Nga Martin Kuiper, NRC
Një shqiptar që arrestohet në Holandë për trafik droge ka thuajse të njëjtin justifikim, thotë prokurori Otto van der Bijl. Ai thotë se po viziton Amsterdamin si turist. Por nëse e pyet se çfarë po bën në qytet, thekson prokurori, ai nuk mund të të tregojë asnjë atraksion turistik. Madje nuk mban mend as emrin e hotelit të tij. Pastaj, përse ka mijëra euro me vete? Rroga mesatare në Shqipëri është rreth 330 euro.
Të enjten e shkuar, shumica e Dhomës së Përfaqësuesve votoi në favor të rikthimit të regjimit të vizave për shqiptarët. Tani ata mund të udhëtojnë në Europë për tre muaj pa viza. Kriminelët përdorin këtë kohë për të zgjeruar ‘rrjetin e trafikut’, thotë deputetja Madeleine van Toorenburg. Ajo mendon se kabineti qeveritar duhet të mbështesë këtë masë për rikthimin e vizave.
Shenjat e para erdhën tre ose katër vjet më parë, thotë prokurori publik Van der Bijl. Gjithmonë e më shumë shqiptarë po arrestoheshin në Amsterdam dhe Roterdam. Fillimisht, thotë Van der Bijl, menduam se ishte rasti klasik: trafik droge, pastrim parash dhe armëmbajtje pa leje.
Por në të njëjtën kohë nisën të vijnë kërkesat për ndihmë ligjore nga Italia, Belgjika, Gjermania, Franca, Anglia dhe Suedia. Këto vende kërkonin ndihmën holandeze për të ofruar prova kundër shqiptarëve të arrestuar. Hetimet e policisë zbuluan se shqiptarët kishin ndërtuar me shpejtësi një perandori të tyren të drogës. “Kriminelët shqiptarë janë një nga grupet më të rëndësishme të drogës në Holandë,” thotë Van der Bijl.
Linjat e drogës nga Kolumbia
Shqiptarët menaxhojnë linjat e drogës nga Amerika Latine, duke përfshirë Kolumbinë, drejt Holandës dhe Belgjikës. Ata shesin kryesisht kokainë. Ajo mbërrin përmes porteve të Roterdamit dhe Antverpës dhe më pas lëviz drejt Amsterdamit- ‘qendrës së shpërndarjes’ sipas prokurorit. Kokaina e fshehur në makina dhe kamionë më pas dërgohet në vende të tjera, thotë Van der Bijl.
Gjatë tre viteve të fundit janë arrestuar thuajse 1700 shqiptarë të dyshuar në Holandë, sipas të dhënave të ministrisë. Të dyshuarit mendohet se janë të lidhur me krimin e organizuar serioz.
Numri i arrestimeve ka qenë shumë më i ulët në vitet e tjera. Në vitin 2017, një vlerësim katërvjeçar për krimin e organizuar nga Vlerësimi i Kërcënimit Kombëtar, theksonte: “Roli i shqiptarëve në lidhje me trafikun e drogës është i ri”. Holanda ka punuar me Shqipërinë që prej majit të shkuar për të luftuar aktivitetet kriminale.
Punë të neveritshme
Dhjetë vjet më parë, shqiptarët punonin akoma si trupa për mafian italiane, thotë Van der Bijl. Ata bënin punë të çrregullta. Në emër të mafies, ata merrnin ngarkesat prej kontejnerëve në portet europiane. Shqiptarët tani punojnë si të pavarur, thotë prokurori. “Ata nuk janë më në fund të hierarkisë”.
Shqiptarët njihen si tregtarë shumë të mirë, thotë një detektiv që punon ngushtë me hetimet për kriminelët shqiptarë në Holandë- dhe që për arsye sigurie kërkoi që emri të mos i publikohet në gazetë. Ata ofrojnë kokainë të mirë për çmim të ulët dhe janë ekstremisht të besueshëm.
