjet e Klodian Rashës dhe patrullës policore që mbërrin në rrugën “Dritan Hoxha”.
E gjithë ngjarja, që nga momenti kur Klodian Rasha qëndronte në anë të rrugës dhe deri në momentin që vritet nga efektivi i policisë, Nevaldo Hajdaraj ka zgjatur 2 minuta e 43 sekonda.