• Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
Nuk ka rezultat
View All Result
  • Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
Nuk ka rezultat
View All Result
Nuk ka rezultat
View All Result
  • Logo LIGJET E BIZNESIT


Fillimi Analizë

Marrëveshja e tregtisë së lirë BE-MERCOSUR

nga Fast News
1 hour më parë
në Analizë
0
Lufta tregtare SHBA-Kinë në garën presidenciale amerikane

Anastas Angjeli

152
SHPERNDAJ
1.9k
Klikime
Share on FacebookShare on Twitter

AKADEMIK PROF. ANASTAS ANGJELI

Ndryshimet gjeopolitike globale të ndodhura në tri-katër vitet e fundit veçanërisht me ardhjen në krye të administratës amerikane të Presidentit Trump, në mandatin e dytë të tij, nuk mund të mos sillnin dhe ndryshimet gjeoekonomike, riformatizim të grupimeve globale ekonomike, veçanërisht filozofia e zbatuar nga Presidenti Trump “Amerika e Para”, politika e re e tarifave e zbatuar në funksion të saj dhe idetë e kësaj filozofie për të reformuar shumë institucione ndërkombëtare, që duket se kanë rënë në “letargji”, kanë shërbyer si forca shtytëse për ndryshime të shpejta, të mëdha dhe të rëndësishme, ekonomike e tregtare ndërkombëtare.

Prandaj edhe marrëveshja BE–MERCOSUR nuk vjen në një terren të zbrazët ekonomik, politik dhe social. Përkundrazi, ajo është pjesë e një vale më të gjerë marrëveshjesh të tregtisë së lirë, që kanë shënuar dekadat e fundit dhe që kanë ndryshuar thellësisht mënyrën se si funksionon ekonomia globale, për më tepër në kushtet e zhvillimeve aktuale.

Në këtë kontekst, çdo marrëveshje e re e tregtisë së lirë vlerësohet jo vetëm për përfitimet e saj të mundshme ekonomike, por edhe për ndikimin social, mjedisor dhe politik. Pyetjet që shtrohen sot janë më të komplikuara se njëzet vjet më parë: Kush fiton? Kush humbet? A janë standardet e mbrojtura? A forcohet apo dobësohet sovraniteti ekonomik? Dhe, mbi të gjitha, a është tregtia e lirë ende një projekt politik i pranueshëm për shoqëritë demokratike?

Pikërisht në këtë klimë dhe përvojë të përzier duhet lexuar edhe marrëveshja BE-MERCOSUR. Sepse në thelb nuk kemi të bëjmë vetëm me një tjetër pakt tregtar, por me një test të ri për atë që mund të quhet brezi i dytë i marrëveshjeve të tregtisë së lirë, marrëveshje që nuk rregullojnë vetëm tarifat, por shërbimet, investimet, standardet, mjedisin dhe vetë raportin midis ekonomisë dhe politikës. Në këtë kontekst shihet edhe marrëveshja BE– MERCOSUR. Ajo duhet lexuar edhe si përgjigje indirekte ndaj një epoke të re, ku tregtia nuk është vetëm ekonomi, ku tarifat përdoren edhe si presion diplomatik dhe ku siguria ekonomike ka zëvendësuar optimizmin e globalizimit. Marrëveshja BE–MERCOSUR vendoset pikërisht në këtë dinamikë. Ajo është një përpjekje për të mbajtur gjallë idenë se tregtia mund të rregullohet, institucionalizohet dhe përdoret për të ndërtuar marrëdhënie afatgjata, edhe në një botë ku me sa duket, kjo nuk është më e garantuar. Evropa dhe Amerika e Jugut mbyllën kështu një nga marrëveshjet ndërrajonale më të mëdha të provuara ndonjëherë. Megjithatë, rëndësia e marrëveshjes BE–MERCOSUR nuk mund të matet vetëm me statistika tregtare. Në thelb, ajo është një dokument politik: pasqyron zhvendosje në raportet e pushtetit, modele konkurruese zhvillimi dhe bashkëjetesën e vështirë midis globalizimit ekonomik dhe rivalitetit gjeopolitik e gjeoekonomik. E parë më thellë, kjo marrëveshje përfaqëson një mënyrë për të kuptuar se si po riformësohen marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare në një epokë të shënuar nga konkurrenca strategjike, kufizimet mjedisore dhe reagimi politik i brendshëm kundër hapjes ekonomike. Për BE-në, kjo është një mënyrë për të ruajtur ndikim global përmes tregtisë dhe rregullave; për vendet e Amerikës së Jugut, një përpjekje për të diversifikuar partnerët dhe për të mos u varur nga një qendër e vetme pushteti ekonomik. PAK HISTORI PËR KËTË MARRËVESHJE

