Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me Ministrin e Financave, Petrit Malaj, pritën në një takim në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural një përfaqësi prej 15 fermerësh, pjesë e protestës së organizuar ditën e sotme, për të dëgjuar dhe diskutuar nga afër shqetësimet, sfidat konkrete në terren dhe çështjet që lidhen me sektorin.
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e sektorit të blegtorisë parashtruan një sërë çështjesh që lidhen me subvencionimin, funksionimin e tregut, konkurrencën dhe standardet e produkteve, ndërsa nga ana e institucioneve u riafirmua angazhimi për ndjekjen dhe trajtimin e tyre në mënyrë të koordinuar.
Në vijim, Ministri Salla bëri dije se përmes Skemës Kombëtare të këtij viti, e hartuar në bazë të nevojave të terrenit, blegtorët përfitojnë mbështetje të shtuar, duke përfshirë rritjen e pagesave direkte:
- Nga 10,000 në 12,000 lekë për lopët
- Nga 1,200 në 1,500 lekë për të imtat
- Nga 1,000 në 2,000 lekë për koshere bletësh.
- Përfshihet për herë të parë mbështetja për derrin dhepërgjysmohen pragjet e poshtme të përfitimit:
- 5 krerë lopë
- 50 krerë të imta
- 25 koshere.
Sa i përket mbështetjes financiare, Ministri Salla theksoi se në vitin 2025 vlera totale e përfituar nga pagesat direkte për blegtorinë arriti në rreth 2.5 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2026 parashikohet të rritet në rreth 4 miliardë lekë, pjesërisht përmes shtesave të fondit nga aktet normative gjatë vitit.
Gjithashtu, për herë të parë, fermerët prodhues të qumështit do të përfitojnë 10% të vlerës së faturave të shitjes, një mekanizëm mbështetës jashtë Skemës Kombëtare, që synon të nxisë formalizimin dhe të mbështesë prodhimin vendas.
Nga ana e tij, Ministri Salla siguroi se Ministria e Bujqësisë, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të vijojë të mbështesë blegtorinë, duke synuar nxitjen e bashkimit të blegtorëve dhe forcimin e interesave të tyre, për më shumë fitim dhe produkte më cilësore.
Në të njëjtën linjë, Ministri Salla tha se do të intensifikohen kontrollet mbi produktet e importit në pikat e inspektimit kufitar, me fokus në garantimin e standardeve të cilësisë, korrektësinë e etiketimit dhe verifikimin e origjinës së produkteve.
Po ashtu, gjatë muajit korrik do të nisë mbështetja për forcimin e kapaciteteve laboratorike, si në nivel rajonal, ashtu edhe në pikat e inspektimit kufitar, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit.







