Kryetari i PD Lulzim Basha është pyetur mbrëmjen e sotme se nëse ai mund të ketë hetuar UÇK-në dhe të ketë drejtuar hetime për Shtëpinë e Verdhë.
Kryedemokrati deklaroi se nuk ka patur asnjë provë të vetme për atë shtëpi.
Basha tregoi dhe një detaj që askush nuk e dinte më parë, duke thënë se është nip Kosove dhe se kur gjyshërit e tij iknin nga masakrat e serbëve, të afërmit e Edi Ramës shkonin në ish-Jugosllavi.
“Nuk ka pasur asnjë provë për të ashtuquajturën Shtëpi e Verdhë. Nuk e përmend askush në Europë, por e flet Rama dhe Ministria e Jashtme e Kosovës. Këto janë akuza të ricikluara. Sot Kosova ka nevojë për solidaritet e patriotizëm e jo për të ngulur thikën pas shpine.
Unë jam nip Kosove, një gjysh i imi është nga Mitrovica e gjyshja nga Gjilani. Jam rritur me tregimet e dhimbshme të masakrave serbe. Kam kontribuar për shtetin e Kosovës, për Rrugën e Kombit etj. Gjyshi im ka ikur nga Kosova nga masakrat serbe, ndërsa gjyshi i tij në të kohë Spiro Koleka shkonte në ish-Jugosllavi. Edi Rama goditi interesat kombëtare, tradhtoi Kosovën”, tha Basha për “Real Story”.