Bizneset nuk do të kenë më të drejtë të përdorimin para në dorë për transaksionet me vlera të mëdha. Ndryshimet e fundit ligjore, tashmë në fuqi, kufizojnë pagesat e larta cash, si pjesë e masave për rritjen e formalizimit dhe gjurmueshmërisë së pagesave.
Kështu, sipas rregullave të reja, tatimpaguesit, siç janë persona fizikë, individë tregtarë, të vetëpunësuar apo entitete, nuk mund të kryejnë mes tyre transaksione shitjeje apo blerjeje me para në dorë, kur vlera e transaksionit është më e madhe se 100 mijë lekë. Në këto raste, transaksioni duhet të realizohet përmes bankës dhe fatura lëshohet si faturë elektronike B2B.
Ndërkohë, kufizime të tjera parashikohen edhe për transaksionet mes tatimpaguesve dhe individëve. Personat fizikë, individët tregtarë, të vetëpunësuarit apo entitetet, nuk mund të kryejnë transaksione shitjeje ose blerjeje me para në dorë me individë, kur vlera e transaksionit është më e lartë se 500 mijë lekë.
Për këto raste, fatura do të lëshohet si faturë e thjeshtë, me të dhënat e individit, duke zgjedhur opsionin jo-cash, ndërsa pagesa duhet të kryhet përmes sistemit bankar.
Autoritetet sqarojnë se këto masa prekin vetëm ata që kryejnë transaksione me shuma të tëtilla në para në dorë, ndërsa për subjektet që nuk operojnë me këto vlera, ndryshimi ka karakter informues./Tv Scan








