Një ngjarje tronditëse ka ndodhur ditën e sotme në Malishevë të Kosovës. Raportohet se tre fëmijë kanë shkuar për t’u larë në një rezervuar, por dy prej tyre kanë humbur jetën.
Një nga banorët e zonës ka parë ngjarjen dhe është ofruar menjëherë të ndihmojë. Ai ka nxjerrë një prej fëmijëve, por fatkeqësisht të pajetë.
Menjëherë është njoftuar policia e FSK, e cila bëri të mundur nxjerrjen e djalit të pajetë dhe fatmirësisht fëmija i tretë arriti të shpëtonte.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës ka dhënë detaje lidhur me situatën, ku tregon se fillimisht fëmijët kishin hyrë në liqen, ndërsa dy prej tyre nuk mundën të dilnin dhe si pasojë humbën jetën.
Beki Kelani tregoi se një prej fëmijëve u nxorr nga një banor i zonës, por ndihma e dhënë prej tij dhe policisë nuk arritën t’ia shpëtonin jetën.
Ndërkaq, fëmijët janë të moshës 9 deri në 11 vjeç.
Reagimi i zëdhënësit të Policisë së Kosovës:
“Më lejoni që në emër të policisë së Kosovës t’iu shprehim ngushëllime familjes. Në këtë rast të cilësuar si hetim mbi vdekjen, kanë humbur jetën dy fëmijë. Fillimisht dua t’iu them që Policia e Kosovës rreth orës 15:00 ka pranuar në informacion se në një liqe artificial që gjendet prapa nesh, 3 fëmijë kanë shkuar për t’u larë dhe nga informacionet e para thuhet se 2 prej tyre kanë hyrë në liqe dhe nuk kanë mundur të dalin, më pastaj një fshatar këtu ka marrë veprime dhe njërin ka arritur ta nxjerrë nga lumi. Policia ka arritur në vendin e ngjarjes, ka tentuar t’i jep ndihmën e parë, fatkeqësisht në këtë rast është konstatuar se ka humbur jetën. Rreth orës 17:10 kanë arritur të nxjerrin edhe fëmijën e dytë. Në vendin e ngjarjes kanë dalur të gjitha ekipet e nevojshme dhe ekipet emergjente të FSK-së, kanë bërë të pamundur që fëmijët t’i gjejnë dhe t’i shpëtojnë nga ky liqe, por dy fëmijë fatkeqësisht kanë humbur jetën. Njëri prej tyre ka arritur të shpëtojë. Bëhet fjalë për fëmijë të moshës nga 9 deri në 11 vjeçar. Informacionet e para tregojnë se kanë lidhje familjare apo miqësie mes veti por këto janë vetëm informacionet e para”, tha Kelani.