Ekonomia nuk po ngjall besim. Për të dytin muaji rradhazi, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike, që publikohet në mënyrë periodike nga Banka e Shqipërisë shënoi një tjetër rënie në muajin shkurt prej 2.5 pikësh kundrejt janarit.
Kjo ecuri negative u ndikua nga rënia e besimit në sektorët e ndërtimit, shërbimeve dhe tregtisë. Ndërkohë, besimi në biznesin e industrisë regjistroi rritje. Nga ana tjetër, treguesi i besimit të konsumatorit mbeti pothuajse i pandryshuar.

Treguesi i besimit të industrisë (TBI) u rrit me 1.5 pikë përqindje në muajin shkurt, i ndikuar nga vlerësimet më optimiste për kontratat porositëse, si në total dhe për ato të eksportit. Niveli i TBI-së qëndron rreth 10 pikë përqindje mbi mesataren e vet historike. Pritjet e bizneseve të këtij sektori për prodhimin, punësimin në të ardhmen janë gjithashtu në rritje krahasuar me ato të një muaji më pare.
Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) ra me 6.5 pikë përqindje në muajin shkurt. Ky tregues qëndron rreth 12 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Në rënien e TBN-së ndikuan të dy komponentët: vlerësimi i bizneseve për aktivitetin ndërtues dhe porositë aktuale. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë në rritje.
Treguesi i besimit në shërbime (TBSH) u tkurr me 1.9 pikë përqindje. Megjithatë, niveli i TBSH-së qëndron rreth 12 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Të dy komponentët përbërës të treguesit, ecuria aktuale e aktivitetit si dhe niveli i kërkesës, kanë regjistruar rënie. Pritjet e bizneseve për çmimet në të ardhmen janë gjithashtu në rënie.
Treguesi i besimit në tregti (TBT) u tkurr me rreth 3.6 pikë përqindje në muajin shkurt, i ndikuar kryesisht nga vlerësime jo optimiste për punësimin në të ardhmen. Edhe ecuria e biznesit dha kontribut rënës në TBT, por në masë më të ulët. Ndonëse në rënie, niveli i TBT-së qëndron rreth 10 pikë përqindje mbi mesataren historike. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë vlerësuar në rritje.
Treguesi i besimit konsumator (TBK) nuk regjistroi ndryshim të rëndësishëm krahasuar me nivelin e janarit, duke qëndruar rreth 1.1 pikë përqindje mbi mesataren historike. Sa i përket komponentëve përbërës, konsumatorët ulën disi pritjet për gjendjen e tyre personale financiare, si dhe rritën ato për situatën ekonomike në të ardhmen. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve dhe për punësimin në të ardhmen janë rishikuar në rënie.









