Firma e kapitalit privat e drejtuar nga Jared Kushner, dhëndri i Presidentit Donald Trump, ka njoftuar se Kushner po tërhiqet nga një marrëveshje e planifikuar për zhvillim pasurish të paluajtshme me markën Trump në Serbi.
Njoftimi erdhi vetëm disa orë pasi prokurorët serbë ngritën akuza për korrupsion ndaj katër zyrtarëve të lartë të qeverisë, në lidhje me projektin me vlerë 500 milionë dollarë.
Vendimi i jep fund një marrëveshjeje që kishte simbolizuar gatishmërinë e qeverive të huaja për t’iu përshtatur interesave financiare të personave të lidhur me Trump. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili gjatë gjithë vitit ka kërkuar ndihmën e Trump për çështje ekonomike, e kishte mbështetur fuqishëm kompleksin e propozuar në qendër të Beogradit, kryeqytetit të vendit.
Një ministër kabineti ishte zyrtari me rangun më të lartë ndaj të cilit u ngritën akuza. Ai, një nga këshilltarët e tij dhe dy zyrtarë të tjerë që duhej të miratonin projektin, u akuzuan për shpërdorim detyre dhe falsifikim.
Ndërsa anëtarë të familjes Trump kanë ndjekur disa marrëveshje të huaja këtë vit, projekti në Serbi u veçua pasi nxiti një hetim të huaj mbi akuzat për korrupsion. Vuçiç ka mohuar çdo parregullsi të qeverisë lidhur me projektin.
Një zëdhënës i Affinity Partners, firmës së Kushner, tha se kompania po tërhiqej sepse “projektet domethënëse duhet të bashkojnë dhe jo të përçajnë, dhe në respekt të popullit të Serbisë dhe qytetit të Beogradit”. Vendimi u raportua më herët nga The Wall Street Journal.
Affinity Partners, e cila financohet kryesisht nga fonde sovrane të huaja, ka tërhequr së fundmi vëmendje për rolin e saj në ndihmën ndaj Paramount për të nisur një ofertë armiqësore për blerjen e Warner Bros. Discovery. Asetet e Warner përfshijnë CNN-in. Administrata Trump do të duhet të miratojë çdo marrëveshje të tillë.
Projekti në Serbi, i cili ishte në përgatitje prej vitesh, përfshinte si Jared Kushnerin ashtu edhe Organizatën Trump, e drejtuar nga djemtë e presidentit, Eric dhe Donald Trump Jr. Ai parashikonte zëvendësimin e ndërtesave të shkatërruara nga bombardimet pranë selisë monumentale të qeverisë serbe me apartamente dhe një hotel luksoz që do të mbante emrin Trump.
Vitin e kaluar, qeveria e Serbisë nënshkroi një marrëveshje qiraje 99-vjeçare me Affinity Global Development, kompani amerikane e lidhur me Kushnerin. Në atë kohë, Kushner konfirmoi raportimet se kompania e tij planifikonte të financonte projektin me vlerë 500 milionë dollarë, i cili do të përfshinte një hotel të lartë, një kompleks apartamentesh luksoze, hapësira zyrash dhe dyqane.
Sipas raportimeve, ministri i Kulturës Nikola Selakoviç dhe zyrtarë të tjerë e hoqën në mënyrë të paligjshme statusin e mbrojtjes për këtë zonë, duke falsifikuar dokumentacionin.
Nuk ishte ende e qartë se kur mund të zhvillohej gjyqi.
Propozimi për ndërtimin e një hoteli të lartë, hapësirave të zyrave dhe dyqaneve në këtë zonë mbështetet nga qeveria e Vuçiçit, por ka hasur kundërshtim të fortë nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, si edhe nga opinioni publik në Serbi.
Parlamenti serb miratoi muajin e kaluar një ligj të posaçëm që i hapi rrugë ndërtimit, pavarësisht hetimit në vazhdim. Vuçiç ka deklaruar se projekti do të ishte i dobishëm për marrëdhëniet e Serbisë me Shtetet e Bashkuara dhe se ai do të falte këdo që do të dënohej në këtë çështje.
“Unë jam fajtor,” tha ai së fundmi. “Unë jam ai që desha modernizimin e Serbisë. Unë jam ai që desha të sillja një investitor të madh.”
Administrata amerikane ka vendosur tarifa prej 35% mbi importet nga Serbia. Gjithashtu, ajo ka vendosur sanksione ndaj furnizuesit monopol të naftës në Serbi, i cili kontrollohet nga Rusia.
Kritikët thonë se ndërtesa është një monument arkitekturor, i parë si simbol i rezistencës ndaj bombardimeve të NATO-s të udhëhequra nga SHBA, të cilat në vendin ballkanik vazhdojnë të konsiderohen gjerësisht si një “agresion” i padrejtë.
Serbia u bombardua në vitin 1999 për 78 ditë, për të detyruar presidentin e atëhershëm Slobodan Millosheviç t’i jepte fund represionit ndaj shqiptarëve etnikë separatistë në Kosovë. Ndjenjat anti-NATO mbeten të forta në Serbi dhe roli i SHBA-së në rindërtimin e këtyre ndërtesave ushtarake është veçanërisht i ndjeshëm për shumë serbë.
Ndërtesat konsiderohen shembuj kryesorë të arkitekturës së mesit të shekullit XX në ish-Jugosllavi.
Kompania e Jared Kushner ka marrë statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti turistik në Shqipëri. Vendimi është marrë më 30 dhjetor 2024 nga Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, dhe lidhet me zhvillimin e një projekti në Ishullin e Sazanit, në Qarkun e Vlorës. Sipas vendimit, investimi parashikohet të arrijë në 1,4 miliardë euro dhe ndërtimi do të shtrihet në rreth 8% të sipërfaqes së ishullit, ose rreth 45 hektarë./Monitor