🎙️ Podcast “Money Hour” | Fast News Economy



🏛️ LIGJET E BIZNESIT–Ligji në Kohë Reale për Biznesin Modern

Negociatat nisën në vitin 1999, në një periudhë që sot duket si një epokë krejt tjetër historike. Rendi pas Luftës së Ftohtë ishte relativisht i qëndrueshëm, besimi në multilateralizëm ishte i fortë dhe marrëveshjet rajonale të tregtisë shiheshin si blloqe ndërtuese të një ekonomie globale gjithnjë e më të hapur. Logjika e bashkëpunimit BE–MERCOSUR dukej e qartë. Ekonomi plotësuese, interesa të përbashkëta për rritje dhe një ide liberale se ndërvarësia ekonomike prodhon stabilitet politik.

Megjithatë, që në fillim, negociatat zbuluan kufijtë e këtij vizioni optimist. Kërkesa e BE-së për akses në shërbime, mallra industriale dhe prokurime publike u përplas me insistimin e MERCOSUR-it për hapje të tregut bujqësor. Këto përplasje pasqyronin asimetri strukturore më të thella midis një ekonomie evropiane të industrializuar, të rregulluar fort dhe me standarde të larta dhe ekonomive të Amerikës së Jugut ende shumë të varura nga eksportet bujqësore dhe të lëndëve të para.

Me kalimin e kohës, konteksti ndërkombëtar ndryshoi rrënjësisht. Kriza financiare globale, ngritja e Kinës, rikthimi i rivalitetit midis fuqive të mëdha dhe rritja e skepticizmit ndaj tregtisë së lirë transformuan mjedisin politik në të cilin po negociohej marrëveshja. Marrëveshja politike e arritur në vitin 2019 u përfshi shpejt në debatet mbi ndryshimet klimatike, shpyllëzimin dhe identitetin normativ të BE-së si aktor global mjedisor. Vonesa e gjatë deri në nënshkrimin përfundimtar në vitin 2026 nuk ishte shenjë hezitimi, por rezultat i një rikalibrimi të thellë ndaj kushteve të reja globale: tregtia tashmë është bërë një çështje e sigurisë ekonomike, e konkurrencës për ndikim dhe e menaxhimit të rreziqeve.

ÇFARË PARASHIKON DHE SINJALIZON MARRËVESHJA

Formalisht, marrëveshja BE–MERCOSUR synon të eliminojë tarifat për më shumë se 90% të mallrave të tregtuara midis dy blloqeve, shpesh përmes periudhave të gjata tranzicioni. Eksportuesit evropianë përfitojnë akses më të mirë për automjete, makineri, produkte kimike, farmaceutikë, verë dhe produkte bulmeti. Nga ana tjetër, eksportuesit e MERCOSUR-it fitojnë akses preferencial për mish viçi, mish shpendësh, sheqer, etanol, sojë dhe minerale.

Por, rëndësia reale e marrëveshjes qëndron më pak te linjat tarifore dhe më shumë te thellësia e saj institucionale. Ashtu si shumica e marrëveshjeve bashkëkohore, ajo rregullon shërbimet, investimet, prokurimet publike, konkurrencën dhe të drejtat e pronësisë intelektuale; si dhe nxit konvergjencën rregullatore në fusha si standardet sanitare dhe fitosanitare.

Në termat e marrëdhënieve ndërkombëtare, kjo është një shprehje e fuqisë rregullatore. BE-ja, në veçanti, përdor marrëveshjet tregtare si instrumente për të eksportuar modelin e saj rregullator, duke ndikuar mënyrën se si prodhimi dhe shkëmbimi organizohen përtej kufijve të saj. Në praktikë, kjo do të thotë se shumë kompani të Amerikës së Jugut do të duhet t’i përshtatin produktet dhe procedurat me standardet evropiane, gjë që mund të rrisë cilësinë dhe aksesin, por mund të krijojë kosto shtesë dhe të forcojë varësinë nga një set rregullash të vendosura jashtë rajonit.

Për vendet e MERCOSUR-it, pra për Brazilin, Argjentinën, Paraguain dhe Uruguain, përafrimi me standardet e BE-së ofron akses dhe kredibilitet, por ngre gjithashtu shqetësime mbi autonominë e politikave publike. Ky tension midis aksesit dhe autonomisë është një temë e përsëritur në marrëdhëniet tregtare Veri-Jug dhe qëndron në qendër të debatit politik rreth kësaj marrëveshjeje.

