Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim paraprak në tregun e transportit detar ndërkombëtar të udhëtarëve në portin e Durrësit dhe Vlorës.
Pranë Autoritetit të Konkurrencës, që qershor të këtij viti, ka ardhur në rrugë elektronike, një ankesë, nëpërmjet së cilës pretendohet se nga tre tragete që kanë operuar në portin e Vlorës, tashmë operon vetëm një kompani, e cila sipas ankimuesit, vendos çmime abuzive ndaj udhëtarëve.
Autoriteti i Konkurrencës ka nisur fillimisht një procedurë për monitorimin e tregut të transportit detar ndërkombëtar të udhëtarëve në portet e Durrësit dhe të Vlorës, duke përfshirë monitorim në terren pranë ndërmarrjeve, Ventouris Ferries SHPK (Duni Port Agency), Adria Ferries SHPK dhe Euro Ferries SHPK si dhe u kërkua informacion nga Autoriteti Portual Durres, Autoriteti Portual Vlorë dhe Minsitria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Nga monitorimi, rezultoi se në linjën Durrës – Ankona – Durrës operon vetëm ndërmarrja Adria SHPK nëpërmjet një trageti, operator i cili nuk përballet me konkurrentë të drejtpërdrejtë, duke zotëruar 100% të tregut përkatës për këtë linjë, pra kemi një treg shumë të përqendruar;
Në linjën Vlorë – Brindisi – Vlorë operon vetëm një operator nëpërmjet një trageti, operator i cili nuk përballet me konkurrentë të drejtpërdrejtë, duke zotëruar 100% të tregut përkatës për këtë linjë duke sjellë një treg shumë të përqendruar;
Në linjën Durrës – Bari – Durrës vërehet se operatorët aplikojnë tarifa drejt çmimit tavan në periudhat e sezonit të lartë duke paraqitur diferenca jo domethënëse ndërmjet njëra-tjetrës.
Gjithashtu ritmi i ndryshimit të çmimit ndërmjet operatorëve në uljen dhe rritjen e tarifave të aplikuara është i njëjtë dhe në të njëjtën kohë.
Duke vlerësuar përqendrimin e lartë të tregut dhe mungesën e konkurrencës në linjat Vlorë – Brindisi – Vlorë dhe Durrës – Ankona – Durrës, sjelljen e operatorëve Adria Ferries përfaqësues i operatorit AFH S.P.A, agjensia Duni Shpk përfaqësues i Venturis Ferries, të cilët operojnë në linjën Durrës – Bari – Durrës nëpërmjet aplikimit të çmimeve drejt maksimumit në sezonin e lartë dhe me ritme të njëjta të ndryshimit në rritje dhe në zbritje, lind dyshimi i arsyeshëm që sjellja e ndërmarrjeve të cilat operojnë në portin e Durrësit dhe në Portin e Vlorës, mund të përbëjë pengim, kufizim apo shtrembërim të konkurrencës në tregun përkatës.
Për sa më sipër, sipas Autoritetit të Konkurrencës, sjellja e operatorëve dhe agjencive detare Adria Ferries, përfaqësues i operatorit AF Agency S.P.A, agjensia Duni Shpk përfaqësues i Venturis Ferries dhe Ionnian Island SHPK përfaqësues i European Seaways me destinacion portet italiane, duke tregtuar bileta me çmime thuajse të njëjta dhe afër tavanit të tarifave miratuar nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, mund të jetë një sjelle të koordinuar dhe mund të përbëjë kufizim të konkurrencës në kuptim të neneve 4 dhe 9 të ligjit 9121, datë 28.07.2013 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Hetimi paraprak do të përfshijë periudhën kohore nga 1 Janar 2022 deri në 30 Qershor 2025./







