Rritja e cmimit të naftës, si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme pritet të shkakrojë një krizë cmimesh në vend, nëse lufta vazhdon. Qendra studimore e taksave, Altax ka kryer një studim lidhur me efektet e shtrenjtimit të arit të zi në ekonominë shqiptare.
Sipas Altax, cmimet e karburanteve në Shqipëri, të lidhura me luhatjet në bursat ndërkombëtare, reflektohen shumë shpejt në tregun vendas për shkak të varësisë totale nga importi dhe një strukture tregu oligopolike që vepron në një ambient me kontroll të dobët të konkurrencës.
“Rritja e çmimit të naftës me 10% në tregjet ndërkombëtare mund të çojë në një rritje të inflacionit prej 0.3-0.5 pikë përqindje në periudhë afatshkurtër, duke ndikuar fuqinë blerëse të familjeve dhe rritur koston e jetesës. Kjo është veçanërisht e ndjeshme gjatë sezonit turistik, ku kërkesa për transport, furnizime dhe shërbime energjitike rritet ndjeshëm, duke i përkeqësuar efektet inflacioniste në sektorët e lidhur me konsumatorin final”, thekson studimi.
Transporti dhe ndërtimi janë sektorët që pritet të preken më shumë.
Sipas analizës, sektori i transportit, i cili është dominuar nga automjetet me naftë dhe përbën një nga përdoruesit kryesorë të karburanteve, përballet me rritje të menjëhershme të kostove operative. Kjo ndikon zinxhirin e furnizimit dhe shpërndarjes për çdo sektor, nga bujqësia dhe ndërtimi, tek shërbimet dhe tregtia.
“Në ndërtim, rritja e çmimit të karburanteve ndikon në koston e lëndëve të para dhe të transportit të tyre (çimento, hekuri, agregate), duke rritur kostot për metër katror ndërtimi dhe duke ulur potencialin investues në projekte të reja, veçanërisht në sektorin privat”, vlerëson Altax.
Në aspektin buxhetor, rritja e çmimeve të karburanteve shoqërohet në mënyrë mekanike me rritje të të ardhurave nga TVSH-ja dhe akcizat, duke prodhuar një efekt të përkohshëm pozitiv në të ardhurat publike. Por kjo mbulohet pjesërisht nga kërkesa publike për ndërhyrje mbrojtëse, siç është rasti i subvencionimit të çmimeve për sektorët më të ndjeshëm (transport publik, bujqësi, turizëm).
Altax vlerëson se nëse qeveria reagon me masa mbështetëse fiskale pa një plan të qartë për financimin e tyre, krijohet një presion shtesë mbi deficitin buxhetor, duke reduktuar hapësirat për investime publike në infrastrukturë dhe tranzicion energjetik.
Studimi thekson faktin se rritja e çmimeve të karburanteve reflektohet me shpejtësi në çmimet e transportit publik, shërbimeve dhe mallrave bazë, duke prekur shtresat më të prekshme të shoqërisë. Në mungesë të mbështetjes sociale të mirë-targetuar, rritet pabarazia dhe varfëria, veçanërisht në zonat periferike dhe ato rurale që varen nga transporti për aksesin në shërbime bazë.
“Në kontekstin aktual të një shoqërie të ndjeshme ndaj zhvillimeve politike dhe ekonomike, krizat e çmimeve të energjisë mund të kthehen në burim pasigurie sociale dhe politike, duke rritur kërkesat për transparencë, ndërhyrje publike dhe reformë strukturore të tregut të energjisë. Ndikimet makroekonomike të rritjeve të çmimeve të naftës në Shqipëri janë të menjëhershme, të ndjeshme dhe përshkallëzohen për shkak të brishtësisë strukturore të ekonomisë”, theksohet në studim.
Altax abnalizon se në mungesë të reformave për diversifikimin energjetik, forcimin e zinxhirëve të furnizimit dhe krijimin e kapaciteteve amortizuese, çdo krizë globale, si ajo që mund të vijë nga mbyllja e ngushticës së Hormuzit shndërrohet në një krizë të brendshme me efekte të shumëfishta, duke vendosur në provë qëndrueshmërinë ekonomike dhe sociale të vendit.








