Në vitin 2030 Tirana do e ketë shërbimin e transportit urban të gjithin me autobusë elektrikë.
Ky është një nga premtimet e përsëritura gjatë dy viteve të fundit nga kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, por që nuk ka gjetur në asnjë moment zbatim, sepse projekti kërkon së paku investimin e 75 milionë eurove dhe operatorët e transportit zor se mund ta përballojnë pa rritur ndjeshëm çmimin e biletës.
Kur licensoi një kompani taksish elektrike në tetor 2017, kryebashkiaku Veliaj tha se do t’u kërkonte operatorëve privatë të shërbimit të transportit që në mënyrë graduale ta kthenin një pjesë të flotës në autobusë elektrikë”.
Ai tha gjithashtu se nëse kthimi te transporti i gjelbër nuk do të ndodhte në ritmin e kënaqshëm të Bashkisë, Bashkia do të krijonte vetë një kompani publike, e cila me kredi nga bankat e huaja do ta arrinte këtë cilësi shërbimi.
Në atë periudhë në Tiranë u testua një model autobusi elektrik. Modeli polak Solaris Electric Urbino-12 u tha se do të shoqërohej edhe nga teste të kompanive të tjera. Nëse rezultatet do të ishin positive, Bashkia tha se do të provonte një linjë të re me 100% autobusë elektrikë. Në media u përfol për linjën Kinostudio-Kombinat.
Pak muaj më vonë, në janar 2018, gjatë konferencës rajonale për fonde të BE-së, Veliaj tha se idesë së transportit me autobusë elektrikë i qe futur me marsh të pestë. Ai u shpreh besimplotë se brenda vitit 2018 do të fillonim t’ia shikonim hajrin, pasi, sipas tij, qenë bërë porositë e para.
Viti 2018 kaloi pa ia parë kush hajrin autobusëve elektrikë.
Sidoqoftë kryebashkiaku Veliaj nuk harroi. Në mars 2019 gjatë prezantimit të radhës të aplikacionit Tirana ime, ai foli sërish për transportin urban. Ai tha se 100 për qind e autobusëve do të jenë elektrikë brenda vitit 2030.
Një muaj më pas, gjatë një pritjeje të ambasadës hungareze, ai tha se tashmë ishte bërë porosia për dy autobusë elektrikë që prodhohen në Hungari dhe se flota e autobusëve do të fillonte të transformohej dy e nga dy.
Në dy vite kryetari i Bashkisë ka thënë se: një autobus elektrik kushton deri gjysmë milion euro; nëse nuk e bëjnë privatët tranzicionin drejt transportit të gjelbër, do ta bëjë Bashkia; në bashkëpunim me polakët u bënë porositë e para që në vitin 2018 dhe se, gjithashtu, porosi tjetër u bë në vitin 2019 në Hungari.
Në dy vite kryetari i Bashkisë nuk ka thënë se: çfarë ndodhi me bashkëpunimin me kompaninë polako-spanjolle Solaris? A u bënë testime nga kompani të tjera? Si u vendos të kalohej me porosi te një nga filialet e kompanisë kineze BYD Auto në Hungari?
Kush i ka bërë porositë e autobusëve elektrikë, duke qenë se deri më sot asnjë kompani transporti nuk është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit si aksionere me Bashkinë Tiranë? Më kryesorja: a do të rritet më tej çmimi i biletës së autobusit nëse operatorët i ndryshojnë autobusët në elektrikë?
Në pritje të autobusëve elektrikë, qytetarët përballen me çmimin e lartë të biletës dhe kaosin e transportit urban
Që prej vitit 2012 operatorët e transportit urban kanë kërkuar vazhdimisht rritjen e çmimit të biletës. Arsyetimi i tyre ka qenë rritja e kostove si blerja e autobusëve apo çmimi i lartë i karburantit.
Deri në dhjetor 2015 kërkesat e tyre bllokoheshin nga Bashkia me arsyetimin se kostot e operatorëve privat nuk mund t’i faturoheshin qytetarëve.
Por më 30 dhjetor 2015 gjërat ndryshuan. Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj propozoi dhe miratoi rritjen e çmimit të biletës së transportit urban nga 30 lekë në 40 lekë.
Opinioni publik e cilësoi rritjen me 33 për qind të çmimit si favor për kompanitë. Por Bashkia e kundërshtoi duke këmbëngulur se e gjitha ishte indeksim në bazë të inflacionit vjetor.
Në shtator të vitit 2016 Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) konstatoi se për këtë rritje nuk ishte marrë në konsideratë asnjë formulë ekonomike. Nga Bashkia, KLSH-ja mori përgjigjen se rritja kishte ardhur si rezultat i një gjendjeje emergjence.
Por, pavarësisht rekomandimeve të KLSH që Bashkia të përllogariste de facto çmimin sipas normës së deklaruar zyrtarisht të inflacionit, ende sot çmimi i një bilete mbetet 40 lekë, me një rritje 3 herë më të madhe se sa norma e inflacionit.
Prej vitit 2015 e deri më sot Bashkia Tiranë ka rritur numrin e autobusëve nga 200 në 300, duke shtuar ndjeshëm edhe linjat, por kurrsesi stacionet, apo cilësinë e shërbimit.
Mosrespektimi i orareve, higjiena, amortizimi i autobusëve dhe tejmbushja me pasagjerë mbeten problemet kryesore, ndërsa pothuajse gjithmonë asnjë autobus nuk ndalon në vendin e caktuar në stacion.
Sot rreth 16 linja (përveç të Tiranës, edhe linjat për Vorë dhe Kamëz) kalojnë në Unazën e Vogël në qendër. Ato shkaktojnë trafik dhe ndotje, pasi pjesa më e madhe e autobusëve janë me mbi 10 vite përdorim.
Në këtë segment të qendrës, linjat kryesisht përdorin të njëjtat stacione, ndërsa në rrugët e rikonstruktuara Bashkia nuk ka parashikuar korsi për urbanët dhe as stacione të reja, duke e lënë shërbimin në kaos.
Kështu, në pritje të autobusëve elektrikë gjysmë-milioni euro (për 300 autobusë, 150 milionë euro) qytetarët do të vazhdojnë të paguajnë shtrenjtë një shërbim të lënë pas dore nga Bashkia, e cila u zotua se bashkë me çmimin e biletës do t’ia rriste edhe cilësinë.
EXIT.AL