Siç më pak pritej, COVID-19 krijoj një ndarje të botës, në atë që është duke marrë goditjen më të madhe dhe në tjetrën ku ky infeksion po përcillet pa shumë bujë.
Të dhënat në nivel global dëshmojnë se vendet më pak të zhvilluara kanë qenë më imune ndaj kësaj pandemie. Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, rendit disa arsye për këtë, si forcën e imunitetit, faktorin moshor, si edhe ndikimin e vaksinës së tuberkulozit, për të cilën kanë nisur edhe studimet.
Ndërsa e cilëson një paradoks shëndetësor atë që po ndodh sot në botë, doktori thotë se kjo mund të mund të shpjegohet mbi bazën e një imuniteti më të lartë në shtetet dhe krahinat më pak të zhvilluara, duke qenë se sistemi imunitar i popullatës në to është vazhdimisht në kontakt me viruse dhe baktere të ndryshme.
“Nuk ka asnjë diskutim po ashtu që mosha më e re ka vepruar si element mbrojtës në shumë shtete me popullatë në moshë të re. Hipoteza ka të shumta, duke përfshirë edhe regjimet e vaksinimit, por janë të gjitha ende nën studim dhe jemi në pritje të rezultateve që ende nuk janë në dispozicion, shton mjeku epidemiolog.
Doktor, pas rekordit të shënuar në 25 prill ku u konfirmuan 34 raste pozitive me COVID-19, shifrat e të infektuarve kanë shkuar sërish atje ku ishin dhe për gati një javë vijojnë të jenë lineare. Si e keni parë ju këtë luhatje të kurbës?
Është një ecuri pothuajse krejtësisht e sheshtë. Luhatjet në nivele ditore shpesh ndodhin si rrjedhojë e dukurive lokale, si për shembull vatra madhore e masonerisë, e cila është përgjegjëse për shumicën e rasteve të Krujës dhe të Kurbinit, si edhe e vatrës së burgjeve në Tiranë. Duhet vënë re me kujdes që këto, në fakt, nuk ishin raste komunitare, por rrjedhojë e ekspozimit në ambiente të njohura me risk të lartë për përhapjen e çdo lloj sëmundjeje infektive. Për të qenë sa më të saktë, ecurinë e infeksionit nga SARS-CoV-2 mund ta logjikojmë duke vërejtur ecurinë e të paktën 4-5 ditëve rresht pa u fokusuar në një ditë të veçantë. Faktikisht, kemi tashmë disa javë që qëndrojmë në nivele minimale rastesh të reja, pra mund të themi me plot gojën që Shqipëria paraqet një “kurbë të sheshtë”.
A ka rënë forca e infektimit?
Në epidemiologjinë e sëmundjeve infektive përdoret koeficienti R0, i cili është një term matematikor që tregon se sa ngjitëse është sëmundja. R0 njihet edhe si “numri i riprodhimit” dhe tregon sa persona infektohen mesatarisht nga një person i sëmurë. Në fillimin e epidemisë, ky koeficient në qytetet e Shqipërisë është përllogaritur të ketë qenë 3.9, ngjashmërisht si në shtetet e tjera europiane dhe SHBA. Nëse llogaritet në nivel popullate totale, pra duke marrë parasysh edhe zonat rurale me dendësi shumë të ulët popullate, atëherë ky koeficient bie deri në vlerën kombëtare 2.3-3.0 në fillimin e epidemisë, por rastet në fakt janë gjetur vazhdimisht pothuajse vetëm në zonat urbane. Aktualisht, koeficienti R0 në Shqipëri është pothuajse 1.0, që do të thotë se çdo ditë ne kemi pak a shumë të njëjtat raste në komunitet. Nga ky moment, masat e bllokimit të shtetit në Shqipëri kanë sjellë një reduktim me rreth 40% të koeficientit R0, ngjashmërisht me raportimet nga SHBA, ku deklarohet ulje e R0 me 30-40%. Kujdes mbi faktin që këto masa janë raportuar të kenë efekt ulës me 85% në Kinë, por kjo nuk u vërtetua në Europë dhe SHBA. Arsyeja bazë janë dinamikat dhe kulturat shumë të ndryshme të popullatës ndërmjet vendeve aziatike dhe vendeve europiane. Pra, në këtë aspekt, e njëjta masë ka efekte të ndryshme në popuj të ndryshëm. Por, efekti tjetër shumë i rëndësishëm dhe që vepron në mënyrë standarde, është rritja e temperaturës dhe e lagështisë. Që në fillim, studiuesit aziatikë raportuan se për çdo gradë celsius rritje të temperaturës, kishte një rënie prej 3.8% të koeficientit R0 dhe me çdo 1% rritje të lagështisë së ajrit, kishte një rënie prej 2.4% të koeficientit R0. Jo më larg se java e kaluar, studimi i zhvilluar nga Shtëpia e Bardhë në SHBA tregoi se virusi jeton më pak se një orë në temperaturë 35 gradë dhe lagështi 80%. Por, ka shumë rëndësi të theksojmë se, nëse ambienti është në diell, mjafton një temperaturë 24 gradë celsius për ta shkatërruar virusin brenda vetëm 2 minutave. Këto janë temperaturat aktuale në Shqipëri. Pra, qëndrimi në diell është mbrojtës.
