Ekonomia shqiptare po vazhdon t’i ndiejë çdo ditë e më tepër goditjet nga kriza e COVID-19. Cilët janë sektorët që po i vuajnë më shumë pasojat negative?
Tashmë që kanë kaluar mbi 6 muaj nga fillimi i krizës së COVID-19 dhe 3 muaj pas daljes nga izolimi pothujase total social e ekonomik, situata duket e vështirë për sektorë e degë aktivitetesh, si turizmi, transporti, shërbimet, kryesisht ato hoteliere, restorantet dhe bar-kafetë, një pjesë e rëndësishme e industrisë fason, tregtia me pakicë, biznesi familjar dhe ai i vogël etj. Turizmi duket sektori më i prekur.
Sipas INSTAT-it, në periudhën 7-mujore janar-korrik 2020, hyrja e turistëve ka qenë rreth 65% më e vogël se një vit më parë në të njëjtën periudhë. Më pak të prekur nga kriza rezultojnë sektori i ndërtimeve dhe sektori bankar. Lejet e ndërtimit kanë vazhduar rritjen edhe në tremujorin e dytë të vitit – INSTAT-i raporton se në tremujorin e dytë të këtij viti, që ka qenë edhe piku i goditjes së COVID-19, bashkitë kanë dhënë 209 leje ndërtimi, me rritje 14% kundrejt tremujorit të parë – ndërsa sektori bankar i zgjeroi aktivet e tij me më shumë se 250 milionë euro.
Nga ana tjetër, pandemia ka ulur ndjeshëm edhe daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Sipas INSTAT-it, në korrik kanë udhëtuar jashtë vendit rreth 246 mijë shqiptarë, një numër që rezulton 52,3% më i ulët se korriku i vitit të kaluar.
Rënia e konsumit dhe aksesi i kufizuar në financime mbështetëse, i ka prekur shumë bizneset e vogla, veçanërisht në sektorin e shërbimeve dhe prodhimit.
Situata filloi të ndryshojë tendencë, megjithëse në përmasa modeste, në muajt korrik dhe gusht, por kthimi i tyre në normalitet duket akoma larg. Sipas Bankës Botërore, “Bizneset e lidhura me furnizimin ushqimor, pijet, ato farmaceutike patën ndikim relativisht më të ulët nga pandemia, ndërsa industria tekstile, fabrikat e mobilieve, riciklimi, prodhimi i energjisë, prodhimi i hekurit dhe çimentos patën një ndikim të mesëm nga pandemia. Bizneset më të goditura ishin shitësit e automjeteve, dyqanet e rrobave, këpucëve, produkteve dhe veshjeve sportive, luleve, dhuratave, pjesëve të makinave, aksesorëve, bizneset dentare, bizneset e lidhura me argëtimin etj.”
A po vërtetohen parashikimet pesimiste të disa institucioneve ndërkombëtare për efektet e rënda të krizës në ekonominë shqiptare për vitin 2020?
Pa dyshim që efektet kryesore negative në bizneset shqiptare i shkaktoi kriza e rëndë e COVID-19 që veç të tjerave, gjeti dhe një situatë ekonomike të dëmtuar nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, i cili u dha një goditje të rëndë bizneseve, sidomos atyre të zonave më të goditura, të cilat korresponduan dhe me zonat më intensive e të përqendruara të bizneseve.
Dublimi i efekteve të rënda të tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar me efektet shkatërruese të pandemisë së COVID-19, i shoqëruar me një çoroditje dhe tkurrje të ndjeshme të dinamikës ekonomike edhe në partnerët tanë kryesorë ekonomikë e tregtarë, si Italia, Greqia, Kina, Turqia, Gjermania etj., e ashpërsoi akoma më shumë goditjen e krizës, duke bërë që Shqipëria t’i trembet një recesioni të rëndë ekonomik për vitin 2020. Parashikimet e disa institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, si FMN-ja, BERZH-i apo Banka Botërore, evidentojnë mundësinë e një rënieje ekonomike nga -5 deri në -9%, ndërkohë që parashikimet e Ministrisë së Financave janë për një recesion në nivelet -4,5 -5% për vitin 2020.
Edhe pse në muajin korrik, në buxhetin e shtetit u arkëtuan 38 miliardë lekë të ardhura, duke frenuar rënien dyshifrore, të konstatuar në muajt e kaluar, sërish buxheti po vuan goditjen e pandemisë së COVID-19. Në periudhën janar- korrik 2020, nga tatimet dhe doganat u mblodhën 233 miliardë lekë, ose 32 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, shifër kjo e barabartë me 260 milionë euro. Rënia më e madhe konstatohet tek TVSH-ja, tatimi që siguron rreth 40% të të ardhurave totale në buxhet dhe që dëshmon për konsumin dhe qarkullimin e xhiros në ekonomi.
