Nga Dr. Nikollaq Pano:
Për javë e muaj të tëra, jeta jonë është dominuar mendërisht dhe fizikisht nga pandemia, mediat e kanë bërë atë femonemin shoqëror më të analizuar. Tashmë është e sigurt që në të ardhmen e afërt do të vazhdojmë të vuajmë, të diskutojmë dhe të përjetojmë pasojat e këtij fenomeni. Në këtë kuadër lindi dhe libri “Kriza ekonomike në kohën e pandemisë” me bashkëautorët, Akademikun Anastas Angjeli, dhe Akademikun Adrian Civici. Ky botim është një kombinin intelektual i dy prej personazheve më aktivë në mendimin ekonomik shqiptar dhe shumë të impenjuar në kushtet aktuale para opinionit publik. Është shumë interesant për lexuesin, në aspektin stilistik, fakti se si autorët kombinojë intuitën ekonomike me racionalitetin llogjik, vërtetimin me shifra me analogjinë formale historike të politikave ekonomike dhe mbi të gjitha shprehjen e realitetit objektiv jashtë zbukurimeve politike. Eshtë ky, një element që kuriozitetit të lexuesit i jep kënaqësinë e njohjes, argumentimin objektiv të fenomenit dhe mbi të gjitha një parafytyrim të qartë për të ardhmen. Rallëherë, dy mendime, që në pamje duken të ndryshme, në thelb, konvergjojnë në rezultate dhe përfundime në të gjitha analizat teorike. Nëse lexuesi, stilit të goditur gjuhësor, do t’i bashkojë gjykimin intuitiv dhe racional të autorëve, rezultati i plotë do të jetë si shuarja e kureshtjes, ashtu dhe kënaqësia e njohjes. Ky libër analizon, nga njëra anë aspektin social të ekzistencës së qenies njerëzore, dhe nga ana tjetër perceptimin e të ardhmes me risqet dhe oportunitetet e saj. I strukturuar në tre kapituj, ai analizon pasojat ekonomike të pandemisë në krahasimin historik me krizat e mëdha botërore, krahason etatizmin dhe liberalizmin ekonomik në aspektin teorik dhe mbi të gjitha vlerëson politikat kryesore ekonomike kombëtare dhe ndërkombetare në kohën e pandemisë. Është shumë vështirë të përmbledhësh një libër prej 365 faqesh në disa rreshta, prandaj do të mundohem të ofroj perceptimet personale, që unë mora me vete kur lexova këtë studim. Një punim vlerësohet edhe nga përgjigjet e pyetjeve që ti pret nga ai, dhe unë do të përpiqem të analizoj disa nga pyetjet që unë mësova.
Cfarë është barazia e pabarabartë?
”Nëse pandemia i mësoi një gjë botës, ishte fakti se, të gjithë janë të barabartë në mundësinë e infeksionit. Të gjithë, pavarësisht pozitës sociale, vendit ku jetonin gjeografikisht, varfërisë, bashkësisë, apo vetmisë, janë të prekshëm nga kjo e keqe. Të gjithë, nuk mund të garantonin sigurinë individualisht, sepse risku ndaj kësaj pandemie nuk mund të ishte individual, por vetëm kolektiv”.
Kjo situatë ekonomikisht e përkthyer në këtë libër, çonte në diskutimin e vjetër të ndarjes së pabarabartë të pasurisë, apo të ndarjes së barabartë të varfërisë. Në libër autorët analizojnë në mënyrë origjinale një mundësi të tretë që mund të realizohet brenda tregut duke argumentuar që “për shkak të pandemisë”, të gjithë mund të ndajmë në mënyrë të barabartë pasuri të tilla, si shëndeti etj. Shëndeti, si e mirë publike, duhet t’i barazojë njerëzit, sepse pabarazia shëndetësore, nuk garanton sigurinë e përgjithshme. Trajtimi i këtij problemi në libër është shumë i gjerë, mbështetur në konceptet moderne të së mirës publike, dhe trajtohet si teorikisht, ashtu dhe në aspektin e politikave ekonomike. Do të ishte e padrejtë dhe mbi të gjitha e pasaktë, të analizoja këtë problem në mënyrë kaq të shkurtër. Do t’i rekomandoja lexuesve të shikonin në libër, analizën origjinale të këtij problemi dhe të gjykonin objektivisht zgjidhjen praktike të tij në politikat ekonomike.
A është borxhi publik risku më i madh i politikave ekonomike të përdorura për kapërcimin e krizës së pandemisë?
