Shqipëria synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030, por duke kërkuar që disa prej kushteve të anëtarësimit, si për shembull plotësimi i kriterit të sigurisë ushqimore, të plotësohen pas anëtarësimit.
Vendi ka hyrë në fazën më intensive të zhvillimit të negociatave, ndërsa synon që brenda dy vitesh të përmbushë të gjitha kushtet për mbylljen e negociatave.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar Socialist për hapjen e vitit të ri kuvendor, Kryeministri Edi Rama ka listuar sfidat për t’u bërë pjesë e tregut evropian prej 450 milionë konsumatorësh. Rama u shpreh se qeveria po negocion me BE për zgjatjen e afateve kohore të realizimit të kushteve, pasi nevojitet më tepër kohë për arritjen e standardeve të Bashkimit Evropian.
“Në momentin që flasim po negociojmë periudhat e ndërmjetme pas momentit të anëtarësimit. Kroacia ka pasur një fazë të ndërmjetme për plotësimin e kritereve mjedisore. Beteja kryesore është për sektorin e prodhimit ushqimor. Mometalisht jemi të paintegrueshëm ne BE për sigurinë ushqimore dhe duam të sigurojmë një fazë të ndërmjetme prej 5 vitesh pas anëtarësimit për ta plotësuar këtë kriter. Në momentin e anëtarësimit dhe pas periudhës së ndërmjetme, asnjë ushqim nuk do të mund të shitet përveçse në Shqipëri dhe më pas edhe në Shqipëri do të importohet. Të mos shkojmë në ekstremin kur gjithçka që hahet, importohet. 10 vjet duke negociuar me BE shkojnë shpejt”, tha Rama.
Ndërkohë, Kryeministri rislloi edhe një herë në vëmendje nevojën për modernizimin e godinës së Kuvendit të Shqipërisë.
“Kemi kohë që themi se administrata e Kuvendit duhet të modernizohet dhe të përjetojë një transformim teknologjik. Duhet të vendosim edhe piketat për një kalendar të qartë për godinën e re të Kuvendit të Shqipërisë. Duhet të fillojmë punën në territor. Ribraktisja e territorit si në të kaluarën nuk duhet të jetë një opsion për këtë grup parlamentar”, theksoi Kryeministri.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar Socialist u diskutuan sfidat që ka hasur grupi në sesionin e parë të legjislaturës dhe u vendosën piketat e përbashkëta për punën këtë vit.








