Intervistë me Vjoldi Danaj, ekspert për politikat ekonomike
2019-ta nuk do të jetë i lehtë për ekonominë, e cila ka nisur të vuajë pasojat e krizës politike, por jo vetëm. FMN, Banka Botërore e së fundmi, Banka e Shqipërisë kanë reduktuar parashikimet e tyre për rritjen e ekonomisë shqiptare këtë vit, teksa i kanë kërkuar qeverisë që të marrë masa.
Eksperti i politikave ekonomike, Vjoldi Danaj analizon në një intervistë për Fast News Albania gjendjen e ekonomisë dhe rrezikun që e kërcënon edhe nga fllucka në sektorin e ndërtimit.
Banka e Shqipërisë është konservatore në parashikimet për rritjen ekonomike këtë vit. Ndërsa qeveria flet për rritje mbi 4 për qind. Cili është objektivi më realist?
Ndërmjet të 2-ve më afër realitetit është Banka e Shqipërisë. Nuk mund të presim që qeveria të jetë realiste, sidomos në këtë situatë politike kaq të rëndë dhe duke parë indikatorët kryesorë të ekonomisë që po përkeqësohen.
Por unë mendoj se përsëri edhe BSH është më optimiste sesa duhet për ekonominë e vendit dhe ecurinë e sajë. Ekonomia jonë ndodhet sot në një situatë aspak pozitive, kemi një rënie të ndjeshme të konsumit, ulje të investimeve private shqiptare dhe atyre të huaja gjithashtu edhe rënie të mëtejshme të kursit të këmbimit të monedhës europiane ka pasur një ndikim të konsiderueshëm në ekonominë shqiptare.
Tregues të tjerë të përkeqësimit të ekonomisë së vendit janë edhe vazhdimi i emigrimit masiv të të rinjve, rritja e analfabetizmit, rritja e korrupsionit etj.
A është një rrezik real kriza politike?
Sigurisht që është rrezik real, është rrezik për ekonominë dhe për imazhin e vendit tonë në sytë e atyre që mund ta zgjedhin Shqipërinë si destinacionin e tyre turistik. Situata aktuale politike krijon një frymë skepticizmi dhe frike për investitorët e huaj që mund ta kenë parë vendin tonë si një alternativë për të investuar.
Gjithashtu edhe për investitorët vendas situata aktuale politike është bërë shkak për uljen e investimeve për zgjerimin e aktivitetit të tyre aktual ose dhe investime në sektor të tjerë. Mendoj se kjo situatë kaotike po e çon vendin drejtë një depresioni social dhe ekonomikë.
Sa shqetësuese është tkurrja e kreditimit?
Tkurrja e kreditimit është tregues i qartë i një ekonomie të dobët dhe me probleme. Kur biznesi kërkon të kreditohet për shlyerjen e faturave kundrejt furnitorëve ose për pagesat e punonjësve është një kambanë e fortë alarmi për ekonominë e një vendi sepse paralajmëron një ulje të ndjeshme të konsumit dhe të qarkullimit ekonomik i cili do të pasohet më vonë nga një situatë krize ekonomiko-financiare.
Tkurrja e kreditimit ndihet edhe në sektorin privat, në një situatë kur kërkesa për blerjen e një banese është e madhe, por çmimet e tyre kanë vlera të larta, të cilat e bëjnë të pamundur blerjen, do te krijojë një situatë krize për sektorin imobiliar.
Si duhet të reflektojë qeveria ndaj kësaj situate?
Hapi i parë dhe urgjent që duhet të ndërmerret në këtë moment është krijimi i një stabiliteti politik që do bënte të mundur rikthimin e qetësisë edhe në sektorët ekonomiko-financiar.
Hapat e tjerë të nevojshëm për ekonominë e vendit janë reformat rrënjësore ekonomike dhe të drejtuara në rritjen dhe zhvillimin e sipërmarrjeve, rishikimi i barrës fiskale drejtë uljes për “start-up” dhe bizneset e reja të krijuara nga moshat deri në 35 vjeç, nxitja e inovacionit dhe teknologjive te reja, realizimi i zonave te lira ekonomike, shfrytëzimin në mënyrë sa më inteligjente të pikave të forta të ekonomisë së vendit, investime të mëdha në sektorin e arsimit (rritja e arsimit profesional) dhe mjekësisë, bashkëpunime trepalëshe ndërmjet: institucioneve publike-sipërmarrjeve-universitete që do ndihmojnë në mos largimin e mëtejshëm të gjeneratave të reja.