Nga Adrian Civici
Shfaqja e pandemisë së Covid-19 dhe politikat e izolimit total apo të pjesshëm në shumicën e vendeve të botës e rikthyen dhe njëherë vëmendjen te instrumenti i borxhit publik si instrumenti shpëtimtar, i domosdoshëm dhe ndoshta më kryesori që qeveritë e vendeve të ndryshme kishin në dorë si “armën shpëtimtare” në luftën kundër armikut të padukshëm, shkatërrues e vdekjeprurës që quhej Covid-19.
Duke ju referuar dokumenteve dhe statistikave të Ministrisë së Financave dhe diskutimeve të projekt buxhetit të vitit 2021 në Kuvendin e Shqipërisë, rezulton se për vitin 2021, Qeveria shqiptare synon që niveli i borxhit publik t’i rikthehet trajektores rënëse duke zbritur në nivelet 78-79% të PBB-së nga rreth 81% që pritet në vitin 2020.
- Në Shqipëri, por dhe në nivel global, aktualisht ka një debat mjaft të nxehtë përsa i përket niveleve rekord të borxhit publik dhe pasojave të rënda që mund të shkaktojë një situatë e tillë.
Viti 2020, përvec efekteve negative drastike ekonomike e sociale si pasojë e pandemisë së Covid-19, vecanërisht rënies së fortë të PBB në nivel global, rritjes së deficiteve buxhetore, rritjes së papunësisë dhe varfërisë si dhe pasojave mjaft të rënda sociale, mesa duket, do shkaktojë dhe një rritje historike të borxhit publik në nivelekombëtare e ndërkombëtare. Sipas vlerësimeve të FMN dhe Bankës Botërore, borxhi publik pritet të arrijë në nivelin 101.5% të GDP botërore, nivel ky i paparë që nga luftë e dytë botërore.
Për të patur një ide më të qartë nga pikëpamja e shifrave konkrete, në kushtet e një PBB botëror prej 87 697 miliardë usd (viti 2019), borxhi publik global prej 101.5% nënkupton një shifër borxhi të barabartë me 89 012 miliardë usd.
Deri tani, vlerësohet se qeveritë e vendeve të ndryshme të botës kanë shpenzuar mbi 18 000 miliardë usd në kuadrin e programeve të urgjencës sanitare dhe ndihmave për ekonominë, bizneset dhe individët në kuadrin e paralizës ekonomike të shkaktuar nga izolimi total apo pjesor, ndërkohë që për javët e muajt në vazhdim “janë në lojë” si të aprovuara apo në proces aprovimi më shumë se 12 000 miliardë usd të tjera.
Një pjesë e rëndësishme e tyre është përballuar dhe mendohet, edhe në të ardhmen e afërt, të përballohet me borxh publik. Debati kryesor në këtë aspekt ka të bëjë kryesisht me “fenomenin borxh publik” apo “pranimin si politikë normale” të rritjes së borxheve dhe nivelin apo momentin “se kur duhet të stopohet kjo tendencë gjithnjë në rritje” e tij.
Sipas Carmen Reinhart, ekonomist në Bankën Botërore, “borxhi publik ju krijon qeverive mundësi që të disponojnë burime financiare suplementare për ti investuar në shëndetësi, edukim apo infrastrukturë … por, nëse ky borxh bëhet problematik, gjithë këto projete e angazhime të qeverive, mund të penalizohen rëndë … kjo evidenton domosdoshmërinë urgjente për ta mbajtur borxhin publik në nivele të kontrollueshme dhe të menaxhueshme … ne nuk mund të lejojmë që të humbim një dekadë suksesesh e kontrolli në këtë drejtim”.
- Përse kjo rritje drastike e borxheve publike në këtë periudhë pandemie të covid-19? Është pasojë direkte e strategjive dhe politikave financiare e buxhetore për përballimin e pandemisë apo është tendencë disa vjecare strukturore?
Duke ju referuar statistikave ndërkombëtare dhe institucioneve të specializuara në trajtimin e problematikës së borxhit publik, të dhënat e vitit 2019 dëshmojnë qartë se nivelet e borxhit publik ishin mjaft preokupuese përpara shfaqjes së pandemisë së Covid-19 dhe masave drastike të mjaf qeverive për përballimin e efekteve të saj.
