Lajmi politik që bëri më shumë bujë këtë javë ishte dorëheqja e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.
Ky vendim erdhi pas vrasjes së të riut Klodian Rasha nga një efektiv policie tre ditë më parë në Tiranë.
Kjo ngjarje shkaktoi dhe një reagim të madh publik ku një sërë protestash nisën në të gjithë vendin.
Ndërkohë Lleshaj ka marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë morale dhe ka folur mbi largimin e tij nga detyra.
I ftuar në programin “Spotlight” ai ka vendosur të rrëfejë dhe arsyen e vendimit që ka marrë.
“Dorëheqja e dhënë nga unë është një akt moral, i cili i adresohet respektit të një morti që ka prekur padrejtësisht familjen Rasha.
Ky është elementi i parë determinues pas mesazhit të dorëheqjes time. Elementi i dytë, është mesazhi politik, shenjë refuzimi ndaj të gjithë atyre të cilët kanë ngritur dorën për të goditur policinë dhe gishtin drejt meje si vrasës.
Është refuzim ndaj atyre të cilët kanë përgjegjësi të mëdha ndaj qytetarëve, që e kanë prodhuar krim, të vrarë në bulevard, siç nuk kanë kërkuar kurrë ndjesë. Ky është thelbi i mesazhit të dorëheqjes time.
Duhet të kuptohet qartë, dorëheqja ime nuk është aspak reflektim ndaj dhunës së protestës, përkundrazi dhuna e protestës do të më kishte motivuar për të qëndruar.”, është shprehur ish-ministri.