Në konferencën e sotme kryeministri Edi Rama është shprehur se është gati të takojë liderin demokrat Lulzim Basha.
Ai ka shtuar se duhet të ulen dhe të bisedojnë, porn ë vendin tonë gjithmonë është problemi te kryeministri, jo te kryetari i opozitës kur është fjala për tu ulur dhe për tu takuar.
“Nëse unë do të isha Lulzim Basha, natyrisht nuk jam, dhe nuk është i detyruar të më dëgjojë, do të isha në vijimësi i interesuar për dialog, tryezë, marrëveshje, rimarrëveshje në proces dhe mund ta them këtë se unë kam qenë aty ku është Basha. Dhe kur isha në krye të opozitës, ju e dini, i kam shkruar më shumë se një herë kryeministrit të asaj kohe, se dua të takohem.
Është gjithmonë kryeministri problemi, jo kryetari i opozitës, kur është fjala për t’u ulur për t’u takuar. Teorikisht thuhet se kryeministri mund të humbë më shumë kur takohet, por unë nuk e kam problem, Luli e ka problem, ndoshta duke menduar se kështu shpërndan zërat që ne ndërkohë ne komunikojmë, por nuk funksion kështu. Të takohemi? Patjetër në çdo herë për çdo gjë. Duhet të flasim dhe diskutojmë. Nuk është me ultimatume dhe kërcënime”, deklaroi ai.