Vijojnë të dalin detaje nga shpërthimi i fuqishëm në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan mëngjesin e sotëm.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në një kompani private, ku si pasojë e rrjedhjes së gazit janë plagosur 3 punonjës, edhe pse fillimisht u raportua për 7.
Policia ka dhënë dhe informacionet në lidhje me atë që ka ndodhur.
Qemal Mullahu 61-vjeç, Eduard dhe Osman Bendaj, 42 dhe 69 vjeç, babë e bir, janë transportuar me urgjencë në spitalin Rajonal Elbasan. Burime spitalore bëjnë me dije se punonjësit janë paraqitur në gjendje të rëndë, por gjendja e tyre është e stabilizuar, jashtë rrezikut për jetën.
“Në një subjekt privat-‘Alba Gaz’, si pasojë e rrjedhjes së gazit janë dëmtuar 3 punëtorë të cilët janë transportuar në Spitalin Rajonal Elbasan për ndihmën mjekësore dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Menjëherë shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë shkuar në vendngjarje të cilët kanë bërë të mundur mbylljen e gazit dhe shmangien e ndonjë shpërthimit të mundshëm. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.