Ish-kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli deklaroi sot se mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD Lulzim Basha ka një pazar.
Sipas saj kjo është arsyeja që Rama vazhdon ende të jetë në pushtet.
“Ka një kompromentim të misionit opozitar. Ka një Pazar që mban Ramën kryeministër. Kush fitoi nga çadra? Po mos të ishte pazari i 17 majit sot me shumë mundësi Rama nuk do të ishte kryeministër. Kush ka përfitu nga djegia e mandateve, Rama apo opozita? Kush ka përfitu nga mos kandidimi në bashki? Kjo opozitë ja ka bërë më të lehtë Ramës qëndrimin në pushtet”, tha Topalli.
Gjithashtu, ish-nënkryetarja e PD-së nga viti 1997 deri në 2013, nuk nguroi të sulmonte Kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin Ilir Meta, duke mos harruar as Lulzim Bashën.
Ajo tha se ata i kanë kapur partitë e tyre dhe se njerëzit kanë nëvojë për alternativë.
“Sipas sondazheve njerëzit nuk votojnë për liderat që kanë kapur partitë e tyre. Sipas sondazheve urrejtja ndaj kësaj qeverie është më e madhja se ndaj qeverie.
Nuk votojnë as për Ilir Metën e Lulzim Bashën se llogarisin fare.
Ata kanë votën e shenjtë. Prandaj qytetarët kanë nevojë për alternativë”, tha Topalli.
Gjithsesi, ish-kryeparlamentarja pranoi se edhe ajo si pjesë e elitës politike ka përgjegjësi për gjendjen ku ndodhet vendi.
“Çdo njeri ka nevojë për të reflektuar. Jam krenare për arritjet që kemi realizuar në 2005-2009. Të gjithë jemi përgjegjës për situatën ku ndodhet vendi”, shtoi ajo.