Ministri i Bujqësisë Andis Salla në aktivitetin “Me fermerët në Shqipërinë 2030” u ndal te çelja zyrtare e Grupit të Kapitullit 5 në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare më 17 nëntor, ku përfshihen Kapitujt 11, 12 dhe 13, që mbulohen nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Salla theksoi se këta kapituj janë ndër më dinamikët dhe kërkojnë jo vetëm përafrim të legjislacionit dhe zbatim të standardeve, por edhe transformim të thellë dhe modernizim të sektorit.
Në lidhje me Kapitullin 11 dhe Politikën e Përbashkët Bujqësore, ministri theksoi se fermeri vendoset në qendër të politikave mbështetëse, me synimin për një bujqësi më konkurruese, më të qëndrueshme dhe me më shumë siguri ushqimore. Ai bëri me dije se objektivi është që rreth 150 mijë fermerë të përfitojnë nga fondet europiane, duke nënvizuar se në dy vitet e ardhshme do të përditësohet regjistri i fermës dhe i blegtorisë, si dhe do të ngrihet sistemi i identifikimit të parcelave të tokës.
“Në Kapitullin 11, përmes Politikës së Përbashkët Bujqësore, fermeri vendoset në qendër. Qëllimi është i qartë: një bujqësi më konkurruese, më e qëndrueshme, me më shumë siguri ushqimore, më shumë kujdes për mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Për t’i arritur këto, BE parashikon mbështetje financiare konkrete: pagesa direkte, grante për investime dhe masa për të forcuar tregun.
Por kjo mbështetje ka kushtëzime.
Për të përfituar, duhet të zbatohen praktikat e mira bujqësore dhe mjedisore dhe të respektohen kërkesat për menaxhimin e fermës dhe të aktivitetit të saj.
Ne synojmë që nga fondet europiane të përfitojnë rreth 150 mijë fermerë. Pikërisht për këtë, në dy vitet e ardhshme: Do të përditësojmë regjistrin e fermës dhe regjistrin e blegtorisë; Dhe do të ngremë sistemin e identifikimit të parcelave të tokës, pilotimi i të cilit ka nisur.
Gjithashtu, duke nisur që nga viti i ardhshëm, NE do të përshtasim në mënyrë graduale skemën kombëtare me skemat që aplikohen në vendet e BE-së.
Një sfidë tjetër e rëndësishme për prodhuesit tanë është edhe përmbushja e standardeve të cilësisë dhe të tregtimit të produkteve.
Për këtë arsye, MBZHR po përgatit paketën ligjore dhe do të nisë një proces komunikimi dhe trajnimi me prodhuesit dhe operatorët e tregut.
Dhe në fund, një element që bën diferencën: organizimi i fermerëve në grupe prodhuesish.
Kjo na ndihmon të kapërcejmë problemin e ekonomisë së shkallës dhe, njëkohësisht, është mënyra më efektive për të përthithur fondet europiane në masa të caktuara mbështetjeje”.
Ministri Salla theksoi gjithashtu rëndësinë e përmbushjes së standardeve të cilësisë dhe tregtimit, duke paralajmëruar një paketë ligjore, proces komunikimi dhe trajnime për prodhuesit dhe operatorët e tregut. Sipas tij, organizimi i fermerëve në grupe prodhuesish mbetet elementi kyç për të kapërcyer ekonominë e shkallës dhe për të përthithur në mënyrë efektive fondet europiane.
Në Kapitullin 12, fokusi është siguria ushqimore dhe zbatimi real i legjislacionit të BE-së në të gjithë zinxhirin, ndërsa Kapitulli 13 kërkon digjitalizim, monitorim, raportim dhe kontroll, me forcim të mbledhjes së të dhënave dhe raportimit elektronik me strukturat europiane.
Në këtë kuadër, Ministri Salla lançoi platformën EuroAgro Albania 2025–2030, si një mekanizëm praktik për përgatitjen graduale të fermerëve dhe operatorëve drejt standardeve të Bashkimit Europian. Platforma parashikon një linjë të dedikuar asistence “Numri Blu”, një platformë digjitale informative me asistent virtual në Portalin e Fermerit, si dhe pika informuese, materiale udhëzuese dhe trajnime në terren, në bashkëpunim me bashkitë, shërbimet e ekstensionit dhe shoqatat profesionale.
“Nëse bëhemi bashkë në këtë rrugëtim, ‘Bujqësia 2030’ do të kthehet në një standard pune dhe në një treg të ri mundësish për bujqësinë shqiptare,” përfundoi Ministri Salla.






