Qeveria po sheh mundësinë sesi të asgjesojë rreth 2,800 ton mbetjeve të rrezikshme të kompanisë “Kurum” që u kthyen nga Tajlanda dhe që mbahen ende në kontejnerë në Porto Romano. Kjo gati mbi një vit pas sekuestrimit të tyre. Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj deklaroi gjatë një konference për shtyp se mund të ndiqen dy rrugë.
Sipas ministrit Jaupaj nga ministria e Mjedisit dhe Agjencinë e Sekuestrimit po vlerësohet nëse do të ketë eksport të mbetjeve për t’u asgjësuar jashtë vendit ose të asgjësohen brenda vendit, një proces vendimmarrja e të cilit pritet të jetë transparent.
“Në rast se ekspertët e agjencive vlerësojnë që ato mund të asgjësohen në territorin e Shqipërisë, Ministria dhe subjektet private janë të gatshme të japin kontributin për procesin e asgjësimit.
Procesi do të jetë transparent, dhe aktualisht jemi në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë e pasurive të konfiskuara, tha ndër të tjera Jaupaj.
Deklarata e ministrit të Mjedisit, Sofjan Jaupaj u bë gjatë konferencës për shtyp për Reforma e menaxhimit të integruar të mbetjeve.
Ministri Jaupaj tha se reforma ka hyrë tashmë në një fazë të re, atë të investimeve konkrete, me fokus nxitjen e ekonomisë qarkulluese, ndërsa puna për përmbushjen e direktivave voluminoze europiane të Kapitullit 27, dedikuar mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, vijon e pandërprerë ditë pas dite, si një mision në shërbim të qytetarëve tanë dhe të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ministri Jaupaj tha gjithashtu se ndër vite parashikohen 9.8 miliardë euro për mjedisin dhe përmbushjen e standardeve të BE-së.
“Për të gjitha aspektet e investimeve që biznesi dhe shteti duhet të realizojnë në vitet në vijim, vlera e nevojshme arrin në rreth 9.8 miliardë euro. Një shifër e tillë është e lartë, por përfshin çështje mjedisore, nga ujërat e ndotura, emisionet industriale të prodhuesve më të mëdhenj, deri te direktivat për restaurimin e natyrës.
Bazuar në këto direktiva, është përcaktuar një vlerë që do të duhet të angazhojë shtetin shqiptar dhe subjektet private.
Këto investime janë pjesë e një periudhe afatgjatë, duke pasur parasysh që edhe disa vende anëtare të BE-së nuk janë ende plotësisht të harmonizuara me standardet e BE-së. Periudha tranzitore, që do të zgjasë disa vite, duhet të kombinohet me të gjitha angazhimet financiare për plotësimin e këtyre standardeve”.







