Fushata e rivlerësimit të pronave është gati që të nisë. Pas dekretimit nga presidenti Barjam Begaj, projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” është botuar në Fletoren Zyrtare. Tatimi që do të paguhet në rast të shit-blerjes së pronave do të jetë në masën 5 për qind, nga 3 për qind që grupet e interesit kërkuan.
“Jemi bazuar mbi fushatën e fundit e cila ka funksionuar më së miri, pra 3 përqindshi i aplikuar në periudhën 2020-2022 ka funksionuar më së miri. I ka dhënë gjallëri tregut dhe ka sjellë ofertë për blerësin e parë dhe ka sjellë para për buxhetin e shtetit”, shprehet Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA.
Madje, mbi 100 zyra të shitjes së pasurive të patundshme që përfaqësohen në shoqatën “NAREA” i kërkojnë qeverisë që tatimi i shitblerjeve të pronave përtej fushatave mos jetë 15 për qind, por më e ulët.
“Tatimi i të ardhurave nga shitja e pasurive të paluajtshme, “tatimi mbi fitimin kapital të realizuar” në masën 15% është provuar tashmë se ka disa efekte negative të drejtpërdrejta, në sektorin e Veprimtarive me Pasuritë e Paluajtshme. Në këtë kontekst, si NAREA ne ndajmë qëndrimin se një barrë fiskale kaq e lartë, prej 15%: Ngadalëson transaksionet, ndikon negativisht në të ardhurat buxhetore, nxit informalitetin, duke prodhuar mënyra më të sofistikuara për të shmangur barrën”, tha Pipiria.
Fushata e rivlerësimit nuk do të ulë çmimet e apartamenteve vlerësojnë aktorë nga tregu i pasurive të paluajtshme.
“Qëllimi është të përmirësohet transparenca në treg, të rritet aktiviteti, të stimulohet oferta për blerësit e parë dhe të sigurohen të ardhura më të qëndrueshme për buxhetin e shtetit, pa ngadalësuar transaksionet apo krijuar informalitet”, theksoi Pipiria.
Në 13 vitet e fundit janë bërë 5 rivlerësime pronash dhe të gjitha kanë ndodhur përpara zgjedhjeve vendore ose të përgjithshme parlamentare, me tarifa që kanë variuar nga 1 për qind në vitin 2011 në 3 për qind dy rivlerësimet e fundit.