FITUESIT DHE HUMBËSIT BRENDA BASHKIMIT EVROPIAN

Edhe pse udhëheqësit evropianë e kanë paraqitur marrëveshjen si sukses strategjik dhe ekonomik, pak marrëveshje tregtare kanë nxjerrë në pah ndarje kaq të thella të brendshme brenda BE-së. Arsyeja është e thjeshtë: ndërsa marrëveshja premton përfitime të konsiderueshme për BE-në si tërësi, kostot dhe përfitimet shpërndahen shumë në mënyrë të pabarabartë midis vendeve, sektorëve dhe grupeve shoqërore.

a)Fitimet e përgjithshme të BE-së: treg, rregulla dhe pozicionim

Nga një perspektivë makroekonomike, BEja ka shumë për të fituar. MERCOSUR përfaqëson një treg me mbi 260 milionë konsumatorë, me kërkesë në rritje për mallra industriale, shërbime, infrastrukturë dhe teknologji. Ulja e tarifave, shpesh nga nivele dyshifrore, rrit konkurrueshmërinë e eksporteve evropiane ndaj rivalëve nga Kina dhe SHBA, veçanërisht në sektorët ku Evropa ruan avantazh krahasues. Por për BE-në, marrëveshja është edhe një instrument më afatgjatë, sepse mbyll aksesin në tregje, vendos korniza rregullash (për standarde, shërbime, investime) dhe e vendos Evropën më fort në Amerikën e Jugut në një kohë kur rivalët globalë po rrisin praninë e tyre. Në një botë ku tregtia po politizohet, marrëveshjet e këtij lloji janë edhe politika industriale indirekte: ato hapin mundësi eksporti, por edhe krijojnë standarde që ndikojnë konkurrencën.

CILËT JANË FITUESIT KRYESORË

Gjermania është një nga përfitueset kryesore. Industria gjermane, veçanërisht automjetet, makineritë, pajisjet elektrike dhe kimikatet e ka parë prej kohësh Amerikën e Jugut si treg me potencial të lartë, por me barriera tarifore të mëdha. Marrëveshja ul ndjeshëm këto barriera dhe forcon pozicionin e kompanive gjermane tashmë të pranishme në Brazil dhe Argjentinë. Përtej eksporteve, Gjermania përfiton nga siguria më e madhe ligjore për investimet dhe nga akses më i mirë në prokurimet publike, sidomos në projekte infrastrukturore dhe energjetike ku kompanitë evropiane janë konkurruese. Në plan strategjik, Berlini fiton nga diversifikimi i tregjeve dhe nga forca më e madhe e Evropës në një rajon ku prania industriale kineze është zgjeruar.

Franca dhe Italia përfaqësojnë një rast më ambivalent, por ekonomikisht domethënës. Nga njëra anë, ato përfitojnë nga hapja e tregut për produkte bujqësore me vlerë të lartë, verëra, djathëra, pije alkoolike, vaj ulliri, si dhe produkte me tregues gjeografikë. Këto janë sektorë ku BE-ja prodhon mallrat e cilësisë së lartë dhe ku marka, standardi dhe origjina sjellin fitim më të lartë. Nga ana tjetër, eksportuesit industrialë (transport, pajisje, farmaceutikë, teknologji) përfitojnë nga ulja e tarifave dhe harmonizimi rregullator. Por këto fitime bashkëjetojnë me kundërshtim të fortë nga fermerët vendës, veçanërisht në sektorët e mishit dhe shpendëve.

Spanja dhe Portugalia janë ndër mbështetëset më entuziaste të marrëveshjes, sepse përfitojnë jo vetëm në tregti mallrash, por sidomos në shërbime dhe investime. Bankat, kompanitë energjetike, firmat e infrastrukturës dhe telekomunikacionit kanë lidhje historike dhe prani të konsoliduar në Amerikën Latine. Hapja e tregjeve të shërbimeve dhe mbrojtja e investimeve u jep atyre avantazh të drejtpërdrejtë. Për Madridin dhe Lisbonën, marrëveshja forcon edhe rolin e tyre si ura midis Evropës dhe Amerikës Latine, duke shtuar peshën e tyre diplomatike brenda BE-së.

Holanda fiton jo vetëm si ekonomi eksportuese, por edhe si nyje logjistike evropiane. Nëse rriten flukset tregtare, portet dhe infrastruktura logjistike holandeze përfitojnë drejtpërdrejt. Suedia, Republika Çeke dhe Austria përfitojnë përmes industrive eksportuese të integruara në zinxhirët evropianë të prodhimit, pra, edhe kur eksporti final shkon nga një vend tjetër, pjesë dhe komponentë prodhohen në këto vende. Këtu shfaqet një efekt i rëndësishëm: përfitimi nuk matet vetëm tek eksporti final, por te i gjithë zinxhiri industrial evropian.

