Në kohën që në vend po nisin protestat për vrasjen e të riut Klodian Rasha, kryeministri Edi Rama ka vendosur të vizitojë efektivët e Policisë së Shtetit të cilët janë shtruar në QSUT pas plagëve që kanë marrë në përleshjet me qytetarët.
Gjatë një deklarate për mediat, Rama akuzoi opozitën dhe Presidentin Ilir Meta për këtë dhunë, teksa shtoi se nuk kanë kërkuar ende ndjesë, nuk e kanë dënuar dhunë, pavarësisht se një efektiv rrezikon të humbasë syrin për shkak të goditjes që ka marrë.
Përsa u përket drejtësisë, Rama tha se efektivi që vrau Klodian Rashën do dënohet dhe nuk e kupton se çfarë drejtësie duan. Kryeministri shtoi se kjo protestë është punë halabakësh që nuk kënaqen me krime, referuar ish-kryeministrit Sali Berisha. Bashkë me Ramën ndodhej edhe Ardi Veliu, dorëheqja e të cilit kërkohet në protestën e sotme.
“Kjo që po ndodh nuk ka të bëjë me qytetarinë. Tejkalimi ekstrem i të drejtës për të ushtruar forcë me policinë, nuk ka drejtësi,..ccfarë drejtësie? Drejtësi e dhunës mbi të gjithë dynjanë? Drejtësi është që efektivi do të dënohet. Një tjetër rrezikon të humbasë dritën e syrit. Ky është një akt që i ka indinjuar të gjithë por askush nuk ka të drejtë t’i prekë një fije floku askujt tjetër. Presidenti i Shtetit ende nuk e ka dënuar dhunën, ende nuk i ka thënë asnjë fjalë kësaj familjeje e asaj nëne që është atje dhe pret të birin. Së bashku me atë tjetrin, ish-kryeministër që sot është krenar që ka vrarë njerëz, dhe i vjen keq që nuk ka vrarë më shumë. Këta janë njerëz të joshur edhe me para që nuk dinë as se për ccfarë dalin, se për minorenët nuk ia vlen të futemi të diskutojmë se ka një axhendë politike. Policia ishte përtej kufijve të tolerancës. Policia reagon në mënyrë proporcionale, nuk ka as pse dhunon dhe as pse të tërhiqet e të lërë dritën e syrit këtu. Policia ka qenë në shesh dhe natën e parë ju e patë që dolën dhe thanë ja ku jemi, na qëlloni na bini se e ndjejmë dhe ne peshën e dhimbjes tuaj. Por kjo nuk do të thotë që të gjeni shesh e të bëni përshesh, jo o Ilir Meta, nuk do të thotë kjo.”, u shpreh kryeministri.