Pasuritë e paluajtshme të ndërtuara pa leje, të cilat sekuestrohen dhe konfiskohen do të nxirren në ankand për t’u shitur nga qeveria. Është ky thelbi i projektligjit të hedhur për konsultim publik. Drafti thekson se Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara do të ketë një rol më të zgjeruar duke ndjekur procedurat sa i takon ankandeve apo shpërndarjes së aseteve tek institucionet dhe entet publike sipas nevojave që paraqiten.
Por teksa ankandi do të jetë në thelb të procedurës duket se drafti parashtron edhe mënyrën sesi do të veprohet për ndërtimet që kanë specifika të veçanta siç mund të jetë rasti kur ka blerës me kontrata apo mënyra sesi do të veprohet me ish-pronarët e truallit.
Lidhur me të parët, pra kur ndërtimi pa leje është një objekt ku ka pasuri që janë paguar dhe zotërohen nga palë të treta sipas një marrëveshje fillestare që mund të jerë bërë me ndërtuesin drafti parashikon që ato të trajtohen me legalizim dhe regjistrim.
“Përjashtimisht për objektet me shkelje të lejes së ndërtimit për të cilat gjatë vlerësimit nga njësia e zbatimit, konstatohet se janë përfunduar punimet e ndërtimit në strukturë dhe posedohen/përdoren nga palët e treta/porositës/përfitues të njësive individuale me kontrate të hartuar përpara noterit me investitorin/subjektin zhvillues, do të konsiderohen brenda fushës së zbatimit pikës 9, neni 69 të ligjit nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
AAPSK për këtë kategori objektesh, i kërkon ASHK vijimin e procedurave të legalizimit sipas legjislacionit përkatës”, thuhet në draft.
Sa i takon rasteve kur një objekt jashtë leje konfiskohet por marrëdhënia me ish pronarin e truallit mbetet për zgjidhje parashikohen dy mundësitë. Kur ka një marrëveshje paraprake e cila është e dokumentuar procedohet me respektimin e saj kurse në rastin kur ajo nuk ekziston ish-pronarët shpronësohen.
“AAPSK merr, regjistron, inventarizon dhe ruan objektet e konfiskuara deri në momentin e zbatimit të një prej formave të zhvillimit. 2. Pas marrjes në dorëzim të objektit dhe pas njohjes me nevojat/kërkesat e institucioneve apo enteve publike, interesave të pronarëve të truallit dhe personave të tretë, AAPSK vlerëson për: a) destinacionin e objektit/objekteve apo pjesëve takuese të konfiskuara; b) masën e shprehur në përqindje të pjesëve takuese që rrjedhin nga marrëdhënia ligjore me pronarët e truallit sipas parashikimeve të këtij ligji dhe parashikimeve të kontratës së lidhur me subjektin zhvillues/zbatues/mbikëqyrës/kolaudues përpara konstatimit të paligjshmërisë në zhvillim vetëm mbi pjesën e ndërtuar sipas lejes së ndërtimit; c) masën e detyrimit financiar që njihet për personat e tretë sipas parashikimeve të këtij ligji; 3. Në rastet kur nuk ka marrëveshje me pronarët e truallit, procedohet me shpronësim, përsa i përket të gjithë objektit të ndërtuar pa leje sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi”, thuhet në nenin 19 të draftit.
Projektligji pritet t’i nënshtrohet diskutimit në komisionet parlamentare në janar, me nisjen e sesionit të ri parlamentar.







