Janë 8.472 individë dhe biznese që kanë realizuar shitje të akomodimeve përmes platformës Airbnb në Shqipëri. Shifra është bërë e ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe I referohet vitit 2024. Sipas të dhënave, vlera totale e rezervimeve arriti në 3,8 miliardë lekë, ose rreth 40 milionë euro, ndërsa komisionet e platformës kapën vlerën 167,5 milionë lekë.
Duke rikujtuar edhe një herë se disponon të dhëna mbi rezervimet dhe të ardhurat e realizuara përmes platformës Airbnb, Administrata Tatimore fton individët dhe subjektet që kanë siguruar të ardhura nga dhënia e akomodimit përmes kësaj platforme t’i deklarojnë ato në Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale – DIVA 2025, në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi, për të shmangur kontrollet dhe penalitetet e mundshme.
Afati i fundit për deklarimin e DIVA është 31 marsi 2026.
Vetëm pak ditë më parë, Administrata Tatimore njoftoi se hotelet dhe qytetarët shqiptarë që përdorin platformën “Booking” kanë përfituar 80.1 milionë euro të ardhura gjatë periudhës janar-shtator 2025.
Sipas të dhënave, në platformën “Booking” rezulton se janë 17.225 biznese dhe individë që kanë realizuar shitje të akomodimeve përmes kësaj platforme. Vetëm komisione të paguara platformës nga qytetarët dhe bizneset janë rreth 12.8 milionë euro.
Për këtë arsye, administrata tatimore u bën thirrje individëve që kanë siguruar të ardhura nga dhënia e akomodimit përmes kësaj platforme t’i deklarojnë ato në Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale – DIVA 2025 deri më 31 mars. Mosdeklarimi i të ardhurave përbën shkelje të legjislacionit tatimor dhe sjell penalitete sipas parashikimeve ligjore.