Aktualisht jemi në situatën ku kanë rezultuar 782 persona të infektuar, nga të cilët vetëm 263 janë aktive dhe prej tyre 33 janë duke marrë mjekim të specializuar. I përgjigjet kjo situatë masave të rrepta që u ndërmorën, thënë ndryshe, a i justifikon ato?
Duhet pranuar se në fillim të epidemisë nuk diheshin shumë prej njohurive që kemi fituar sot. Pra, bazuar mbi shprehjen “Shpreso më të mirën, por përgatitu për më të keqen!”, masat që u morën, na dhanë kohë për të kuptuar dhe njohur më shumë mbi epideminë. Ndërkohë, pamë që numrat shqiptarë mbetën shumë të ulët dhe krejtësisht të krahasueshëm me shifrat e Kosovës, të cilët morën masa shumë më të lehta. Pra, me njohurinë e mëpasshme deduktojmë që mund ta kishim kaluar edhe me masa më të lehta, por nuk ka qenë vendim i lehtë për t’u marrë nën mungesën e dritës së fakteve që njohim tani. Si rrjedhojë, të gjitha këto fakte bashkë na bëjnë optimistë të kujdesshëm, duke na ndezur dritën jeshile drejt lirimit gradual të masave, duke marrë parasysh që terapia intensive sot ka vetëm 2-3% të kapacitetit të përdorur. Pra, kemi hapësirë mjaftueshëm për të bërë hapje me bindje drejt lirimit të masave, gjithmonë duke monitoruar në dinamikë ecurinë. Studiuesit e Universitetit Harvard rekomandojnë hapjen e masave, në rast se numri i rasteve të reja bie poshtë 5 për 10.000 banorë në javë, pra nën 1.400 raste të reja në javë në Shqipëri. Siç mund ta shihni shumë mirë, ne jemi shumë poshtë këtij treguesi dhe kemi evidenca shkencore mjaftueshëm për të mbështetur epidemiologjikisht lirimin e masave, përfshirë hapjen e shkollave dhe universiteteve, ngjashmërisht me shumicën e shteteve europiane, pavarësisht se më pas vendimet merren në nivel qeveritar dhe merren të gërshetuara edhe me elemente të tjera joshëndetësore, të cilat mund t’i shpjegojnë më mirë specialistë të fushave përkatëse. Por, megjithëse masat patjetër duhet të shkojnë drejt lirimit, nuk duhet të harrojmë se evidenca shkencore tregon si të efektshme vetëm masat për higjienën personale dhe mbajtjen e një distance të shëndetshme nga personat e tjerë dhe, si rrjedhojë, nuk duhet t’i lëmë pas dore edhe pasi masat të jenë liruar krejtësisht.
Doktor, nisur edhe nga debati që ekziston sot në botë për këtë virus dhe për përhapjen e tij, në gjykimin tuaj, pse disa vende janë më të goditura nga pandemia dhe disa të tjera më “imune”, përfshirë edhe vendin tonë? Pra, cilët janë faktorët e mundshëm që janë hedhur në tryezën e diskutimit nga ekspertët?