Kokaina ka për synim kryesisht tregun ndërkombëtar, thotë Van der Bijl. Detektivi e mbështet këtë: “Amsterdami dhe bota e nëndheshme e tij janë për tregun lokal të drogës, shqiptarët për tregtinë ndërkombëtare. Për shkak të ndarjes së tregjeve, incidentet mes dy grupeve janë të rralla,” thotë detektivi dhe prokurori.
Shqiptarët po luftojnë kundër incidenteve të ndërsjella në vendin e tyre, sipas detektivit. Ata kanë një reputacion jashtëzakonisht të dhunshëm, por e mbajnë dhunën jashtë skemës, për shkak se e dinë se ‘gjëmimi’ e tërheq vëmendjen mbi ta.
Dy vjet më parë, policia dhe gjyqësori analizuan 50 faqet më të vizituara në Shqipëri dhe përdorimin e tyre në Holandë, thotë Van der Bijl. Për shembull, policia dhe gjyqësori tentuan që të bëjnë një hartë se sa shqiptarë ndodhen në Holandë.
Në total 36 mijë celularë dhe rreth 4500 tableta nga Holanda vizituan një prej këtyre faqeve në korrik të vitit 2017. Rreth 8 mijë pajisje u lokalizuan në Amsterdam, ndërkohë që aty janë vetëm 800 shqiptarë të regjistruar zyrtarisht. “Si është e mundur një gjë e tillë?”
Ai nuk e ka një përgjigje. Sipas detektivit, është e vështirë për policinë pasi kriminelët shqiptarët janë thuajse të padukshëm. Ata marrin me qira apartamente private përmes ndërmjetësuesve, por nuk regjistrohen kurrë në atë adresë. Ata futen në banesë thuajse të papikasur përmes garazheve të parkimit poshtë apartamentit. Përveç kësaj, ata nuk para shpenzojnë para, sipas Van der Bijl. “Ata nuk veshin zinxhirë të artë”.
Ata i sjellin fitimet e tyre me qese supermarketesh përmes makinave apo biçikletave që nuk bien në sy tek vendi i fshehjes. Pjesa më e madhe dërgohet në vendin e tyre, thotë Van der Bijl. Ndonjëherë investohet në Amsterdam, Roterdam dhe Hagë në industrinë e shërbimit. Në Roterdam, kriminelët i investojnë paratë në lokale dhe piceri. “Kemi gjetur qindra mijëra euro në kesh në një shtëpi me një pronar picerie”.
Ndryshimi i mbiemrave
Prokurori thotë se shqiptarët përdorin një hile, duke ndryshuar mbiemrin. Në Shqipëri, njësoj si në vende të tjera të Europës Lindore, mund të ndryshosh mbiemrin disa herë. Kriminelët e bëjnë këtë që të mos dalin në sistem gjatë kontrollit. Në rast të arrestimit, merren gjurmët e gishtërinjve, por oficerët e zakonshëm në kufi kryesisht kërkojnë me anë të mbiemrit. Por ata duhet të veprojnë ndryshe, thotë Van der Bijl.
Një tjetër mënyrë për të shqetësuar kriminelët shqiptarë, thotë ai, është rikthimi i regjimit të vizave. Kabineti qeveritar duket se nuk e përkrah këtë gjë. Sipas ministrit Blok, vendet e tjera anëtare të BE nuk janë në favor të rikthimit të vizave, pasi Shqipëria sërish i mbush kushtet për të anuluar këtë detyrim.
Kjo organizatë shqiptare është jashtëzakonisht profesioniste dhe ka një kapacitet shumë të madh rritjeje, thotë Van der Bijl. “Nëse ata fitojnë miliarda në një pikë, atëherë krijohet një organizatë si mafia italiane, e cila tenton të influencojë politikanët holandezë. Ne kemi frikë nga kjo”.