Në prag të integrimit në tregun e Bashkimit Europian, sfidat për sipërmarrjen shqiptare janë më afër se kurrë. A janë përgatitur ato për të qenë konkurrentë, me cilësi, sasi, kosto dhe produktivitet? Këshilli I Investimeve, një urë lidhëse mes biznesit dhe institucioneve të vendimmarrjes në Shqipëri, vlerëson se ka pasur progres veçanërosht në disa fusha, por thekson faktin se biznesi ende është në sfida të mëdha produktiviteti, lidhur me burimet njerëzore dhe përdorimin e teknologjisë.
Në një intervistë për Va-spas.com Diana Leka(Angoni), Drejtore e Sekretariatit të Këshillit Shqiptar të Investimeve, tregon për përmirësime në drejtim të komunikimit me administratën tatimore, si pjesë e marrëdhënies biznes-institucione, referuar kontrolleve tatimore, nivelit të rimbursimit të TVSH-së, trajnimeve për fiskalizimin e kuadrin ligjor, digitalizim dhe optimizimin e përdorimit në lehtësimin e shërbimeve online, ndërsa thekson njëkohësisht sfidat ende të mëdha me informalitetin, proceset e tejzgjatura ne gjykata, korupsionin e kompleksitetin e legjislacionit, produktivitetin e bizneseve shqiptare, dhe cilësinë e shërbimit dhe transparencen e institucioneve të zbatimit të ligjit .

Sot, në kuadrin e hapjes së tregut vendas flitet për ridimensionim të modelit të shfrytëzimit të lëndëve të para në kuadrin e zinxhirit të vlerës (dhe interesave gjeopolitike) p.sh. atyre minerare (ku ne kemi edhe nivelin më të lartë të investimeve të huaja), mbetet prioritar debati mbi opsionet e sofistikimit të biznesit dhe rritjes së vlerës së shtuar në vend.
Me investimet e përfunduara, apo në proces në sistemin energjitik, fotovoltaik, jemi pozicionuar në një standard tjetër rajonal, por vëmendja duhet të jetë te biznesi vendas (kryesisht MSME-të). Ne e kemi nisur debatin për produktivitetin e punës që në vitin 2017, ashtu si dhe mbrojtjen e sektorëve me rëndësi gjeopolitike. Këto janë elementë thelbësorë të konkurueshmërisë së ekonomisë vendase, për të dakorduar përgjigje të mirëmenduara ndaj sfidave të biznesit në kushtet e hapjes së vendit.
Nga anketimi ynë me bizneset partnere (188), për klimën e të bërit biznes, (kryesisht marrëdhëniet me administratën tatimore qëndrore, informaliteti dhe pritshmëritë nga integrimi në BE), bizneset shqiptare janë optimiste dhe presin që anëtarësimi të sjellë avantazhe në cilësi, konkurrencë dhe qasje në tregje. Megjithatë, ky konkluzion mbetet pak sfidues, pasi komuniteti i biznesit deklaron se ka mungesë informacioni e ndërgjegjësim të ulët p.sh. nuk ka informacion në lidhje me Agjendën Kombëtare të Integrimit dhe nuk e njohin mjaftueshëm procesin e anëtarësimit.
Gjithashtu, perceptojnë se vështirësitë më të mëdha do te lidhen me miratimin e ligjeve të pakonsultuara siç duhet, apo me dinamika të reja të harmonizimit e zbatimit të procedurave administrative, taksa dhe legjislacioni fiskal si edhe respektimin e standardeve të një cilësie e sigurie më të lartë produktesh /shërbimesh ne treg.
Bizneset preken drejtpërdrejtë nga përafrimi i legjislacionit kombëtar me acquis të BE-së, në fushën e mirëfunksionimit të institucioneve që sigurojnë një konkurrencë te ndershme, në kostot për harmonizimin me tatime, standardet, digjitalizim dhe tranzicioni i gjelbër.
Ndërkohë, pa kontributin e tyre sistematik, reformat rrezikojnë të sjellin përfitime te njëanshme janë ose jopraktike, ose të zbatohen në mënyrë të pamjaftueshme, duke limituar përfitimet e biznesit vendas ngadalësuar progresin e Shqipërisë.
Ky është një moment unik e sektori privat duhet te angazhohet shpejt e fort, të organizohet që mund të ofrojë argumenta bindese ,informacion të shpejtë mbi pengesat që mund ti vijnë nga hapja e tregut, të kërkojë instrumenta tranzitore që lehtësojnë kufizimet e kapaciteteve dhe kushtet e investimeve,të dhëna të cilat institucionet publike nuk mund t’i përfshijnë plotësisht. Kontributi i tyre siguron që politikëbërja të konsiderojë zgjidhje më të mençura që bazohen në realitetin ekonomik dhe që përshtatja me rregullat e BE-së të ndikojë pozitivisht ,të forcojë konkurrueshmërinë, në vend që të krijojë ngarkesa administrative.
