Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP Eugena Tomini, u shpreh se hapja përfundimtare e vendit mund të jetë në fund të muajit maj ose java e parë e muajit qershor.
Në një lidhje direkte, e pyetur nga moderator Blendi Fevziu se kur do të jetë një hapje përundimtare të vendit, Tomini shprehet se sipas gjasave apo parashikimeve të kryera deri në këto momente, fundi i Majit, java e parë e Qershorit, duke monitoruar tre kriteret: Numri i rasteve të reja, numri i shtrimeve dhe numri i personave në terapi do të krijojnë hallkat zinxhir të hapjes progresive drejt asaj përfundimtare.
Më tej, Tomini sqaroi se data 18 maj nuk do të shënojë hapjen përfundimtare të vendit, por do të merren vendime të rëndësishme për aktivitetet sportive dhe transportin urban.
“Data 18 nuk do të jetë përfundimtare, por përkon me 97% të hapjes së aktiviteteve në vijimësi. Do të kemi përsëri aktivitete sportive që do të vlerësohen, aktiviteti urban… Jemi në diskutim edhe për fashën orare, por pas datës 18 do të bëhet publike”, u shpreh Eugena Tomini, Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP.