Qeveria ka miratuar aktin normativ për uljen e akcizës 20% te nafta dhe benzina. Ministri i Financave Petrit Malaj ka sqaruar se vendimmarrja do të zbatohet në rast se çmimi i shitjes me pakicë, i përcaktuar nga Bordi i Transparencës do të jetë: Mbi 220 lekë për litër për naftën dhe Mbi 200 lekë për litër për benzinën.
“Ashtu sikundër Kryeministri Edi Rama ka premtuar që në krye të herës, për të marrë masa konkrete dhe të prekshme për të amortizuar efektet e prodhuara si rezultat i konfliktit në Iran, qeveria shqiptare sot ka ndërmarrë Aktin Normativ për të ulur akcizën, si rrjedhojë e rritjes së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, sidomos në 48 orët e fundit.
Ky Akt Normativ parashikon uljen e akcizës me 20%, nëse rast se çmimi i shitjes me pakicë, i përcaktuar nga Bordi i Transparencës do të jetë:
Mbi 220 lekë për litër për naftën;
Mbi 200 lekë për litër për benzinën”.
Sipas ministrit të Financave Petrit Malaj, ky Akt Normativ do të jetë në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës të krijuar ndërkombëtarisht.
“Ne jemi të angazhuar plotësisht që t’i përgjigjemi me përgjegjshmëri çdo sfide, duke mbrojtur qytetarët shqiptarë nga efektet financiare të prodhuara si rezultat i këtij konflikti, por edhe të mbrojmë buxhetin e shtetit dhe ekonominë e vendit tonë, sidomos në një moment kritik si ky që po përballet bota sot”, ka deklaruar ministri Malaj.







