Nga Aurora Sulce
Qeveria ka ndryshua1`qr skemën kombëtare të subvencioneve në bujqësi. Nuk do të ketë më naftë falas për fermerët. Por për herë të parë, bujqit shqiptarë do të marrin para për sipërfaqe toke të mbjellë, më saktësisht 100 euro për çdo hektar të mbjellë.
Ministri i Bujqësisë ka prezantuar skemën kombëtare, Për herë të parë në masat mbështetëse janë përfshirë derrat. Mbarështimi i tyre do të subvencionohet me 7 mijë lekë. Ndërkohë janë rritur lehtë masat mbështetëse për mbarështimin e lopëve, të imtave, financimi i bletarisë, bimëve medicinale dhe fermave organike. Paralelisht janë përgjysmuar kushtet për të përfituar.

Veç skemës në bujqësi dhe blegtori, ndryshime do të ketë edhe te ajo e investimeve. Për fermerët e rinj do të jepen deri në 10 mijë euro grant, për stanet në blegtori 3 milion lekë, ndërsa për makineritë bujqësore 500 mijë lekë.

Por sa para po jepen për fermerët?
Skema këtë vit arrin në 5.2 miliardë lekë. Po kaq ka qenë shuma edhe vitet e mëparshme. Por vlen të theksohet se më pak para janë planifikuar në fillim dhe ato janë stuar gjatë vitit. Duke shpresuar që edhe këtë vit të ndodhë e njëjta gjë dhe fermerët të përfitojnë më shumë. Kjo vecanërisht kur mungojnë fondet e Bashkimit Europian, pasi programi IPARD mbetet i bllokuar, në pritje që të nisë dhe financimet janë shumë të domosdoshme. Kjo edhe me rrezikun e krizës së cmimeve që kërcënohet nga lufta në Lindjen e Mesme.

Buqjësia është një ndër sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare, por që është futur në një cikël të fortë rënës. Në 5 vitet e fundit, ndikimi i bujqësisë në ekonomi ka qenë negativ, duke regjistruar vitin e kaluar -1.38 % rënie. Një rënie që vijon që prej vitit 2021.

Fermerët përballen sot me probleme të shumta, një pjesë të trashëguara në vite e një pjesë të krijuara rishtazi, si pasojë edhe e konflikteve ndërkombëtare. Problemet kryesore të bujqësisë vlerësohen: mungesa e financimeve; shtrenjtimi i imputeve bujqësore; mungesa e fuqisë punëtore; informaliteti i lartë dhe fragmentarizimi i tokës.

Një situatë e tillë e bujqësisë e bën vendin tonë dhe konsumatorët shqiptarë shumë të ekspozuar nga rritja e cmimeve në botë.







