Një në tre familje shqiptare e ka të vështirë të mbajë ngrohtë shtëpinë këto ditë të ftohta janari. Nga 755 mijë e 950 në total, rreth 285 mijë familje kanë pamundësi ekonomike për të paguar faturat e energjisë elektrike.
Në raport me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria është veni i dytë pas Kosovës me numrin më të lartë të familjeve që nuk përballojnë dot faturat për ngrohje. Bosnje-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi e kanë ndjeshëm më të ulët treguesin e varfërisë energjetike. Në Serbi vetëm 9.5 për qind e familjeve e kanë të vështirë të ngrohen.
Edhe më të thella janë hendeqet nëse krahasohemi me vendet europiane. Në Norvegji, shtet me të cilin kemi ngjashmëri në drejtim të burimeve ujore, vetëm 2.1 për qind e familjeve e kanë të vështirë të ngrohen me energji elektrike: “Është e papërballueshme. Nuk e paguajmë dot. Vetëm që na ndihmojmë fëmijët ndryshe nuk ja arrijmë dt. Ngrohemi me batanije nuk kemi se çfarë bëjmë”.
Po pse vendet e rajonit që nuk kanë kaq pasuri natyrore sa Shqipëria arrijnë që t’u ofrojnë qytetarëve të tyre më shumë mundësi për t’u ngrohur.
Mihallaq Qirjo, ekspert mjedisi dhe energjie, shpjegon: “Varfëria energjetike në Shqipëri lidhet me vulnerabilitetin në termin “klient në nevojë”, ndërsa ndihma sociale është i vetmi mjet i ndërhyrjes. Varfëria energjetike s kërkon bashkëpunim në të gjitha nivelet si të pushtetit qendror, atij vendor, institucioneve specifike me ekspertizë në sektorin e energjisë elektrike, çka do të mundësonte jo vetëm mbështetje financiare por dhe profesionale në vlerësimin e zgjedhjeve të duhura që ndikojnë në eficencën e energjisë dhe ulin kostot e sigurimit me elektricitet”.
Ata që nuk përballojnë dot faturat e energjisë elektrike, duke pasur shtëpi private i janë rikthyer druve. Ndonëse edhe çmimi i tyre është rritur, sërish mbeten më me shumë leverdi se kondicioneri: “Më vinte 100 mijë lekë fatura kur ngrohesha me kondicioner. Tani jam kthyer te drutë. Ngrohem e gatuaj e më bie më pak lekë”.
Në një studim të publikuar më herët, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë gjeti se veçanërisht pensionistët në Shqipëri e kanë më të vështirë të sigurojnë ngrohjen. Nga analizat rezultoi se e 55% e çifteve të personave mbi 65 vjeç nuk ishin në gjendje ta mbanin shtëpinë e tyre të ngrohtë./A2 CNN








