Akademiku dhe politikani i njohur Anastas Angjeli është dekoruar me Medaljen e artë të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, një nderim i akorduar për kontributin e tij të gjatë në jetën politike, parlamentare dhe qeverisëse të vendit.
Medalja iu dha me motivacionin: “Për angazhimin dhe përkushtimin e çmuar përgjatë 35 viteve në një rrugëtim të përbashkët historik, nga fillimet e ndryshimit deri në Shqipërinë e sotme europiane. Gjithmonë me Partinë Socialiste”.
Pas marrjes së këtij vlerësimi, Angjeli u shpreh se mirënjohja nuk është vetëm personale, por i takon të gjithë atyre që kanë kontribuar ndër vite në rrugëtimin e Partisë Socialiste. Ai theksoi se këtë dekoratë e ndan me socialistët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, me qytetarët, bashkëpunëtorët, intelektualët dhe profesionistët që e kanë mbështetur gjatë gjithë karrierës së tij politike dhe publike.
“Ky vlerësim u takon dhe e ndaj me të gjithë socialistët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, me të gjithë qytetarët dhe bashkëpunëtorët socialistë, intelektualët dhe profesionistët, që në këto 35 vite më kanë mbështetur në sukseset dhe fitoret politike, në jetën parlamentare dhe në funksionet qeverisëse për transformimin, reformimin dhe zhvillimin ekonomik, financiar dhe social të vendit”, u shpreh Angjeli.
Ai e konsideroi këtë vlerësim si një moment të veçantë reflektimi për rrugëtimin 35-vjeçar të Partisë Socialiste dhe për sfidat e kapërcyera në procesin e transformimit të Shqipërisë.
Një emocion të veçantë, sipas Angjelit, i dha fakti që këtë medalje e mori së bashku me disa prej figurave historike dhe bashkëthemeluesve të Partisë Socialiste, si Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Ylli Bufi, Rexhep Meidani, Maqo Lakrori, Ethem Ruka, Valentina Leskaj, Musa Ulqini dhe Besnik Bare.
Vlerësimi i Anastas Angjelit vjen si një njohje e kontributit të tij të spikatur në jetën politike dhe ekonomike të vendit, ku për dekada me radhë ka mbajtur role të rëndësishme në Parlament, në qeveri dhe në botën akademike, duke qenë një nga zërat më të njohur të politikave ekonomike në Shqipëri.













