Nga Fatos Çoçoli
Një sistem energjetik i balancuar nuk është vetëm çështje teknike, është çështje sovraniteti.
Sepse një vend që varet nga moti për të prodhuar energji, varet edhe nga tregjet për ta blerë atë, kur moti nuk ndihmon.
Për dekada me rradhë, energjia nga hidrocentraleve ka qenë një prej krenarive kombëtare të Shqipërisë. Në një kohë kur shumë vende ndotnin mjedisin me qymyr e naftë, ne prodhonim dritën nga fuqia e lumenjve tanë malorë, nga mallet dhe kaskadat. Por ajo që dikur ishte një përparësi e jashtëzakonshme mjedisore, sot është shndërruar në një varësi të rrezikshme ekonomike.
Për periudhën 45 vjeçare 1975-2019, Shqipëria ishte ndër të paktat vende në Europë që prodhonte mbi 95 përqind të energjisë së saj nga hidrocentralet. Në një vit me reshje të shumta, ne eksportonim energji dhe e ndjenim suksesin. Në një vit të thatë, importonim me dhjetra miliona euro energji me çmime të kripura dhe ndjenim goditjen në buxhet, në faturat e familjeve dhe në ekonominë kombëtare. Kjo është arsyeja pse ulja e varësisë nga hidrocentralet nuk është më luks, është domosdoshmëri.
Nga monopoli i ujit tek diversifikimi energjetik
Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), në vitin 2020 Shqipëria prodhoi rreth 7.9 teravat/orë (një teravat=1 mijë megavat MW) energji elektrike, nga të cilat mbi 98% vinin nga hidrocentralet. Vetëm një pjesë simbolike, më pak se 2%, vinte nga burime të tjera si dielli, etj.
Pesë vite më vonë, tabloja ka ndryshuar ndjeshëm. Deri në fund të shtatorit 2025, sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kapaciteti i instaluar i energjisë fotovoltaike në Shqipëri ka arritur rreth 470 megavat (MW), nga vetëm 22 MW në vitin 2020. Një rritje mbi 20 herë. Ky është tranzicioni që po ndodh. Një transformim i heshtur, por historik.
Tabela 1. Parqet e mëdha diellore të Shqipërisë 2022-2025
- Parku fotovoltaik i Karavastasë – 140 MW, një nga më të mëdhenjtë në rajon
- Parku i Spitallës në Durrës – 50 MW
- Investime private në Fier, Vlorë, Berat dhe Korçë, me kapacitete nga 2 deri në 20 MW seicili
- Mbi 25 mijë sisteme fotovoltaike familjare dhe biznesi, që prodhojnë energji për konsum vetjak.
Sipas llogaritjeve të ERE, prodhimi vjetor nga dielli në fund të vitit 2025 përllogaritet të arrijë rreth 850–900 GWh, që përbën rreth 12-14% të totalit të prodhimit vendas.
Tabela 2. Energjia nga uji dhe nga dielli 2020-2025
| Viti | Energjia nga uji (TWh) | Energjia diellore (GWh) | Pesha e energjisë diellore në total |
| 2020 | 7.7 | 40 | 0.5% |
| 2022 | 8.2 | 320 | 4% |
| 2025 (vlerësim) | 7.5 | 900 | 12% |
Nëse në 2020, energjia diellore kishte një rol simbolik, në 2025 ajo është bërë tashmë një shtyllë e re e sistemit energjetik të vendit. Ky ndryshim nuk ka ardhur rastësisht. Ai është rezultat i disa politikave të qëndrueshme, të ndërmarra nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës, të tilla si:
- Liberalizimi i tregut të energjisë dhe krijimi i mundësive për investime private.
- Tërheqja e kapitalit ndërkombëtar, përmes partneriteteve publike dhe ankandeve transparente për parqet diellore.
- Lehtësitë fiskale për panelet fotovoltaike, sidomos për bizneset e vogla dhe bujqësinë.
Kalimi nga energjia e ujit drejt asaj diellore sjell disa avantazhe strategjike për Shqipërinë. Në rradhë të parë, kemi ulje të varësisë klimatike, duke siguruar prodhim të qendrueshëm edhe në periudha thatësie. Së dyti, kemi rritje të sigurisë energjetike, pasi vendi prodhon më shumë energji nga burime të ndryshme. Së treti, kemi përmbushje të objektivave të gjelbër, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare për reduktimin e emetimeve të karbonit. Dhe së katërti, kemi hapje të mundësive për eksport energjie të gjelbër drejt vendeve të rajonit, sidomos drejt Italisë.
Sfidat e forta përpara dhe dielli në fund të tunelit
Transformimi energjetik kërkon modernizim të rrjetit elektrik, kapacitete ruajtjeje (bateri pa masë) dhe rregulla të qarta për balancimin e prodhimit. Pa këto masa, rritja e burimeve diellore mund të sjellë vështirësi në menaxhimin e ngarkesave ditore.
Ndryshimet klimatike po na i rrëmbejnë stinët e qeta që dikur garantonin prurjet e lumenjve. Në vend të dimrave të lagësht e pranverave të mbara, kemi periudha të gjata thatësire e reshje të rrëmbyeshme që nuk mund të menaxhohen. Rezervuarët e hidrocentraleve mbushen shpejt, derdhen po aq shpejt, dhe më pas boshatisen për muaj me radhë. Në këto kushte, asnjë sistem energjetik nuk mund të mbështetet mbi një burim të vetëm.
Digat dhe hidrocentralet e reja që mund të ngrejmë nuk e zgjidhin problemin, sepse problemi nuk është mungesa e betonit, por mungesa e ekuilibrit ekonomik dhe ekologjik. Zgjidhja nuk është t’i kthejmë shpinën ujit, por të hapim krahët për diellin dhe erën.
Në pesë vitet e fundit, Shqipëria ka filluar më në fund të ndërtojë një miks energjetik të ri, ku panelet fotovoltaike në Karavasta, Spitallë e Fieri po tregojnë potencialin e vërtetë të vendit.
Nëse një ditë reshjet mungojnë, dielli nuk mungon. Nëse uji është pak, era fryn. Kjo është logjika e një sistemi të qëndrueshëm, i cili nuk varet nga moti, por nga mençuria e planifikimit.
Nga një vend i varur pothuajse plotësisht nga hidrocentralet, Shqipëria sot po bëhet një laborator i transformimit energjetik në Ballkan. Me kapacitetet fotovoltaike që rriten çdo vit dhe me interes të lartë nga investitorët e huaj dhe vendas, vendi po ecën drejt një miksi energjetik më të qëndrueshëm dhe më europian.
Nëse dikur krenaria jonë ishte drita e prodhuar nga uji, sot krenaria jonë duhet të jetë drita e prodhuar nga dielli, era dhe teknologjia. Në vend të digave të reja që ndryshojnë lumenjtë, le të ndërtojmë panele që ruajnë natyrën dhe shfrytëzojnë rrezet e saj. Në vend të impianteve që varen nga reshjet, le të krijojmë rrjete të zgjuara që ruajnë dhe shpërndajnë energjinë me efiçiencë.






