Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në punimet e Forumit të Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL), organizuar më 13–14 janar 2026 nga FT Live në Vjenë, Austri.
Ky forum i përvitshëm mbledh personalitete të spikatura nga akademia, ekonomia dhe sektori financiar i vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, për të diskutuar zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare, me fokus të veçantë rajonin lindor dhe juglindor të Evropës.
Punimet e forumit u zhvilluan në disa panele dhe Guvernatori Sejko ishte i ftuar si folës në panelin e guvernatorëve të bankave qendrore të këtij rajoni. Temat e diskutuara në forum lidhen me kthimin te bazat e politikës monetare, normat e interesit dhe stabilitetin e çmimeve, goditjet nga ana e ofertës, financimin e gjelbër dhe rolin e politikës monetare, rreziqet klimatike, mbikëqyrjen bankare, pavarësinë e bankave qendrore, SEPA-n, përfshirjen financiare përmes bankingut digjital, si dhe perspektivat e monedhës digjitale të bankës qendrore.
Në fjalën e tij, Guvernatori u ndal në tre çështje kryesore: kthimin te bazat e politikës monetare dhe menaxhimin e goditjeve nga ana e ofertës; rolin e politikës monetare në mbështetjen e financimit të gjelbër; si dhe perspektivat e monedhës digjitale të bankës qendrore. Ai theksoi se Banka e Shqipërisë arriti të përballojë me sukses goditjet inflacioniste të viteve 2022–2023, duke siguruar një kosto të ulët për rritjen ekonomike dhe stabilitetin financiar. Politika monetare e ndjekur kontribuoi në ankorimin e pritjeve inflacioniste, ndërkohë që zhvillimet pozitive në turizëm mbështetën stabilitetin makroekonomik.
Në lidhje me financimin e gjelbër, Guvernatori nënvizoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për integrimin e rreziqeve klimatike dhe mjedisore në kuadrin mbikëqyrës, në përputhje me procesin e integrimit evropian, duke ruajtur njëkohësisht fokusin parësor te stabiliteti i çmimeve.
Sa i përket monedhës digjitale, ai theksoi se Banka e Shqipërisë po ndjek një qasje të kujdesshme dhe të mirëanalizuar, duke vlerësuar kostot, përfitimet dhe parakushtet e nevojshme për një zbatim të suksesshëm, në një mjedis me zhvillime teknologjike.
Gjatë sesionit të pyetjeve dhe përgjigjeve, Guvernatori theksoi rëndësinë e faktorëve vendas në përcaktimin e politikës monetare, si dhe nevojën për mbrojtjen e pavarësisë së bankave qendrore. Ai nënvizoi se procesi i integrimit evropian forcon kornizën institucionale dhe besueshmërinë e Bankës së Shqipërisë, duke garantuar stabilitetin afatgjatë ekonomik të vendit.
Gjatë punimeve të forumit, një vëmendje e veçantë iu kushtua Shqipërisë, përmes një tryeze të posaçme diskutimi, ku Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, duke theksuar rëndësinë e investimeve të huaja direkte, në mbështetje të rritjes ekonomike. Ai u ndal gjithashtu në zhvillimet në sektorin bankar shqiptar, duke theksuar se treguesit financiarë dëshmojnë për një sistem bankar të shëndetshëm, rezistent ndaj goditjeve dhe të aftë të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Guvernatori vlerësoi se sistemi financiar shqiptar paraqitet i qëndrueshëm e i mirëkapitalizuar, ku depozitat mbështesin kreditimin dhe investimet në instrumente financiare. Ai nënvizoi angazhimin e vazhdueshëm për harmonizimin e kuadrit ligjor dhe praktikave mbikëqyrëse me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë zbatimin e standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar (IFRS) dhe kërkesat prudenciale të BE-së.
Në kuadër të vizitës në Vjenë, Guvernatori Sejko zhvilloi takime me drejtues të lartë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), përkatësisht me znj. Charlotte Ruhe – Drejtore për Evropën Qendrore dhe Juglindore; z. Francis Malige – Drejtor për Institucionet Financiare; znj. Aleksandra Vukosavljevic – Drejtore për Institucionet Financiare për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Lindore; si dhe z. Alex Pivovarsky – Drejtor për Zhvillimin e Tregjeve të Kapitalit dhe të Tregjeve Financiare.
Gjatë këtyre takimeve, Guvernatori vlerësoi kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të BERZH-it në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, përmes investimeve financiare në sektorë kyç të ekonomisë dhe asistencës teknike ofruar Bankës së Shqipërisë. Ai theksoi rëndësinë e zhvillimit të tregjeve të kapitaleve në Shqipëri dhe nevojën për mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë në këtë drejtim, duke nënvizuar se zhvillimi i këtyre tregjeve do të kontribuonte ndjeshëm në financimin e bizneseve në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Po ashtu, Guvernatori Sejko zhvilloi një takim me përfaqësues të gazetës së mirënjohur britanike “Financial Times”, z. Edward Cutts – Drejtor Global i Çështjeve Komerciale, dhe znj. Melissa Roache – Menaxhere e Lartë Komerciale, ku u diskutuan prioritetet strategjike për periudhën në vijim, si dhe mundësitë dhe sfidat me të cilat përballet Shqipëria në kontekstin aktual ekonomik dhe politik global. Përfaqësuesit e “Financial Times” bënë të ditur se, gjatë vitit 2026, planifikojnë t’i kushtojnë një vëmendje të veçantë rajonit dhe tregjeve specifike, përmes aktiviteteve të dedikuara.








