Ekonomia shqiptare shënoi vitin e kaluar një rritje ekonomike prej 3.79%, një normë rritje më e lartë edhe se parashikimet e qeverisë. Të dhënat janë publikuar nga Instituti i Statistikave. “Me vlerësimin e tremujorit të katërt, INSTAT jep një vlerësim paraprak të PBB-së për vitin 2025, i cili mbështetur në vlerësimet tremujore, shënoi një rritje prej 3.79 %, krahasuar me vitin 2024”, theksohet në raport.
Ecuria e aktiviteteve kryesore të ekonomisë, për tremujorin e katërt të vitit 2025, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2024, paraqitet si më poshtë: “Administratra Publike, Arsimi dhe Shëndetësisia” shënoi rritje prej 8,30 %, i ndjekur nga aktiviteti i “Ndërtimit” shënoi një rritje prej 7.36 %, aktiviteti “Pasuri të Paluajtshme” me një rritje prej 6.25 %, grupi “Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit” shënoi një rritje prej 2.82%, grupi “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” shënoi një rritje prej 1.14 %, grupi i aktiviteteve “Arte, argëtim dhe çlodhje dhe aktivitete të tjera shërbimi” shënoi rritje prej 0.81 % dhe grupi “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” shënoi rritje me 0.11 %.
Grupi i aktiviteteve: “Informacioni dhe Komunikacioni” shënoi rënie prej 3.55 %, grupi “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” shënoi rënie me 2.19 % dhe grupi “Industri, Energji dhe Ujë” shënuan rënie prej 1.59 %. Taksat Neto mbi produktet u rritën me 12,02 %.









