Fermerë nga e gjithë Shqipëria kanë protestuar sot përpara Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural pas heqjes së skemës së naftës. Ata kanë kërkuar ndihmë nga qeveria dhe një ndër kërkesat kryesore ishte rikthimi i skemës së naftës, që u hoq në Skemën Kombëtare të Subvencioneve, që u shpall javën e kaluar.
Kërkesë tjetër e tyre ishte dhe rritja e subvencionit për lopët, duke e rritur me 3 mijë lekë nga 12 mijë lekë që u vendos në skemën kombëtare, por pa tavan për krerë lopë.
Fermerët ngritën shqetësimin e prodhimit nën kosto të qumështit se masat që ka miratuar qeveria nuk ndihmojnë blegtorët.
Para ndryshimeve të Skemës Kombëtare, Shoqata e Blegtorëve Prodhues të Qumështit i ka kërkuar Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mbështetje 20 mijë lekë për lopë pa tavan. Pra pavarësisht totalit të krerëve që disponon, një fermer të përfitonte 20 mijë lekë pagesa për krerë. Mësohet se gjatë takimeve mes palëve u arrit dakortësia për vendosjen e një pagesë direkte prej 15 mijë lekë për lopë pa tavan. Por kjo nuk u reflektua në vendim.
Fermerët paralajmëruan përshkallëzim të protestave në rrethe dhe daljen e tyre me kafshë dhe traktorë para ministrisë, në rast se nuk merren parasysh kërkesat e tyre.