Cilat janë rekomandimet tuaja në këtë drejtim, si për biznesin dhe për qeverinë?
Për qeverinë, prioritet mbetet krijimi i një axhende kombetare te produktivitetit, nje mjedisi me konkurrues, duke nisur me forcimin e institucioneve ligjzbatuese me fokus transparencën, llogaridhënien dhe politikave të matura e të mençura për mbrojtjen e prodhimit e punësimit vendas, garantimin e sigurisë juridike të pronës, stabilizimin e politikave fiskale dhe forcimin e luftës kundër informalitetit për të mundësuar konkurencë të ndershme.
Po aq e rëndësishme është edhe krijimi e mirëfunksionimi i instrumenteve të dedikuara financiare për inovacion, kërkim-zhvillim dhe teknologji, përmes garancive, fondeve dhe skemave të bashkëfinancimit që reduktojnë rrezikun e investimeve për MSME-të dhe i ndihmojnë ato të modernizojnë kapacitetet e tyre.
Ndaj, nisur nga fakti që në këtë fazë procesi i negociatave udhëhiqet kryesisht nga institucionet, është e rëndësishme që të ndërtohen në kohë evidenca sektoriale e punohet më shumë në drejtim të informimit të sektorëve të ekonomisë që preken më shumë nga integrimi, në mënyrë që kompanitë, veçanërisht prodhuese të mos përballen me të panjohurën në momentin e gabuar.
Bizneseve u rekomandojmë të reagojnë në kohë, të angazhohen në shoqata, për t’u mirëinformuar mbi ndryshimet ligjore dhe rregullatorë që i prekin. Ndërmarrjet duhet të investojnë më shumë në dije per qasje inovative, digjitalizim të proceseve dhe formalizim, në mënyrë që të mund të bëhen pjesë e financimeve dhe programeve të ndërkombëtarizimit. Bashkëpunimi me universitetet, qendrat e kërkimit dhe investitorët për zhvillimin e produkteve teknologjike të certifikueshme dhe të eksportueshme është po aq i rëndësishëm.
Ju keni bërë vlerësime të situatës, përmes anketave dhe raporteve të biznesit. A mund të ndani me ne disa nga gjetjet më të rëndësishme, si përsa u përket arritjeve, edhe zhvillimeve shqetësuese?
Veçanërisht pas tërmetit dhe COV 19, vendi ka kaluar në nivele të tjera dhe biznesi në vend ka ecur mjaft në disa drejtime, veçanërisht në drejtim të integrimit të digjitalizimit në proceset e brendshme, e stimuluar kjo edhe nga fiskalizimi dhe e_Albania. E theksoj këtë, pasi deri disa vite më parë, numri i kompanive shqiptare që kanë patur akses në fonde të BE apo rajonale, si instrumenta mbështetës ka qenë mjaft i kufizuar krahasuar me vendet e rajonit, por sot situata po ndryshon.
Kjo sigurisht është stimuluar edhe nga zhvillimet e fundit politike. Gjithsesi nëse i referohemi psh nivelit dhe dinamikes se eksporteve si ne vlere apo edhe ne numër te ndërmarrjeve eksportuese, evidentojmë qe kemi vetëm 3784 kompani eksportuese(2024) rreth 0.2% me pak se ne 2023, nderkohe qe rreth 77% e vlerës se eksporteve i përket kompanive te sektorit te industrisë ku edhe evidentohet nje rënie prej 19,3% krahasuar me 2023 pra shifrat mbeten ende ne nivele mjaft sfiduese.
Sipas analizave tona me bizneset (Tetor 2025) lidhur me klimën e biznesit, ka përmirësime në marrëdhënie me administratën tatimore, (kryesisht falë trajnimeve, rritjes profesionale dhe optimizimit të përfitimeve nga digjitalizimi, sistemit të riskut, rimbursimit të TVSh-së dhe besimit ndaj proceseve të apelimeve tatimore. Nga ana tjetër, ka një perceptim të qëndrueshëm në lidhje me praninë e informalitetit në vend, ku korrupsioni dhe konkurrenca e pandershme mbeten faktorët sistemikë që nxisin informalitetin (kryesisht shmangie tatimore dhe punë në të zezë).
