Ministri i Financave, Petrit Malaj, zhvilloi një takim me përfaqësues të subjektevve që operojnë në sektorit e ndërtimit në Shëngjin, Lezhë, i shoqëruar dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, z. Ilir Binaj.
Gjatë këtij takimi u diskutua mbi çështje dhe problematika që lidhen me zhvillimin e sektorit të ndërtimit në këtë rajon, si dhe mbi ecurinë e zbatimit nga ana e Administratës Tatimore të planit operacional për këtë sektor, fokusi i të cilit është formalizimi i sektorit, rritja e deklarimit të pagave reale dhe përmbushja e të gjitha detyrimeve ligjore.
Ministri Malaj theksoi se ndërtimi përbën një nga sektorët më të rëndësishëm ekonomikë të vendit, duke përfshirë dhe aktivitetet e ndërlidhura me të, dhe si i tillë duhet të mbështetet mbi një bazë të fortë formalizimi dhe përmbushje të detyrimeve tatimore, e jo vetëm.
Në këtë kuadër, Ministri tha se mjaft e rëndësishme është dhe deklarimi i pagave reale, si por një element kyç për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rritjen e të ardhurave në buxhet dhe garantimin e pensioneve dhe sigurisë sociale për punonjësit.
Referuar të dhënave, rajoni i Lezhës ka pasur një reflektim pozitiv sa i takon pagave në fashën 100.001 – 120.000 lekë, me rritje 134%, çka konfirmon se pagat reale në këtë sektor janë më larta nga sa deklaroheshin. Edhe në rang vendi, janë vërejtur ndryshime në deklarime, ku është ulur nëndeklarimi i pagave minimale dhe ka pasur një zhvendosje reale të punonjësve drejt fashave më të larta të pagave, veçanërisht në intervalin 70,001 – 100,000 lekë,
Ky proces ka sjellë edhe rritje të të ardhurave nga kontributet dhe tatimi mbi të ardhurat nga punësimi, si rezultat i rritjes së korrektësisë dhe jo i rritjes së taksave.
Synimi i qeverisë, tha z. Malaj, nuk është rritja e barrës fiskale për biznesin, por mbështetja dhe lehtësimi i tij, e në këtë kuptim barra ekzistuese duhet të shpërndahet në mënyrën drejtë, në mënyrë që ata që janë korrektë të mos penalizohen nga ata që nuk janë.
Ministri theksoi se rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore dhe biznesit, me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e formalizimit dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit.