Protokollet e rrepta sanitare anti-Covid, bllokimi i lëvizjes normale të njerëzve, vështirësitë me natyrë tregtare e kontraktore, frenimi dhe ristrukturimi i konsumit, në përputhje me situatat e reja, paqartësitë dhe vonesat në hartimin dhe aplikimin e paketës ndihmëse probiznes apo planit të rimëkëmbjes etj., edhe për muajt në vazhdim duket se do të mbeten faktorë frenues për ekonominë shqiptare në përgjithësi dhe sektorët e prekur më rëndë në veçanti. Një raport i BEI-t e rendit Shqipërinë si një nga vendet më të ekspozuara ndaj goditjeve të pandemisë edhe për disa muaj në vazhdim.
Duket se goditjen më të rëndë e kanë ndier dhe vazhdojnë ta ndiejnë bizneset e vogla. Cilat janë disa nga shkaqet kryesore të kësaj dukurie?
Statistikat e fundit dëshmojnë se, veçanërisht gjatë muajve mars-qershor, bizneset e vogla kanë qenë nën një goditje mjaft të fortë të krizës, për sa i përket punësimit, numrit të bizneseve të prekura, uljes së të ardhurave dhe tkurrjes së konsumit. Ndërsa bizneset e mëdha që kanë mundur të rezistojnë më mirë ndaj goditjeve të krizës, po e normalizojnë aktivitetin e tyre në parametrat mesatarë vjetorë, si dhe po e shtojnë gradualisht numrin e të punësuarve.
Bizneset e vogla rezultuan me shkallë të ulët rezistence përballë goditjeve të krizës: rënie e konsumit, ulje e xhiros, akses i kufizuar në financime, rënie e ndjeshme e fuqisë blerëse të klientëve, nevoja të paplotësuara për likuiditet për pagat dhe detyrimet ndaj furnitorëve, akses i limituar në garancinë sovrane, model biznesi i papërshtatshëm, shkallë e lartë informaliteti, nivel i ulët produktiviteti dhe formimi profesional, gjendje e paqëndrueshme financiare, pamundësi pagesash detyrimesh gjatë këtyre muajve të vështirë etj. Paketat financiare ndihmëse si “Paketa A” dhe “Paketa B”, të orientuara më shumë në mbështetjen sociale dhe ndihmës për papunësinë, bënë që rreth 65000 të punësuar në bizneset familjare dhe ato të vogla dhe rreth 38000 biznese të përfitonin fillimisht nga 26000 lekë/muaj për një periudhë 3-mujore dhe pastaj një pagesë tjetër prej 40000 lekësh për një muaj.
Kjo ndihmë direkte për mbëshetjen e pagave bëri që situata e këtyre bizneseve të ruante statu quo-në formale të tyre dhe të krijonte imazhin se periudha e vështirë po kalonte, duke shpresuar kthimin në normalitet në muajt në vazhdim. Por, realiteti rezulton ndryshe. Kjo dëshmon se problematika e këtyre bizneseve nuk është 100% konunkturore, e lidhur eskluzivisht me efektet e pandemisë, por është në një masë të konsiderueshme strukturore, e ndikuar drejtpërdrejt nga modeli i tyre i biznesit, shkalla e informalitetit, mospërshtatja me tregun dhe konkurrencën, nivelin e teknologjisë dhe aftësitë rigjeneruese e përshtatëse me zhvillimet e reja post COVID-19, në mënyrën e ndërtimit dhe funksionimit të biznesit etj.
Numri i ndërmarrjeve me 1-4 të punësuar po vjen në rënie edhe si pasojë e konkurrencës nga qendrat e mëdha tregtare, rrjetet e supermarketeve, orientimi drejt blerjeve online etj. Në Shqipëri, bizneset e vogla me 1-4 të punësuar, sigurojnë jetesën e rreth 151 mijë njerëzve, ose gati 30% të totalit të të punësuarve në sektorin privat. Shqipëria ka si karakteristikë dhe nivelin e lartë të vetëpunësimit, me gati 35% të totalit, më i larti në rajon.
Si shpjegohet fakti që bizneset e mëdha dhe një pjesë e bizneseve të mesme u treguan më rezistente ndaj krizës?
Situata duket më e stabilizuar dhe me perspektiva më pozitive për bizneset e mëdha, dhe një pjesë të bizneseve të mesme. “Të mëdhenjtë”, veçanërisht bizneset e mëdha, u mbështetën tek efektet pozitive tek “ekonomia e shkallës”, si dhe mundësitë e mëdha për akses në financim dhe krijimin e rezervave financiare jetike në këtë periudhë krize, të cilat iu mundësuan “rezistencën” për mbylljen e përkohshme të aktiviteteve të tyre dhe rifillimin gradual të aktivitetit ë tyre që në fillim të muajit qershor 2020, duke përmirësuar edhe treguesit e punësimit.