Në tërësinë e masave për kapërcimin e krizës, ndërhyrja shtetërore ishte masive dhe në vendet ku konceptimet neoliberale të ekonomisë ishin dominante. Ndër pjesët më të bukura të librit është krahasimi i elementëve të veçantë të politikave ekonomike etatike dhe neoliberale, në kushtet e krizës së pandemisë. Këndvështrimet e ndryshme të autorëve të kushtëzuara nga përkatësia shkencore teorike, në fakt ndihmon lexuesit të krijojnë një pasqyrë të plotë të anëve pozitive dhe risqeve të mundshme të politikave ekonomike, në kushtet e pandemisë. Është i analizuar shumë bukur, ndër të tjera, koncepti i riskut të kalimit të borxhit privat në një borxh shtetëror (financimet publike për shoqëritë e mëdha të transportit aeror në Gjermani, etj.). Pranohet nga të dy autorët që rreziku ekziston, pavarësisht se gjendja ekonomike e vetë vendit ku kjo politikë është përdorur luan rolin vendimtar në këtë drejtim. Në këtë pjesë autorët analizojnë, se çdo shtet, duke akumuluar deficite buxhetore krijon në vite karshi subjekteve të tregut financiar, një borxh shtetëror i cili sipas strukturës së tij është detyrim në monedha të ndryshme, në kohë të ndryshme dhe me garancira të ndryshme. Është një borxh që qeveritë mundohen ta manaxhojnë dhe rifinancojnë në kohë mbi bazën e politikave ekonomike, sipas orientimeve ideologjike. Karakteristika themelore e tij është fakti që ky borxh nuk shlyhet, por rifinancohet. Borxhi privat është përgjithësisht një detyrim që ka një subjekt privat, për një kredi të marrë karshi një institucioni financiar për konsum apo investim. Është një borxh detyrimisht i kthyeshëm. Në libër, analiza e lidhjeve të politikave aktive të ndërhyrjes në ekonomi dhe riskut të borxhit publik, trajtohet në gjithë treguesit analitikë të këtij fenomeni. Konkluzioni i librit: Nëse të gjithë për shkak të solidaritetit, do të ndajmë në mënyrë të barabartë pasurinë, mbetet për t’u vërtetuar.
Kush janë elementët e përbashkët dhe pritshmëritë e politikave ekonomike për kapërcimin e krizës?
Në këtë libër autorët kanë sintetizuar për këtë fenomen, përgjigjet më interesante të literaturës botërore. Duke e trajtuar përgjigjen e kësaj pyetjeje si mësimet e pandemisë, në këtë libër, do të gjejmë krahasime historike të krizës aktuale me krizat paraardhëse. Kriza e vitit 2009, ishte kriza më e madhe financiare që goditi ekonominë amerikane në këtë shekull dhe, pas falimentimit të “Lehman Brothers” edhe liberalistët më të flaktë pranuan domosdoshmërinë e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi. Rezerva Federale e SHBA-së u detyrua të emetojë në treg një lumë parash që të rivendosej besimi në bursat dhe mbyti ekonominë e gjithë botës me dollarë. Ishte injektimi më i madh me likuiditete, i bërë ndonjëherë në historinë njerëzore. Në libër përshkruhet shumë bukur fakti se në vitin 2011, në Europë u shfaq kriza e “borxheve publike”, që vuri në vështirësi bankat e disa vendeve europiane. Patëm “de facto” falimentimin e Greqisë, Portugalisë, Qipros dhe Irlandës, gjë që mund të çonte në falimentimin e bankave të këtyre vendeve. Për ta parandaluar atë, filluan edhe në Europë programet e shpëtimit financiar shtetëror. Me fillimin e krizave të borxhit publik, Banka Qendrore Europiane, ndoqi të njëjtën politikë si SHBA-ja në 2009, me emetime masive parash, për të mbrojtur euron. Kjo ishte masa e dytë e madhe financiare, për të hedhur në treg shuma të mëdha parash. Të gjithë prisnin që pasojë e kësaj politike të ishte inflacioni, por ai u ruajt në nivele shumë të pranueshme. Kjo për faktin, se paratë shkuan jo direkt te tregu i konsumit, por mbuluan humbjet e shoqërive dhe bankave të mëdha dhe mbështetën tregun financiar. Pasoja direkte e këtij procesi ishte rritja e pabarazisë, të pasurit u bënë më të pasur, ndërsa të varfërit relativisht më të varfër. Autorët i kthehen prapë konceptit të pabarazisë së analizuar në pjesën e pare, por kësaj radhe si mësim i historisë. Ky libër i drejtohet nje game të gjerë lexuesish. Ai është ndërtuar në një organizim konceptual vertical, por me një shpjegim spiral të mekanizmave kryesorë, gjë që lejon lexuesin të kalojë lehtësisht nga konceptet më të thjeshta, në mekanizmat më të ndërlikuara të politikës ekonomike. Personalisht, e konsideroj një vepër, që jo vetëm pasuron përmbajtjen e çdo biblioteke, por dhe rrit dijet e përdorshme të çdo të interesuari për njohuri ekonomike.