Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj ka njoftuar se spitali Infektiv mund të mos ketë më kapacitet të përballojë rastet e reja dhe kështu do të oranizohen struktura të tjera.
Zemaj tha se janë 58 persona të shtruar, nga 125 shtretër që ka Infektivi. Gjithashtu do të vendosë në dispozicion edhe spitalet rajonale të përgjithshme.
Kosova ka pasur një rritje alarmante të rasteve të reja, në këto ditët e fundit.
Deklarata e ministrit:
Duke parë që shtimi i rasteve të Covid-19 në të njëjtën kohë ka rezultuar me rritje edhe të numrit të personave që kërkojnë tretman spitalor (me 18 qershor kemi pasur në Klinikën Infektive të spitalizuar 58 pacientë), në bashkëpunim me SHSKUK-në kemi rikthyer në mobilizim të plotë kapacitetet e Klinikës së Pulmologjisë, të Klinikës së Dermatovenerologjisë dhe të Mjekësisë Sportive si asistencë për Klinikën Infektive për të përballuar një fluks eventual më të lartë të pacientëve që mund të kenë nevojë për tretman spitalor. Klinika Infektive ka aktualisht 125 shtretër dhe 6 respiratorë, me mundësi të shtimit të tyre sipas nevojës”, ka thënë ministri Zemaj.
Gjithashtu, në funksion do të jenë edhe repartet infektive të Spitaleve të Përgjithshme (rajonale), ato që kanë kushte, sipas vlerësimit të bërë nga Zyra e OBSh-së në Kosovë, siç është Reparti i Sëmundjeve Infektive në Spitalin e Prizrenit.