Akademik Prof. Anastas Angjeli
Pandemia e COVID-19 dhe kriza ekonomike globale nuk e ndalën traditën e dhënies se Çmimeve Nobel në fushat tradicionale, tashmë të njohura prej vitesh. Ditën e hënë, 12 tetor, Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave shpalli edhe dhënien e Çmimit Nobel në Ekonomi.
Nobeli në Ekonomi pasoi dhënien e çmimit prestigjioz në fushat e tjera, të mjekësisë, fizikës, kimisë, dhe Çmimit Nobel për paqen. Nobeli në Ekonomi konsiderohet si një prej vlerësimeve më të mëdha që mund t’i bëhet një studiuesi për kontributin e tij në këtë shkencë.
Ashtu siç ndodh edhe me Çmimet Nobel në fushat e tjera, edhe ai i ekonomisë paraprihet nga parashikime të shumta, por edhe pasohet nga debate dhe diskutime të shumta. Për këtë vit, Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave vendosi që Çmimi Nobel në Ekonomi t’u jepet profesorëve Paul R. Milgrom dhe Robert B. Ëilson, të dy profesorë të Universitetit të Stanford-it SHBA, duke vlerësuar kontributin e tyre për “përmirësimin e teorisë së ankandit dhe shpikjen e formateve të reja të ankandit”.
Paul R. Milgrom është lindur në Detroit në vitin 1948 dhe është diplomuar në Universitetin e Michigan-it në vitin 1970. Që prej vitit 1987 është profesor i Shkencave dhe Humaniteteve në Universitetin e Stanford-it. Robert B. Ëilson ka lindur në Nebraska në vitin 1937. Është diplomuar në Universitetin e Harvardit në vitin 1959 dhe që prej vitit 1964 është profesor i Ekonomisë në Shkollën e Biznesit të Universitetit të Stanfordit.
Është për t’u theksuar se Ëilson ka qenë mentor i Milgrom gjatë studimeve të tij të doktoratës dhe në vazhdim koleg i tij. Nuk është e rastësishme që këtë vit Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave, duke vlerësuar maksimalisht këta dy shkencëtarë, vendosi të fokusohet te një komponent i rëndësishëm i transaksioneve ekonomike, siç janë ankandet.
Megjithëse duket sikur kjo fushë e studimit është pak e shkëputur nga problematika e madhe e përditshmërisë së periudhë së Covid-it (dhe për të qenë më të saktë, parashikimet për Nobelin e sivjetshëm në ekonomi ishin të tjera), e vërteta është se ankandet janë një pjesë e pandarë e përditshmërisë ekonomike anembanë botës, jo vetëm në kohën e sotme, por kanë qenë të tilla historikisht.
Dhe për më tepër kur mendojmë që edhe prokurimet publike, por edhe format moderne të transaksioneve ekonomike në periudhën e sotme dixhitale, kanë marrë në njëfarë mënyre përmasat dhe formën e ankandeve, atëherë kuptojmë akoma më shumë rëndësinë e studimeve dhe kontributeve shkencore të të dy profesorëve, që sivjet u nderuan me Çmimin Nobel.
Siç thuhet edhe në deklaratën për shtyp që shoqëroi shpalljen e sivjetshme të Çmimit Nobel në Ekonomi “…Laureatët e këtij viti, Paul Milgrom dhe Robert Ëilson, kanë studiuar se si funksionojnë ankandet. Ata, gjithashtu, kanë përdorur njohuritë e tyre për të hartuar formate të reja ankandi për mallra dhe shërbime që janë të vështira për t’u shitur në një mënyrë tradicionale, siç janë radiofrekuencat. Nga gjetjet e tyre kanë përfituar shitësit, blerësit dhe taksapaguesit në të gjithë botën.
