Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme disa vendime të rëndësishme për ekonominë.
Ndër to janë dy vendime, që Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi bëri me dije, që autorizojnë kompaninë shtetërore KAYO të lidhë marrëveshje për ndërtimin e mjeteve lundruese në vend si dhe ndërtimin e dronave. Sipas tij kjo i hap një etapë të re Shqipërisë në një industri që synon të gjenerojë të ardhura dhe punim.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi nga ana tjetër solli në vëmendje një vendim që ka në thelb një marrëveshje me Bankën Europiane të Investimeve për një kredi 50 milionë euro. Kjo kredi sëbahsku me një financim prej 50 milionë euro të qeverisë shqiptare do të shkojë për atë që njihet si Porta e Alpeve.
“Ky projekt konsiston në projekte infrastrukturore të natyrave të veçanta si rehabilitimi i shesheve urbane, rikonstruksionin e bulevardeve dhe qendrave multifuknionale. Komponenti i dytë ka të bëjë me investime infrastruktuore në akse që lidhin bregdetin e Shkodrës pra Velipojën, liqenin e Shkodrës, lumin e Bunës dhe pjesën e Malsisë së Madhe dhe Alpeve. Komponenti tjetër konsiton në investim e në rrjet kanalizimesh dhe furnizimin me ujë, transport urban dhe menaxhimin e ndotjes.
Për herë të parë krijojmë një korridor mes Alpeve dhe Adriatikut duke synuar të zgjasim sezonalitetin por dhe të përmirësojmë cilësinë e jetesës për banorët e këtij rajoni” tha Karakaçi.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo u ndal ndërkohë në atë që njihet si Programi Kombëtar i Parkimeve që sipas tij do të prekë zonat urbane dhe bashkitë që janë të prekura nga flukset turistike. “Do evidentojë kapacitetet që janë të disponueshme në territor për këtë funksion duke synuar të përmirësojë cilësinë e jetesës dhe lehtësojë aksesin për qytetarët dhe turistët” tha Demo.