Mbas një periudhe relativisht pozitive në nivelet dhe politikat specifike të kontrollit të borxhit publik si në vendet e zhvilluara ashtu dhe në vendet e varfëra apo ato në zhvillim dhe me ekonomi emergjente në vitet 1998-2008, kriza globale financiare e shpërthyer në vitin 2008 e rriktheu dhe njëherë në plan të parë tendencës e rritjes së frikshme të borxheve publike.
Por, shfaqja e pandemisë së Covid-19 dhe politikat e izolimit total apo të pjesshëm në shumicën e vendeve të botës e rrikthyen dhe njëherë vëmendjen te instrumenti i borxhit publik si instrumenti shpëtimtar, i domosdoshëm dhe ndoshta më kryesori që qeveritë e vendeve të ndryshme kishin në dorë si “armën shpëtimtare” në luftën kundër armikut të padukshëm, shkatërrues e vdekjeprurës që quhej Covid-19.
Sinjalin e parë që në muajin mars 2020 e dha Mario Draghi, ish President i Bankës Qëndrore Europiane, duke u shprehur se “Sfida që po përballojmë na kërkon të veprojmë me forcë dhe shpejtësi për të evituar mundësinë që recesioni të transformohet në një depresion afatgjatë, duke u thelluar akoma më shumë nga një sërë vlerash të paracaktuara që lënë gjurmë të pariparueshme … është e qartë se përgjigjia duhet të përmbajë një shtim domethënës të borxhit publik … nivelet shumë të larta të borxhit publik do të bëhen një tipar i përhrshëm i ekonomive tona dhe do të shoqërohen me anullimin e borxhit privat …”. Bashkimi Europian hoqi dorë zyrtarisht nga respektimi i njërit prej kritereve fondamenatle të Manstriht-it, tavanin maksimal prej 60% të borxhit publik/PBB për vendet anëtare.
Filozofia dominuese, sidomos në muajt e parë të përballjes me efektet shkatërruese të pandemisë së Covid-19 ishte “jemi të detyruar të rrisim nivelet e borxhit publik, sepse alternativa tjetër, shkatërrimi i përhershëm i kapaciteteve prodhuese dhe për rrjedhojë i bazës tatimore, do të ishte shumë më e dëmshme për ekonominë dhe me pasoja mjaft të rënda sociale për popullsinë”. Ecuria e nivelit të borxhit publik në muajt në vazhdim e dëshmoi më së miri adoptimin e kësaj filozofie. Me sa duket, nuk kishte rrugë tjetër më të shpejtë dhe më bindëse për përballimin e situatës së jashtëzakonshme se sa instrumenti i borxhit publik.
- Në nivel global, borxhi publik ka arritur nivele historike. Cilat janë vendet e prekura më rëndë nga ky fenomen negativ? A egzistojnë dallime të dukshme ndërmjet vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim apo të varfëra në këtë drejtim?
Nga pikëpamja statistikore, në vendet e botës me nivelin më të lartë të borxhit publik në raport me PBB, duke ju referuar kryesisht të dhënave të vitit 2019 dhe në raste të vecanta 6-mujorit të parë të vitit 2020, janë : Japonia 237%, Greqia 182%, Libani 147%, Italia 132%, Kongo 131%, Portugalia 126%, Singapori 111%, SHBA 104%, Belgjika 103%, Spanja 98%, Franca 98.5%, Britania e Madhe 86.8%, etj. Ndërkohë, në vendet me nivel më të ulët të borxhit publik mund të përmendim : Kina 50.6%, Gjermania 62%, Australia 41.4%, Meksika 53.6%, India 68.1%, etj. Ndërsa po ti referohemi përqindjes së borxhit publik në nivel botëror, në vend të parë qëndojnë SHBA me 31% të këtij borxhi, Japonia me 17%, Kina me 9.8%, Italia 4%, Franca 3.9%, Gjermania 3.5%, Britania e Madhe 3.5%, India 2.7%, Brazili 2.4%, etj.
Sic shihet peshën më të madhe të borxhit publik në nivel botëror e mbajnë vendet e pasura dhe të zhvilluara, dhe kjo është kryesisht fenomen që u thellua akoma më shumë mbas krizës globale të vitit 2008 për përballimin e së cilës u preferua “politika keynesianiste” dhe shtetet e buxhetet publike morrën përsipër kompesimin e një pjese të konsiderueshme të gropës financiare të shkaktuar nga kjo krizë nën moton “Too big to Fail “. Në ecurinë dhe historinë moderne të borxhit publik, kjo ishte një tendencë e re,në një botë të mesuar me faktin se borxhet e mëdha publike janë karakteristikë e vendeve të varfëra dhe atyre në zhvillim.