Bizneset e mëdha reaguan shpejt ndaj mbylljes së ekonomisë në muajt mars-maj 2020. Bizneset e mëdha mundën që në muajin prill të nxjerrin listëpagesat për rreth 30000 punonjës, duke bërë të mundur lehtësimin dhe transparencën e procedurave për të përfituar pagesën prej 40000 lekësh për një pjesë të madhe të punonjësve të tyre, të larguar nga listat e sigurimeve shoqërore në muajt mars, prill dhe maj 2020. Biznesi i madh rezulton përfituesi kryesor i fondit të garancisë sovrane të akorduar nga qeveria shqiptare, në marrëveshje me bankat tregtare në vend.
Interesi i biznesit, sidomos atij të vogël dhe të mesëm për programin e dytë të garancisë sovrane, ishte i ulët ose i vështirë për t’u shfrytëzuar, sepse nga instrumenti i garancisë sovrane u përjashtuan bizneset me kredi të këqija ose ato që kanë përfituar më parë pagesa nga qeveria për llogari të punonjësve të tyre.
Përfituesit më të mëdhenj të këtij fondi rezultuan bizneset e mëdha në fushën e ndërtimit, medias, hoteleri-turizmit, koncesioneve e PPP-ve, fasonit, sektorit të shërbimeve shëndetësore, sektorit të nxjerrjes dhe shfrytëzimit të kromit, nxjerrjes dhe shfrytëzimit të naftës, ndërtimeve të mëdha në infrastrukturë, prodhimit të energjisë etj. Megjithatë, edhe biznesi i madh nuk u shpëtoi efekteve negative dhe goditjes së rëndë të krizës. Gjatë periudhës mars-korrik 2020, 320 biznese të mëdha pothujase e pezulluan tërësisht aktivitetin e tyre.
Duke i gjykuar “post-factum” paketat ndihmëse “A” dhe “B”, si vlerësohet eficenca e tyre në mbrojtjen e biznesit? Cilat janë disa nga politikat mbështetëse më të mira në këtë situatë?
Në substancën dhe përmbajtjen e tyre, natyrisht brenda mundësive reale financiare të vendit në këtë situatë, paketat mbështetëse “A” dhe “B”, pavarësisht përmasave relativisht të reduktuara të tyre, deri diku të krahasueshme me vendet e rajonit, synonin një mbështetje të kombinuar dhe të shpërndarë në tri drejtime kryesore: mbështetjen e sektorit dhe nevojave sanitare e shëndetësore; mbështetjen sociale për papunësinë; mbëshetjen e aktivitetit të bizneseve, kryesisht nëpërmjet kredisë sovrane të garantuar dhe lehtësimeve fiskale, si dhe anulimit të disa detyrimeve të prapambetura.
Eficenca e tyre mund të konsiderohet e ndjeshme në mbështetjen e shërbimeve shëndetësore, relativisht e vogël dhe e përkohëshme në mbrojtjen sociale dhe papunësinë, megjithëse ky ishte dhe objektivi kryesor i dy paketave mbështetëse, dhe e paadresuar në mënyrë eficente në funksion të nevojave imediate dhe strukturore të bizneseve (bazuar edhe në kërkesat e adresimet e tyre të vazhdueshme kundrejt madhësisë dhe përmbajtjes së këtyre paketave ndihmëse), sidomos të të vetëpunësuarve dhe bizneseve të vogla. Megjithatë, duhet nënvizuar fakti se për situatën specifike dhe periudhën kur u aplikuan këto paketa ndihmëse, efekti i tyre ishte përgjithësisht pozitiv në përballimin e disa prej efekteve negative të fazës së parë të krizës, që korrespondon me periudhën mars-qershor 2020.
Referuar situatës aktuale të biznesit dhe zhvillimeve të pritshme për periudhën në vazhdim, në 6-12 muajt e ardhshëm, është e nevojshme një ndërhyrje tjetër afatshkurtër në formën e një pakete “C”, dedikuar ekskluzivisht bizneseve, e kombinuar me një plan të plotë e të qartë rimëkëmbjeje afatmesëm, 2-3-vjeçar, në themel të të cilit të jenë rimëkëmbja e sipërrmarjes, nxitja e punësimit, incentivat fiskalë, reforma strukturore për përmirësimin e klimës së biznesit, nxitja e investimeve publike e private, përmirësimi i modeleve të biznesit, teknologjitë e reja dhe inovacionet, përmirësimi i arsimit profesional dhe kompetencave të burimeve njerëzore. (Fjala.al)