Tremujori i parë i vitit 2026 ka rezultuar më i rëndë për pushimet nga puna në sektorin e teknologjisë krahasuar me vitet e fundit, duke sinjalizuar një trend që po vazhdon dhe mund të thellohet.
Sipas një raportimi të Nikkei Asia, rreth 78,000 deri në 80,000 vende pune në teknologji janë shkurtuar globalisht vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit. Pjesa më e madhe e këtyre, afro tre të katërtat, kanë ndodhur në SHBA. Të dhënat tregojnë se si kompanitë e mëdha, ashtu edhe startup-et janë prekur nga vala e vazhdueshme e pushimeve nga puna.
Arsyet nuk janë gjithmonë të qarta. Sipas raportit, pothuajse gjysma e këtyre shkurtimeve lidhen me inteligjencën artificiale ose automatizimin. Megjithatë, kjo shifër mund të jetë më e ulët se realiteti, pasi shumë kompani zgjedhin të përmendin thjesht “ulje kostosh” si arsye zyrtare, duke mos e lidhur drejtpërdrejt me AI.
Të dhëna të ngjashme vijnë edhe nga platforma Layoffs.fyi, e cila vlerëson se 70,474 vende pune janë humbur në sektorin e teknologjisë gjatë tremujorit të parë të 2026. Kjo është një rritje e ndjeshme krahasuar me 29,845 në të njëjtën periudhë të vitit 2025 dhe 57,269 në vitin 2024, por ende më pak se kulmi i vitit 2023, kur u humbën mbi 167,000 vende pune në të njëjtin tremujor.
Rritja e fundit e shkurtimeve duket se lidhet me përdorimin në rritje të inteligjencës artificiale, e cila po zëvendëson ose redukton nevojën për disa role njerëzore. Sipas analizës së Nikkei Asia, këto shkurtimet mund të jenë edhe një mënyrë për kompanitë që të lirojnë burime financiare për të investuar në zhvillimin e teknologjive të tyre të AI, më shumë sesa rezultat i përfitimeve të provuara nga produktiviteti.
Nga ana tjetër, jo të gjithë bien dakord që AI është shkaku kryesor. Disa ekspertë, përfshirë Babak Hodjat, drejtues i inteligjencës artificiale në Cognizant, e shohin AI si një “justifikim” për ndryshime më të thella në kompani. Sipas tyre, shumë nga këto pushime lidhen me ristrukturime të brendshme dhe korrigjime pas periudhës së rritjes së tepruar gjatë pandemisë.
Pavarësisht arsyes reale, një gjë është e qartë: viti 2026 po shndërrohet në një tjetër vit sfidues për punonjësit e teknologjisë. Me studime që paralajmërojnë ndikime edhe më të mëdha në punët “white-collar” dhe ato të nivelit fillestar, trendi i shkurtimeve nuk duket se do të ndalet së shpejti.