Por situata e borxheve publike është akoma më e rëndë në pjesën dërrmuese të vendeve të varfëra dhe atyre në zhvillim. Ky grup vendesh ka një trajektore të gjatë peshe të rëndë e shtimi kumulativ të borxheve publike të cilat janë marrë e vazhdojnë të merren si nga vendet e pasura ashtu dhe nga institucione ndërkombëtare, vecanërisht nga Banka Botërore. Këto vende, aktualisht po përballen me një sfidë të dyfishtë : peshën e rëndë të rimbursimit të borxheve dhe vështirësitë e panumurta për përballimin e pasojave shkatëruese të pandemisë së Covid-19 dhe luftën kundër varfërisë. Gjatë viteve 2018-2019 ka patur disa inisiativa nga Banka Botërore, G 20, OXFAM, OKB, etj., për rinegocimin e cështjet së borxhit me këto vende, bëhet fjalë për 73 vende të varfëra e emergjente, për ristrukturimin e borxhit, ndërmprerjen e pagesave dhe vendosjen e një moratoriumi për to, etj.
- Cilat janë disa nga rekomandimet kryesore të institucioneve ndërkombëtare si FMN apo Banka Botërore për një menaxhim sa më eficent të borxhit publik? Cila është “frika” më e madhe e këtyre institucioneve nga përkeqësimi i situatës së borxheve publike për muajt dhe vitet në vazhdim?
Frika më e madhe e institucioneve ndërkombëtare në këtë rast është e fokusuar në disa drejtime kryesore që kanë të bëjnë me përkeqësimin apo prishjen strukturore afatgjatë të ekuilibrave makroekonomikë e stabilitetit financiar në vendet me nivel të lartë të borxhit publik; me vështirësitë e mëdha dhe pamundësinë që mund të kenë këto vende për përballimin e nevojave urgjente shëndetësore, ekonomike e sociale për përballimin e goditjes së pandemisë së coronavirusit; me frenimin apo goditjen e rëndë që mund të japë niveli i lartë i borxheve në rrikthimin e rritjes ekonomike të lartë e të qëndrueshme; në pamundësinë dhe ngërcin që këto vende mund të kenë në muajt dhe vitet në vazhdim për të marrë borxhe të reja që të financojnë zhvillimin ekonomik e social dhe vecanërisht reduktimin e varfërisë dhe përmbushjen e Objektivave të Mijëvjecarit për zhvillim të qëndrueshëm.
Lexo edhe : Sistemi presidencial qeverisës amerikan: Roli dhe pushtetet e PresidentitFMN apo Banka Botërore rekomandojnë “kujdes të madh në politikat buxhetore e fiskale që synojnë të reduktojnë në mënyrë të shpejtë nivelin e lartë të borxhit publik pasi ato mund të kompromentojnë rëndë rritjen ekonomike në muajt dhe vitet në vazhdim … mund ti orientojnë qeveritë e këtyre vendeve drejt shtrëngimeve fiskale në emër të rritjes së të ardhurave buxhetore, cka do ishte një peshë e rëndë e pa suportueshme për familjet dhe bizneset në këtë periudhë krize”. Rekomandohet që gjatë periudhës së pandemisë të mos ndërrmeren politika “të forta” e të “ashpra” për reduktimin e nivelit të borxheve publike, por planifikimi i një trajektoreje të zbutur ulje. Gjatë vitit 2021, sipas FMN, vendet duhet të kufizojnë shpenzimet jo prioritare, për të krijuar hapësirë për shpenzime të mjaftueshme për kujdesin shëndetësor lidhur me pandeminë dhe për mbrojtjen sociale të grupeve më të cenuara, si dhe për të mbajtur një nivel likuiditeti të konsiderueshëm si rezervë.
