2025-ta ishte një tjetër vit i mbarë për investimet e huaja. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ato shënuan vlerën e 1.64 miliardë eurove, në rritje me 3.5% krahasuar me një vit më parë.
Edhe për vitin e kaluar pjesa më e madhe e investimeve të huaja direkte konsistoi në fitime të riinvestuara të investitorëve ekzistues, por megjithatë kontributin kryesor në rritjen vjetore e dhanë investimet e reja.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin 2025 investimet e reja arritën në 798 milionë euro, në rritje me 13.5% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa fitimi i riinvestuar kishte vlerën e 837 milionë eurove, në rënie me 1.9% krahasuar me vitin 2024. Fitimet e riinvestuara kishin sidoqoftë peshën më të madhe në strukturën e investimeve të huaja direkte edhe vitin e kaluar, me më shumë se 51% të vlerës vjetore të investimeve të huaja.
Për të gjithë vitin 2025, pasuritë e paluajtshme sollën më shumë se një të tretën e investimeve të huaja direkte. Kërkesa nga jorezidentët vlerësohet se ka mbështetur në një masë të madhe rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme, veçanërisht në zonat bregdetare.







