Abuzimet nga ndërmjetësit apo avokatët në dëm të klientëve të tyre, në rastet e aksidenteve me vdekje apo dëmeve të shëndetësore janë skenarë të vjetër për të përfituar para të lehta në shuma të konsiderueshme në kurriz të tregut të sigurimeve.
Mjafton të bësh kontratën me klientin (qytetarin e dëmtuar) dhe çështjen ta çosh në gjyq, aty ku avokati kërkon shumë më shumë para sesa dëmi që i është bërë qytetarit dhe e pengon atë që të kontaktojë vetë me kompaninë e sigurimit për të marrë paratë e dëmshpërblimit.
Këtë bëjnë avokatët dhe ndërmjetësit, duke sorollatur kështu për vite me radhë qytetarët nëpër gjykata, dhe në fund u marrin atyre deri në 50% të vlerës së dëmshpërblimit që në fakt i takon qytetarit dhe jo avokatit apo ndërmjetësit.
Por siç e shkruam më lart, këto janë bërë tashmë skenarë të vjetër dhe të zakonshëm.
Të tjera skema po depërtojnë së fundmi në tregun e sigurimeve, duke rrezikuar imazhin e kësaj industrie dhe besimin tek ajo. Ekspertë nga tregu i sigurimeve bëjnë të ditur se një fenomen i çuditshëm që po rritet me ritme të shpejta është ai, ku paraqiten për pagesë dëmesh mjete të paindentifikuara, që pretendojnë se kanë shkaktuar dëme me vdekje apo aksidente të tjera. “Ky numër është i lartë dhe po shkon deri në 30 në muaj”, shprehen burimet e mësipërme.
Ekspertët shpjegojnë se bëhet fjalë për një skemë abuzive, me ndihmën e policëve dhe hallkave të tjetra. Po si funksionon ajo? Janë aksidente të ndodhura, ku Policia regjistron mjete të paindentifikuara. Nga verifikimet e bëra nga kompanitë e sigurimeve, rezulton se rreth 50% e tyre janë të stimuluara nga policët dhe organet e tjera që kanë të drejtën ta organizojnë ngjarjen.
Pra, janë skema në vetvete kriminale që po futen ngadalë në tregun e sigurimeve dhe që po përdoren së fundmi nga avokatët, ndërmjetësit, doktorët etj për të përfituar, por që dëmtojnë imazhin e industrisë dhe besimin tek ajo.
Nga verifikimet rezultojnë se këto dëme nuk janë shkaktuar nga aksidentet automobilistike, por janë dëme të prodhuara nga industria e ndërtimit apo industri të tjetra dhe sillen pas 1 viti si dëme të ndodhura nga aksidente automobilistike. Dhe kjo, vetëm që kompanitë e sigurimeve të paguajnë para që në fakt nuk u takojnë atyre për të paguar.
Ekspertët shpjegojnë se kjo dukuri, e shoqëruar edhe nga aksidentet e mjeteve të pasiguruara janë një problem jo i vogël për tregun.
“Sot shqiptarët janë debitorë me rreth 50 milionë euro ndaj Byrosë së Sigurimit. Pasi ata që kanë shkaktuar dëme dhe nuk janë siguruar duhet të paguajnë dëmin që e kanë paguar kompanitë e sigurimit. Problemi nuk qëndron tek pagesa e dëmeve, por çfarë duhet bërë që të mos qarkullojnë mjete të pasiguruara në Shqipëri”, shpjegojnë ekspertët e tregut.
Sipas të dhënave të industrisë, rreth 20-30% e totalit të automjeteve në qarkullim janë të pasiguruara, një shifër ekuivalent me rreth 100 mijë mjete.