Rekomandohet një “politikë më inteligjente e reale në mbledhjen e të ardhurave dhe thellimin e disiplinës buxhetore duke reduktuar në maksimum evazionin fiskal, informalitetin, subvencionet subjektive me natyrë elektorale e interesash politike, si dhe përmirësimin e modelit dhe sistemit fiskal në emër të zgjerimit të “ekonomisë së gjelbërt”, “ekonomisë blu”, “mbrojtjes së mjedisit dhe klimës”, etj. FMN dhe Banka Botërore parashikojnë një stabilizim të trajektores së borxhit publik në vitin 2021, me përjashtim të SHBA dhe Kinës, por ato kërkojnë maturi dhe vlerësim real të gjendjes nga vendet me borxh të lartë, pasi akoma ka shumë të panjohura e sfida që duhen përballuar në lidhje me parashikimet për ecurinë e këtij procesi në vitet 2021 dhe 2022, sidomos në lidhje me ecurinë e normave të interesit të borxhit të cilat rrezikojnë të rriten me shpejtësi.
- A rrezikohen financat publike dhe stabiliteti makroekonomik i Shqipërisë nga niveli i lartë i borxhit publik i cili tashmë e ka kaluar kufirin e 80% në raport me PBB?
Shqipëria, në raport me nivelin e borxhit publik/PBB që aktualisht e ka 81%, bën pjesë në vendet e kategorisë së mesme, dmth, në grupin e vendeve me një nivel borxhi në nivelet 70-90%/PBB, si dhe grupin e vendeve që e kanë në rritje të vazhdueshme këtë nivel. FMN parashikon se borxhi publik i Shqipërisë do të arrijë këtë vit në 83.2 për qind të PBB, niveli më i lartë historik që kur Shqipëria doli nga sistemi komunist. Për vitin 2019, FMN raporton se Shqipëria e kishte stokun e borxhin publik në 67.7 për qind e PBB-së, rezultat i ngjashëm me raportimet e brendshme, por për këtë vit dhe në vijim më 2021 projeksionet janë të larta, duke arritur në 83.2% e PBB-së për secilin vit. Niveli prej rreth 80% konsiderohet i paqëndrueshëm për vendet në zhvillim dhe me konkurrueshmëri të ulët, pasi aftësia paguese e borxhit mbetet e ulët. Për këtë arsye institucionet ndërkombëtare rekomandojnë që për vendet në zhvillim borxhi të mbahet në nivelet e 40-60% të PBB-së.
Por, ky tregues nuk është domethënës dhe aq më pak “qetësues” nëse nuk vlerësohet e përballet me tregues të tjerë “specifikë” si struktura e borxhit publik, përbërja e tij, përqindjet e interesit në raport me përqindjen e rritjes ekonomike dhe nivelin e produktivitetit, stabilitetin dhe ecurinë e të ardhurave publike fiskale, etj. Në këtë këndvështrim, pavarësisht nivelit “mesatar” të borxhit, ekonomia dhe financat tona e kanë peshë shumë të rëndë këtë nivel borxhi prej 81% . Gjatë 25 viteve të fundit, Shqipëria është përballur me nivele të larta borxhi publik, vecanërisht në vitet 1997 dhe 2015, në të cilat treguesi i borxhit arriti shifrat 72.2 dhe 73.7%. Pika më e ulët e borxhit publik rezulton viti 2007 me një nivel borxhi prej 53.6%.
Në një studim të fundit të Bankës Botërore, dedikuar efekteve të rënda që shkaktoi e po shkakton pandemia e Covid-19 mbi efektet në treguesit makrofiskalë për vende të ngjashme me Shqipërinë, Shqipëria futet në 15 vendet që rrezikojnë rritje të madhe të borxhit ndër 106 vendet me të ardhura të mesme. Shqipëria rezulton me me borxhin më të lartë në rajon dhe larg kufirit të sipërm prej 60% të rekomanduar nga FMN. Problematike paraqitet ngushtimi i hapësirës fiskale, aq më tepër që jo vetëm që nuk mund të planifikojmë rritje taksash,por, në kushtet e politikave lehtësuese fiskale dhe vitit elektoral, tashmë kemi hyrë në një trajektore ulje taksash për disa kategori sociale e biznesi. Boshllëqet që vijnë nga mungesa e të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve kanë shumë premisa që të financohen me borxh në muajt dhe vitet në vazhdim.
Sipas të dhënave të Eurostat për BE-në dhe Komisionit Europian për rajonin Shqipëria rezulton se ka pasur rritjen e gjashtë më të lartë të borxhit publik në Europë, në krahasim me periudhën e para krizës (fundin e 2019-s), pas Qipros që e rriti këtë tregues me 19.2 pikë përqindje, Belgjikës (16.6 pp), Francës (16 pp), Italisë (14.7 pp), Spanjës (13.8 pp).
