Më në fund një lajm i mirë vjen nga të gjithë emigrantët që ndodheshin në pritje prej 4 ditësh për të kaluar në shtetin grek.
Mësohet se rradha kilometrike në Kakavijë dhe Kapshticë që erdhi si pasojë e masave të reja që do të hynin në fuqi më 16 gusht si dhe nga nxitimi i qytetarëve për të mos iu nënshtruar kushteve shtesë, është zgjidhur.
Sipas informacioneve, mesnatën që sapo lamë pas kanë kaluar dhe qytetarët e fundit në Kakavijë, aty ku dhe kaosi është më i madh.
Ndërsa palës greke iu desh dy herë të shtynte oraret e përcaktuara për shkak të fluksit.
Në këtë situatë ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama.
Ai falenderon të gjithë ata që kontribuan në zgjidhjen e këtij ngërçi, teksa uron një qetësim sa më të shpejtë dhe rifillim normal të jetës së përditshme, “të gjithë bashkëqytetarëve që e hoqën atë siklet të madh dhe u lutem të tjerëve në vijim, të ndjekin me vëmendje kriteret e përcaktuara në shtetin fqinj për kalimin e kufirit”.
Kreu i qeverisë ka këshilluar qytetarët ndërkohë që të mos nisen pa u siguruar se mund ta kalojnë kufirin pa siklete të ngjashme.
“FALEMINDERIT të gjithë atyre që kontribuan për zgjidhjen e ngërçit të rëndë në pikën kufitare të Kakavisë; qytetarëve në radhë të parë, që në shumicën dërrmuese patën mirëkuptim e durim megjithë hallin e madh; Emergjencave Civile, forcave të ushtrisë e të policisë, trupës së Urgjencës Shëndetësore dhe strukturave vendore, që u gjendën pranë njerëzve me përkushtim e pa orar; të gjithë atyre në vendin fqinj që u përfshinë pa rezervë në përpjekjen për ta lehtësuar situatën, në kushtet kur regjimi i ri kufitar e bënte punën për zgjidhjen e saj tejet të vështirë.
U uroj nga zemra një qetësim sa më të shpejtë dhe rifillim normal të jetës së përditshme, të gjithë bashkëqytetarëve që e hoqën atë siklet të madh dhe u lutem të tjerëve në vijim, të ndjekin me vëmendje kriteret e përcaktuara në shtetin fqinj për kalimin e kufirit, e të mos nisen pa u siguruar se mund ta kalojnë kufirin pa siklete të ngjashme. Rrugë të mbarë udhëtarëve të fundit dhe ruani veten e të tjerët nga virusi i rrezikshëm Covid19”, shkruan Rama.
Ndërkohë një qytetar që kërkon të kalojë përmes pikave kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë duhe të përmbushë këto rregulla:
-Të gjithë qytetarët që udhëtojnë drejt Greqisë do të duhet të karantinohen për 7 ditë në shtetin grek. Policia e Shtetit ka rikujtuar dokumentat që qytetarët duhet të kenë për të hyrë në territorin grek duke filluar nga 17 gushti:
-Çertifikatën e kryerjes së testit COVID-19, jo më vonë së 72 orë nga dita e udhëtimit dhe rezultati të jetë NEGATIV;
-Testimi të jetë bërë nga autoriteti shtetëror (Instituti i Shëndetësisë) ose nga çdo spital apo klinikë e certifikuar dhe e njohur nga shteti;
-Certifikata të përmbajë të dhënat personale të personit, numrin e pasaportës ose të kartës greke, rezultatin negativ të testit, emrin e Institucionit ku është kryer testimi, adresën, numrin e telefonit, si dhe të jetë e përkthyer në gjuhën angleze;
Do të lejohen të hyjnë në Republikën e Greqisë shtetasit që kanë leje qëndrimi greke ose shtetësi greke, punëtorët sezonal, si dhe çdo shtetas që ka marrë konfirmim nga autoriteti përkatës; Çdo shtetas që do të hyjë gjithashtu duhet të këtë plotësuar formularin PLF.
Në doganën e Kakavijës do të lejohen të futen deri në 750 qytetarë në 24 orë, ndërsa në atë të Kapshticës vetëm 300 qytetarë në të njëjtin hark kohor.