Elementët më kritikë në lidhje me klimën e të bërit biznes në vend lidhen me efikasitetin e sistemit gjyqësor dhe mbrojtjen e të drejtave të biznesit, niveli i korrupsionit dhe transparencën institucionale dhe sigurimin e qëndrueshmërisë dhe cilësisë të fuqisë punëtore dhe kostot e saj si rezultat i ndryshimeve të fundit në nivelin e pagave në vend.
Cili prej sektorëve shfaq më shumë sfida në konkurrueshmëri/ zgjerim tregu?
Sektori prodhues dhe agro-përpunues ka më shumë sfida. Kjo sepse përballen direkt me kërkesat e rrepta të tregjeve ndërkombëtare për standarde teknike dhe certifikime. Këtu, barrierat janë më të thellauara, për shkak të fragmentimit, mungesës të pajisjeve moderne të kontrollit të cilësisë dhe vështirësisë për të përmbushur kërkesat e zinxhirëve të furnizimit europian.
Për këtë arsye, pavarësisht potencialit të madh, pikërisht këto industri kanë më shumë pengesa për t’u shkallëzuar drejt tregjeve të BE-së dhe për të siguruar kontrata të qëndrueshme eksporti. Sektori i shërbimeve, veçanërisht TIK-u dhe shërbimet profesionale, ka dinamikë më të lartë dhe perceptime per akseshyrje më të lehtë në tregje ndërkombëtare, ndoshta edhekryesisht falë barrierave më të ulëta teknike dhe natyrës së produkteve digjitale.
Në 10 vite aktivitet cilat janë arritjet tuaja kryesore dhe cilat janë sfidat?
KI nisi dhjetë vite më parë, me pak skepticizëm por me pasion, me besim në një ide të thjeshtë e sfiduese: zëri i biznesit duhet të dëgjohet ndryshe dhe të integrohet në mënyrë të hapur në hartimin e politikave publike. Vendit i duhej një hapësirë ku fjala e palëve të dëgjohej, argumentet të peshohen dhe reformat të lindnin edhe nga dialogu. Me një udhëheqje të qartë dhe një qasje të mbështetur në gjitheperfshirje dhe të dhëna, Këshilli ka siguruar angazhimin afatgjatë të aktorëve me kryesorë, duke adresuar sfida thelbësore të klimës së biznesit, stimuluar modelin e qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies.
Disa prej fushave ku KI ka influencuar më tepër kanë qenë:
Përmirësim i politikave: Kemi mbështetur 350 rekomandime, prej të cilave 47% janë zbatuar. Vetëm dy vitet e fundit, KI ka dhënë kontribut konkret në 11 dokumente strategjike dhe politike kombëtare. Ndër rezultatet më të spikatura përmenden miratimi i 41 ndërhyrjeve ligjore dhe rregullatore, thjeshtimi i procedurave të rimbursimit të TVSH-së, si dhe avokimi i suksesshëm për ndalimin e bllokimit automatik të llogarive bankare të sipërmarrësve për detyrime tatimore.
KI ka përshpejtuar zgjidhjen e problemeve, ka nxitur nisma për zhvillimin e aftësive të forcës punëtore, ka nxitur përdorimin e zgjidhjeve digjitale në sektorin financiar. Për efekt llogaridhënie dhe transparence Këshilli i ka kushtuar vëmendje monitorimit të shërbimeve publike digjitale, përfshirë vlerësimin e eficiencës së platformës e-Lejet, ndërkohë që ka ofruar mbështetje për bizneset që përballen me sfida në tranzicionin drejt energjive alternative.
Ndërtimi i besimit bazuar në evidenca: Me 28 analiza teknike jemi fokusuar në identifikimin dhe adresimin e barrierave sistemike ndaj investimeve, duke trajtuar çështje si informaliteti, kapacitetet institucionale, reformat tatimore dhe doganore, digjitalizimi, ndërkombëtarizimi i NVM-ve, cilësia e forcës punëtore, konsultimi publik, inspektimet dhe shqetësime të tjera të investitorëve. Analizat janë mbështetur në vrojtime me 5,020 biznese, duke siguruar një bazë të konsoliduar të dhënash sasiore dhe cilësore.
Angazhimi gjithëpërfshirës: Me 35 mbledhje, mbi 50 anëtarë dhe 500 vëzhgues, Këshilli i Investimeve ka krijuar një platformë të besueshme dhe të qëndrueshme për dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës. Ky model bashkëpunimi ka forcuar rolin e tij si forum i rëndësishëm për diskutim dhe bashkëpunim ndërmjet sektorit publik dhe privat.