- Si duhet ta kuptojmë debatin apo dilemat për “borxhin e mirë” dhe “borxhin e keq” në raport me rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm për një vend dhe ekonomi si Shqipëria?
Borxhi i “mirë” apo borxhi i “keq” lidhet më shumë me faktin se si përdoret borxhi publik nga qeveria se sa me madhësinë e tij absolute. Për shumë vende, instrumenti i borxhit është përdorur me sukses e eficencë si faktor i rëndësishëm zhvillimi e investimesh, prandaj në këtë pikë nuk duhet ta shohim borxhin dhe madhësinë e tij si element negativ në stabilitetin financiar e makroekonomik të një vendi. Rritja e stokut të borxhit ka ardhur kryesisht nga masat e mara në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga përhapja e pandemisë Covid – 19, si dhe nga emetimi i Eurobondit në muajin qershor 2020
Kur borxhi merret dhe përdoret për të financuar rritjen ekonomike, punësimin, rritjen e prodhimit, eksporteve, rritjen e produktivitetit, futjen e teknollogjive të reja, inovacioneve, etj., natyrisht që mund të konsiderohet “borxh i mirë”, ndërsa kur merret dhe përdoret për mbulimin e deficiteve buxhetore, zëvëndësimin apo mbulimin e borxheve të vjetra, shpenzime operative e luksi apo rritje artificiale e elektorale të konsumit, shpenzime elektorale e klienteliste, etj., natyrisht që duhet të konsiderohet “borxh i keq” ose i keqpërdorur. Vetëm për pagesat e koncesioneve, Shqipëria është angazhuar tashmë në dhjetëvjeçarin e ardhshëm me 9.5% të PBB
Në kontrast me borxhin e lartë, sipas Forumit Ekonomik Global, Shqipëria renditet si shteti me konkurrueshmërinë më të ulët në Europë, një tregues indirekt se borxhi nuk është përdorur për të nxitur e mbështetur një zhvillim të qëndrueshëm dhe ekonomi produktive. Sa më pak konkurruese ekonomia, aq më e ulët është aftësia për të shlyer detyrimet. Si rrjedhojë, vendi rrezikon të futet në një spirale ku shtimi i borxhit nuk do të arrijë të prodhojë rritjen ekonomike të nevojshme për ta ulur borxhin në një periudhë afatshkurtës dhe afatmesme, megjithëse në buxhetin e vitit 2021 të sapo miratuar në Kuvend, qeveria angazhohet për një ulje të borxhit publik që gjatë vitit 2021 në nivelet 77-79%/PBB.
- A ka Shqipëria një strategji të qartë dhe eficente të kontrollit, transparencës dhe eficencës së borxhit publik.
Duke ju referuar dokumenteve dhe statistikave të Ministrisë së Financave dhe diskutimeve të projekt buxhetit të vitit 2021 në Kuvendin e Shqipërisë, rezulton se për vitin 2021, Qeveria shqiptare synon që niveli i borxhit publik t’i rikthehet trajektores rënëse duke zbritur në nivelet 78-79% të PBB-së nga rreth 81% që pritet në vitin 2020.
Strategjia për uljen e borxhit duket se do mbështetet në disa elemente themelore : uljen e deficitit fiskal nga 6.8% (të pritshëm për 2020) në 6.5% në vitin 2021; uljen e nivelit të balancës primare në – 3.9% nga – 4.6% që parashikohet të rezultojë për 2020; rrikthimin në shifra pozitive të balancës korrente në nivelin 0.8%/PBB nga – 0.3% që pritet të jetë viti 2020; huamarrja për vitin 2021 do të jetë tërësisht për financimin e investimeve publike; në periudhën afatmesme instrumentet afatgjatë do të vazhdojnë të mbajnë peshën kryesore, ku borxhi i jashtëm aktualisht zë peshën prej 48.9%; do synohet mbajtja në kontroll e ekspozimit ndaj riskut të kursit të këmbimit, pasi stoku i borxhit shtetëror në monedhë të huaj pritet të qëndrojë në kufirin 60%; zgjerimi dhe diversifikimi i bazës së investitorëve në tregun e brendshëm është një nga objektivat e menaxhimit të borxhit publik që shpresohet të mundësojë uljen e ekspozimit të huamarrjes ndaj rreziqeve të sektorit bankar./ Fjala.al