Mjekësia është shkencë pragmatike. Pra, në konceptin praktik, ky është momenti ku ne jemi krejtësisht të dedikuar drejt zgjidhjes apo lehtësimit të problemit. Në një moment të dytë, do të fokusohemi mbi elemente si u krijua dhe si u përhap fillimisht. Për sa u përket modeleve të ndryshme të përhapjes në shtete të ndryshme, ky virus tregoi një ndryshim thelbësor nga gripi sezonal. Ai prek më fort vendet, shtetet dhe krahinat më të zhvilluara, ndërkohë që gripi sezonal godet me forcë shumë herë më të lartë kryesisht Afrikën, Mesdheun Lindor dhe Azinë Juglindore. Ky model i përhapjes shpjegon edhe fokusimin kaq të lartë politik dhe mediatik, duke qenë se shtetet e prekura kryesisht nga COVID-19 janë njëkohësisht edhe ato që kontrollojnë politikën dhe informacionin në nivel botëror. Ky paradoks shëndetësor mund të shpjegohet mbi bazën e një imuniteti më të lartë në shtetet dhe krahinat më pak të zhvilluara, duke qenë se sistemi imunitar i popullatës në to është vazhdimisht në kontakt me viruse dhe baktere të ndryshme. Për këtë, mjafton të krahasojmë jetën në Shqipëri dhe kontaktet tona me kushtet shumë më sterile në qytetet e Italisë së Veriut. Madje, këtë krahasim mund ta shohim edhe më qartë, nëse vërejmë ndryshimet thelbësore ndërmjet Italisë Veriore dhe Italisë Jugore apo Gjermanisë Perëndimore dhe Gjermanisë Lindore. Hipoteza ka të shumta, duke përfshirë edhe regjimet e vaksinimit, por janë të gjitha ende nën studim dhe jemi në pritje të rezultateve, që ende nuk janë në dispozicion. Më pas, mos të harrojmë diferencat madhore të moshave ndërmjet shteteve të ndryshme. Të gjithë tashmë e vërejmë qartë që COVID-19 godet kryesisht moshat më të mëdha. Si rrjedhojë, sa më e re popullata, aq më i ulët problemi i shkaktuar nga COVID-19. Si shembull mund të përmendim që Italia e ka moshën mediane 46.5 vjeç, Shqipëria 34.3 vjeç, ndërsa Republika Demokratike e Kongos e ka 16.7 vjeç. Pra, nuk ka asnjë diskutim që mosha më e re ka vepruar si element mbrojtës në shumë shtete me popullatë në moshë të re.
Së fundmi, do të donim të dinim edhe mendimin tuaj mbi vaksinën BCG apo vaksinën e tuberkulozit, cilat janë hipotezat që po qarkullojnë dhe sa vërtetësi ka në to?
Siç u përmend edhe pak më lart, këto studime janë në ecuri e sipër dhe rezultatet do t’i presim në të ardhmen. Ka rëndësi të kuptojmë që studimet e deritanishme janë kryer duke krahasuar shtetet që e kanë vaksinimin të detyrueshëm, si Shqipëria, me shtetet që nuk e kanë këtë vaksinim, si Italia, dhe duke parë rastet me COVID-19 në këto shtete. Por, të kuptohemi qartë, Shqipëria dhe Italia nuk ndryshojnë vetëm nga kryerja e vaksinës së tuberkulozit. Gjithashtu, shtete të ndryshme kanë pasur lloje vaksinash të ndryshme, të cilat kanë ndryshuar edhe sipas viteve, si rrjedhojë nevojiten studime më të qarta për të kuptuar nëse kjo vaksinë ndihmon kundër COVID-19 dhe, nëse po, cila tipologji vaksine saktësisht ka efektin më të lartë. Ajo që dimë me siguri është se vaksina e tuberkulozit njihet të ketë efekte anësore të dëshirueshme, si rritja jospecifike e imunitetit. Për këtë arsye, për të qartësuar këtë çështje, në Holandë dhe në Australi kanë nisur studimet klinike duke injektuar vaksinën e tuberkulozit te personeli shëndetësor ku do të studiohet në muajt e ardhshëm si do të shfaqet infeksioni nga SARS-CoV-2. Jemi shumë të interesuar për të lexuar rezultatet e këtyre studimeve, por ato nuk janë ende në dispozicion./PANORAMA – Ada Hazizolli