Përgjigje ndaj krizave: Gjatë pandemisë COVID-19, Këshilli u përshtat menjëherë me formatin online, duke ruajtur një kanal të hapur komunikimi në një kohë kur nevoja për koordinim ishte thelbësore. Ai u bë një burim i besueshëm informacioni dhe platformë për adresimin e sfidave urgjente të biznesit, duke ndihmuar gjithashtu në përpjekjet për rimëkëmbjen ekonomike.
Avokim strategjik: Me një model bashkëpunimi të fortë dhe partneritete të konsoliduara me institucionet kombëtare, dhomat e tregtisë, universitetet, organizatat e zhvillimit dhe komunitetin ndërkombëtar, KI është pozicionuar si një aktor i rëndësishëm në forume kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Kapitulli i Ri
Në rrugëtimin drejt integrimit evropian, një bashkëpunim më transparent dhe më i qëndrueshëm midis sektorit publik dhe atij privat, mbetet thelbësor për optimizimin e përfitimeve që ofron integrimi, veçanërisht mirëfunksionimi i tregut të brendshëm ne drejtim të sigurisë dhe cilësisë dhe stimulimin e konkurencës së ndershme.
Përtej vizionit politik, tashmë të konkretizuar qartë, palët duhet të mirëpranojnë dhe respektojnë parimin thelbësor që një qeverisje më e mirë kushtëzohet nga struktura të besueshme e të qendrueshme që realisht të stimulojnë transformimin e duhur, duke prioritizuar interesin kombëtar. Sfida të reja si tranzicioni i gjelbër, transformimi digjital dhe ndryshimet në tregun e punës kërkojnë një angazhim më të fortë për transparencë institucionale dhe bashkëpunim publik-privat. Përvoja e 10 viteve të fundit dëshmon se dialogu i strukturuar i mbështetur në udhëheqje të qartë, të dhëna, transparencë dhe llogaridhënie mund të ndërtojë besim afatgjatë dhe të nxisë reforma me ndikim të qëndrueshëm.
Gjatë këtyre dhjetë viteve kemi arritur të krijojmë një model funksional dialogu mes qeverisë dhe komunitetit të biznesit, ku çështje të rëndësishme të klimës së investimeve janë diskutuar haptazi dhe janë ndjekur me seriozitet. Vlerësojmë më së shumti faktin se përmes platformës sonë, bizneset u përfshinë në mënyrë më të strukturuar në proceset e politikëbërjes, ndërsa institucionet fituan një mekanizëm të rregullt për të marrë feedback të drejtpërdrejtë dhe të bazuar në evidencë.
Falë partneritetit tonë të qëndrueshëm me BERZH-in dhe SECO-n, Këshilli ka ruajtur profesionalizmin, pavarësinë dhe besueshmërinë që e kanë bërë model në rajon. Falë bashkëpunimit me institucionet, dhomat e tregtisë dhe komunitetin e biznesit, ai është kthyer ndoshta në një hub të mirëqeverisjes – ku kontribuojmë çdo ditë, të dëgjojmë më mirë, të komunikojmë më qartë dhe të ndërtojmë më shumë besim.
Sfida kryesore përgjatë kësaj periudhe ka qenë krijimi i një kulture të qëndrueshme bashkëpunimi mes institucioneve dhe biznesit, në një mjedis ku reformat ndryshojnë shpesh dhe zbatimi i tyre kërkon më shumë koherencë. Por, pikërisht sfidat tregojnë rëndësinë e platformave që sjellin palët përballë njëra-tjetrës dhe i ndihmojnë të argumentojnë më qartë për zgjidhjet që duhen.
Ministritë dhe institucionet shtetërore mund të bëjnë dialogun publik–privat më gjithëpërfshirës, duke bashkëpunuar me IC për një proces më të mirë konsultimi lidhur me ligjet dhe rregulloret e ardhshme që ndikojnë drejtpërdrejt bizneset. Platforma mund të ndihmojë në mbylljen e boshllëqeve mes fazës së hartimit të politikave dhe asaj të zbatimit, të cilat në të kaluarën kanë qenë burim ngërçesh mes palëve. IC mund të mbështesë një koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve qeveritare dhe komunitetit të biznesit, të reduktojë përsëritjen e përpjekjeve dhe të sigurojë që reformat e ardhshme të pasqyrojnë nevojat e të gjithë aktorëve.
Në këtë perspektivë, jemi duke punuar për t’i paraqitur anëtarëve të IC-së për miratim një axhendë ambicioze tematikash për vitin 2025, e cila ka si fokus procesin e integrimit./Vaspas







