Një biznesmen ka gjetur vdekjen, pasi bëri transplantin e flokëve. Viktima është Shrawan Kumar Choudhary nga India, një 43 vjeçar që shkoi në një klinikë në Mumbai. Arsyeja e vdekjes ka qenë reagimi alergjik.
43-vjeçari, i cili punonte si sipërmarrës, vdiq një ditë pasi kishte pësuar operacionin delikat që zgjati 12 orë për të mbjellë flokë të rinj.
Burri me sa duket nuk i kishte komunikuar familjes së tij për ndërhyrjen e shtrenjtë prej 6 mijë eurosh. Lajmi i vdekjes erdhi nga spitali. Policia po heton rastin dhe doktori që mori pjesë në operacion, tha se pacienti ishte shumë këmbëngulës: ai kërkoi që 9 mijë rrënjë të vendoseshin në një seancë, tre herë më shumë se numri i rekomanduar.
“Problemet e para ndodhën gjatë operacionit. Pas operacionit u vu nën kontroll dhe u monitorua, por gjatë natës filloi të vuante nga dhimbja e qafës. Pacienti u rëndua dhe vdiq”, tha mjeku.
Sipas ekipit mjekësor, vdekja ishte aksidentale, për shkak të një shoku të fortë anafilaktik. Megjithatë, autoritetet kanë nisur hetimet për të evidentuar shkakun e vdekjes.