HUMBËSIT DHE REZISTENCA POLITIKE. PSE BUJQËSIA ËSHTË GJITHNJË RAST I VEÇANTË

Humbësit më të dukshëm janë fermerët evropianë, veçanërisht në sektorët e mishit të viçit, shpendëve dhe sheqerit. Edhe pse importet u nënshtrohen kuotave dhe periudhave tranzicioni, frika nga konkurrenca me prodhues me kosto më të ulëta dhe standarde të ndryshme rregullatore ka peshë të madhe politike. Bujqësia zë një vend të veçantë në politikën evropiane, e lidhur me sigurinë ushqimore, kohezionin territorial dhe identitetin kombëtar. Për këtë arsye, kundërshtimi i fermerëve ka ndikim politik shumë më të madh sesa pesha e sektorit në PBB. Në shumë vende, fermerët dhe zonat rurale janë gjithashtu bartëse të një simbolike politike: ata përfaqësojnë të ardhmen e territorit, traditën, vetë-mjaftueshmërinë. Kjo e bën konfliktin jo vetëm ekonomik, por edhe kulturor e politik.

Në një kuptim, beteja për këtë marrëveshje është një betejë për modelin e Evropës: Evropa si fuqi eksportuese industriale dhe rregullatore, apo Evropa si hapësirë që mbron prodhuesit dhe territorin nga efektet e globalizimit?

Përtej ekonomisë, marrëveshja BE–MERCOSUR duhet të zgjidhë edhe problemet mjedisore dhe duhet parë edhe si instrument strategjik. Nga një këndvështrim realist, marrëveshja i shërben BE-së për të ruajtur ndikimin në një rajon strategjik, ku SHBA dhe Kina po konkurrojnë gjithnjë e më fort e më hapur. Gjithashtu, kjo marrëveshje na tregon diçka thelbësore për botën ku jetojmë sot. Faktin se tregtia nuk është më vetëm çështje ekonomike. Ajo ka të bëjë me pushtetin në kuptimin politik, identitetin, strategjinë dhe përpjekjen për të qeverisur globalizimin në kushte shumë më të paqëndrueshme sesa ato të imagjinuara një çerek shekulli më parë.

Etiketa: aktualitet
Pas

Bankat “tërhiqen” nga kreditimi i banesave, shtrëngohen kushtet për qytetarët

🎙️ Podcast “Money Hour” | Fast News Economy

🏛️ LIGJET E BIZNESIT | Ligji në Kohë Reale për Biznesin Modern

Të Gjitha

Lufta tregtare SHBA-Kinë në garën presidenciale amerikane

Marrëveshja e tregtisë së lirë BE-MERCOSUR

nga Fast News
12:16 | 22/01/2026
0

Bankat “tërhiqen” nga kreditimi i banesave, shtrëngohen kushtet për qytetarët

Bankat “tërhiqen” nga kreditimi i banesave, shtrëngohen kushtet për qytetarët

nga Fast News
09:30 | 22/01/2026
0

“Paketa e maleve”, qeveria përcakton zonat e zhvillimit. Ja cilat janë…

“Paketa e maleve”, qeveria përcakton zonat e zhvillimit. Ja cilat janë…

nga Fast News
09:00 | 22/01/2026
0

Davos sot: Gjeopolitika globale dhe inteligjenca artificiale dominojnë axhendën

Davos sot: Gjeopolitika globale dhe inteligjenca artificiale dominojnë axhendën

nga Fast News
08:30 | 22/01/2026
0

Recent News

Lufta tregtare SHBA-Kinë në garën presidenciale amerikane

Marrëveshja e tregtisë së lirë BE-MERCOSUR

12:16 | 22/01/2026
Bankat “tërhiqen” nga kreditimi i banesave, shtrëngohen kushtet për qytetarët

Bankat “tërhiqen” nga kreditimi i banesave, shtrëngohen kushtet për qytetarët

09:30 | 22/01/2026

Categories

  • Aktualitet
  • Analizë
  • Barazia Gjinore
  • Biznes
  • Bota
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
  • Ekonomi
  • Finance
  • Lifestyle
  • LIGJET e BIZNESIT
  • Të gjitha
  • Teknologji
  • Uncategorized

Rreth nesh

Fast News Economy është portali dedikuar ekonomisë, që informon mbi zhvillimet e fundit nga vendi dhe bota. Lajme të shpejta, analiza, opinione, gjithcka që doni dhe duhet të dini nga ekonomia i gjeni këtu.
Fast News Economy portali i lajmit të shpejtë!
Fast News Economy

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar