Çmimi i Bitcoin ra në nivelin më të ulët të 16 muajve të fundit, pavarësisht mbështetjes personale dhe publike të presidentit amerikan Donald Trump për kriptomonedhat.
Një Bitcoin zbriti deri në 60,000 dollarë (rreth 44,000 paund), niveli më i ulët që nga shtatori i vitit 2024, përpara se të rikuperohej lehtë. Kjo rënie vjen pas një periudhe rritjeje të fortë të çmimeve, ku Bitcoin arriti një rekord historik prej 122,200 dollarësh në tetor 2025.
Investitorët ishin nxitur nga përfshirja direkte e Trump në sektor, mbështetja e tij e hapur për kriptomonedhat dhe premtimet për lehtësim të legjislacionit për industrinë. Me rënien e fundit, çmimi i Bitcoin ka rënë rreth 32% gjatë 12 muajve të fundit dhe po i afrohet niveleve të viteve 2024 dhe 2021. Bitcoin është kriptomonedha më e madhe dhe më e njohur në botë, një formë parash digjitale që nuk kontrollohet nga asnjë institucion financiar i centralizuar.
Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në Mbretërinë e Bashkuar (FCA), rreth 8% e të rriturve britanikë investonin në kriptomonedha në vitin 2025, një rënie prej 4% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, shuma mesatare e parave të investuara është rritur, me një në pesë persona që mban nga 1,000 deri në 5,000 paund në kripto.
Një nga veprimet e para të Trump pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025 ishte nënshkrimi i një urdhri ekzekutiv për ta kthyer SHBA-në në “kryeqytetin global të kriptomonedhave”.
Gjatë vitit të parë në pushtet, Trump lançoi edhe një kriptomonedhë me markën e tij personale, ku pjesa më e madhe e fitimeve shkonin drejt kompanive të tij. Ai vazhdoi gjithashtu përfshirjen në World Liberty Financial, një platformë investimi në kripto e kontrolluar nga familja Trump.
Administrata Trump ka miratuar ligje për mbështetje federale të kriptomonedhave, ka shpërbërë një ekip të Departamentit të Drejtësisë që merrej me zbatimin e rregullave për kripto, ndërsa Komisioni i Letrave me Vlerë (SEC) ka ndalur hetime dhe procese ndaj kompanive të kriptos.
Demokratët në Komitetin e Drejtësisë në Senatin amerikan e kritikuan agjendën pro-kripto të Trump, duke theksuar se presidenti ka grumbulluar asete kripto me vlerë mbi 11 miliardë dollarë dhe ka përfituar personalisht rreth 800 milionë dollarë nga transaksionet në kripto që nga marrja e detyrës.
Pse ka rënë Bitcoin?
Çmimet e Bitcoin janë të paqëndrueshme, por sipas analistëve të Deutsche Bank, rënia e fundit u nxit nga emërimi i Kevin Warsh si kryetar i ri i Rezervës Federale. Disa besojnë se ai do të ndjekë një qasje më “hawkish”, duke mbajtur normat e interesit më të larta, gjë që zakonisht ndikon negativisht në asete si kriptomonedhat.
Sipas Deutsche Bank, Bitcoin ka qenë në rënie të vazhdueshme prej katër muajsh dhe po rritet ndjeshëm pesimizmi ndaj kriptomonedhave.
“Kjo shitje e vazhdueshme tregon se investitorët tradicionalë po humbasin interesin dhe se pesimizmi ndaj kriptos po rritet,” thuhet në analizë.
Banka nuk pret që kriptomonedhat të zhduken, por as që Bitcoin të kthehet shpejt në nivelet rekord të periudhës së mbështetjes së fortë nga Trump. Sipas saj, Bitcoin po kalon nga një aset thjesht spekulativ në një fazë ku duhet të gjejë rolin e tij real në treg.
William Barhydt, CEO i Abra Capital Management, mendon se kriptomonedhat po hyjnë në një fazë më të pjekur, por pret që çmimet të rikuperohen.
“Nuk do të thoja që duhet patjetër të rikuperohet, por nuk shoh si mund të mos ndodhë,” u shpreh ai, duke kujtuar se Bitcoin ka kaluar edhe më parë luhatje të forta.
“Të vetmet skenarë ku kjo nuk ndodh është nëse përfshihemi në ndonjë luftë globale,” shtoi Barhydt.
Kriptomonedha të tjera të njohura si Ethereum dhe Solana kanë rënë rreth 37% gjatë vitit 2026.
Sipas CoinGecko, tregu i kriptomonedhave ka humbur mbi 1 trilion dollarë vetëm gjatë muajit të fundit dhe rreth 2 trilionë dollarë që nga kulmi i arritur në tetor.
Firma amerikane e investimeve Stifel parashikon se Bitcoin mund të bjerë deri në 38,000 dollarë, duke vënë në dukje se kriptomonedhat po ndjekin gjithnjë e më shumë lëvizjet e dollarit amerikan.
Javën e kaluar, dollari amerikan ra në nivelin më të ulët të katër viteve të fundit./ bbc, businessmag