Njerëzit gjithmonë i kanë shitur gjërat ofertuesit më të lartë, ose i kanë blerë nga kushdo që bën ofertën më të lirë. Në ditët e sotme, objektet me vlerë shumash astronomike parash ndryshojnë duart çdo ditë në ankande, jo vetëm objektet shtëpiake, arti dhe antikuarët, por edhe sigurimet, mineralet dhe energjia. Prokurimet publike gjithashtu mund të kryhen si ankande. Duke përdorur teorinë e ankandit, studiuesit përpiqen të kuptojnë rezultatet e rregullave të ndryshme për ofertat dhe çmimet përfundimtare, formatin e ankandit…”.
Teoria e Robert Ëilson në lidhje me ankandet e objekteve me një vlerë të njëjtë shpjegoi arsyet pse ofertuesit racionalë priren të vendosin oferta nën vlerësimin e tyre në lidhje me vlerën e përbashkët. Nga ana tjetër, Paul Milgrom zhvilloi një teori më të përgjithshme të ankandeve, e cila vendos theksin jo vetëm te vlera e përbashkët, por edhe te vlera private që ndryshon në ofertues të ndryshëm.
Ai analizoi strategjitë e ofertave në një numër të madh formatesh të njohura të ankandit, duke shpjeguar se të ardhurat e pritshme do të rriten atëherë kur ofertuesit mësojnë më shumë rreth vlerave të vlerësuara të njëri-tjetrit gjatë ankandeve. Milgrom dhe Ëilson arritën të zbulojnë formate të reja të ankandeve kur flitet për shumë objekte të ndërlidhura njëkohësisht nga një shitës i motivuar jo vetëm nga maksimalizimi i të ardhurave, por nga përfitimi i gjerë shoqëror.
Ankandet e një numri të madh të objekteve të ndërlidhura ishin në njëfarë mase lënë në hije në analizën e formateve “standarde” të ankandit. Këtu mund të përmenden frekuencat e radios, të cilat duhet të shiten në një ankand me shumë objekte me shitje të njëkohshme, për shkak të plotësueshmërive gjeografike dhe teknike.
E njëjta gjë vlen edhe për ankandet e energjisë elektrike, për shkak të ekonomive të shkallës dhe fushëveprimit në shpërndarjen e energjisë elektrike. Siç thuhet edhe në deklaratën për shtyp të Akademisë “…në vitin 1994, autoritetet amerikane përdorën për herë të parë një nga formatet e tyre të ankandit për të shitur frekuencat e radios tek operatorët e telekomit. Që atëherë, shumë vende të tjera kanë ndjekur këtë shembull…”
Dhënia e Çmimit Nobel në ekonomi është një nga eventet më prestigjioze akademike dhe si e tillë diskutohet gjerësisht jo vetëm nga studiuesit e shkencës ekonomike, por edhe nga institucionet politikëbërëse. Komentet, debatet, arsyetimet në lidhje me faktorët që shtynë Akademinë të akordonte Nobelin për njërin studiues dhe jo për një tjetër apo për një teori dhe jo një tjetër janë të shumta dhe nuk munguan as këtë herë.
Rëndësia që ka Çmimi Nobel qëndron jo vetëm në faktin që ky çmim shërben si një kurorëzim i punës kërkimore shkencore të studiuesve të caktuar, por edhe në atë që ky çmim shtyn politikën të fokusohet në tematika të caktuara të rëndësishme për mirëfunksionimin e sistemit ekonomik. Maksimalizimi i përfitimeve të gjithë shoqërisë gjatë proceseve të ankandeve (përfshirë kryesisht ato me karakter publik) është shtylla ku u mbështet Akademia për dhënien e Çmimit Nobel në Ekonomi për këtë vit.
Një gjë e tillë, sidomos gjatë periudhës së pandemisë dhe të efekteve të pashembullta që ajo do të lërë në sistemin ekonomik, është diçka për të cilën si komuniteti akademik, ashtu edhe institucionet politikëbërëse duhet të reflektojnë.