Zgjatimi i Bulevardit të Ri ishte projekti i radhës që çoi në përplasje mes banorëve që do t’iu shemben shtëpitë dhe shtetit, të përfaqësuar nga policia dhe fadromat. Përplasje të dhunshme dhe pamje që tronditin çdokënd. A mund të zgjidhen ndryshe këto konflikte?
Ish drejtori i Policisë Ndërtimore të Tiranës dhe ish kreu i IKMT-së, Ing. Erion Softa shpjegon se të gjitha palëve, përfshi këtu edhe politikën që i shfrytëzon këto situata për interesa të saj, iu mungon themeli, mbi të cilin zgjidhen konflikte të tilla sociale: procedura ligjore.
I ftuar në emisionin “”Natë me Xhaxhiun” në Fax News, Softa shpjegon se shteti duhet t’i njoftojë më përpara banorët nëpërmjet shkresave zyrtare për prishjen e banesave dhe këta të fundit, të kenë kohë dhe mundësi që t’i drejtohen gjykatës, nëse disponojnë dokumente për pronësinë. Në këtë mënyrë, palët nuk konfliktohen dhe policia nuk bëhet palë, pasi është gjykata, si institucioni i përcaktuar me ligj që të zgjidhë mosmarrëveshjen.
“Koha nuk është për të vazhduar në këtë formë. Ka një handikap. Problemi është ligjor, duhet procedura, që për momentin secilit prej aktorëve i rrëshket. Nëse ndiqet procedura, edhe situata është më e butë. Shteti vepron në bazë të ligjit. Nëse ke dokumente shpronësohesh. Nëse je i paligjshëm, atëherë është fat që bashkia të çon në banesa sociale.
Por qytetarët shohin njëherë një shtet që thotë: të shpronësoj dhe herës tjetër, një shtet që të thonë: dil jashtë dhe të hap luftë. Shteti funksionon me institucione. I kërkon dokumentet, e njofton dhe i thotë shtëpia do të prishet. Por këtu shteti e bën edhe me hile. E çon letrën për prishje në moment të fundit. Dhe kjo ndodh se nuk ka besim te gjykata”, shprehet Softa.
Ish kreu i IKMT-së shpjegon se institucioni i gjykatës paragjykohet nga të gjitha palët, pasi mungon besimi.
“Është paragjykim i gjykatës. Të dyja palët e shmangin gjykatën, ndërkohë që ligjërisht vendimin e jep gjykata për palët që shkojnë në konflikt”, deklaron ai.
Erion Softa vlerëson të gabuar edhe rolin e politikës, që i përdor situata të tilla për interesa të saj. Kujtojmë për në përplasjen e pak ditëve më parë të banorëve me policinë tek Bulevardi i Ri shkuan si mbështetje ish deputetët e PD-së Klevis Balliu dhe Jorida Tabaku, si dhe deputetja Rudina Hajdari.
“Ndërhyn edhe politika dhe e përdor sipas interesave të saj. Politika i shfrytëzon këta njerëz. Pse duhet që dy deputetë duhet të shkojnë tek ata njerëz që t’u japin mbështetje? Ata kanë me vete me dhjetëra juristë.
Pse të mos hapin një kauzë ligjore dhe t’i ndihmojnë këta njerëz? Pra, si forcë politike i jep një avokat të mirë dhe u jep ndihmë reale. Çfarë është kjo, që dikush bllokon rrugën, dikush e hap dhe futen në një lojë, që në fund i humbur del qytetari dhe forcat e policisë, që gjenden përpara konflikteve”, deklaron Softa.
Ish drejtori i Policisë Ndërtimore të Tiranës, Erion Softa solli si shembull rastet e shembjeve të ndërtimeve pa leje në parkun Rinia dhe mbi lumin e Lanës, ku konfliktet u trajtuan më qetë, duke zbatuar procedurat ligjore.