• Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
Nuk ka rezultat
View All Result
  • Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
Nuk ka rezultat
View All Result
Nuk ka rezultat
View All Result
  • Logo LIGJET E BIZNESIT


Fillimi Analizë

Ku po shkon ekonomia shqiptare?

nga Fast News
1 hour më parë
në Analizë
0
Ku po shkon ekonomia shqiptare?

Igli Tola

152
SHPERNDAJ
1.9k
Klikime
Share on FacebookShare on Twitter
Nga Igli Tola

Ekonomia shqiptare sot po ndjek një trajektore në dukje dinamike, por në thelb mbetet e brishtë dhe e paqëndrueshme në strukturë. Treguesit makroekonomikë – veçanërisht PBB-ja – japin herë pas here sinjale pozitive, duke krijuar idenë e një rritjeje të qëndrueshme me perspektivë afatgjatë.

Megjithatë, një analizë më e thelluar e burimeve të kësaj rritjeje, e sektorëve që e mbështesin atë dhe e mënyrës si ajo shpërndahet realisht në shoqëri, zbulon një realitet krejt tjetër nga ai që paraqitet në sipërfaqe. Ajo që shohim është një rritje kryesisht formale, e mbështetur te sektorë ciklikë, te çmime të rritura dhe te ndërhyrjet buxhetore, e jo një rritje e bazuar në prodhim, produktivitet dhe konkurrueshmëri.

Shqipëria po orienton ekonominë drejt një modeli të njëanshëm, të varur nga ndërtimi, nga konsumi i ushqyer me importe, nga turizmi sezonal dhe, së fundmi, nga zgjerimi i shpenzimeve publike, ndërkohë që ekonomia reale – ajo që prodhon, eksporton dhe krijon vlerë të shtuar të qëndrueshme – po tkurret.

Prej më shumë se dy dekadash, ndërtimi ka qenë një nga sektorët më dominues të ekonomisë shqiptare. Rritja e lejeve të ndërtimit dhe hyrja e kapitaleve të mëdha në këtë fushë kanë tërhequr bizneset për shkak të kthimeve të shpejta dhe normave të larta të fitimit. Kjo ka krijuar një perceptim iluzor fuqizimi ekonomik, sepse ndërtimi, si sektor ciklik, nuk garanton vetvetiu rritje afatgjatë dhe as nuk krijon vlerë strukturore të qëndrueshme.

Në vitin 2023, ndërtimi kontribuoi me rreth një të tretën e rritjes së PBB-së, duke mbajtur ekonominë “gjallë” në mënyrë artificiale. Por në vitin 2024, pesha e tij në rritjen ekonomike ra në rreth 13%, duke treguar qartësisht se kjo mbështetje ishte e përkohshme dhe shumë e cenueshme. Edhe më shqetësuese është fakti se rritja e ndërtimeve nuk rrjedh nga një rritje organike e kërkesës së brendshme apo e nivelit të pagave, por shpesh nga një cikël spekulativ, ku oferta e apartamenteve nuk lidhet realisht me mundësitë dhe nevojat e popullsisë.

Çmimet e banesave, sidomos në Tiranë, kanë arritur nivele të papërballueshme. Mesatarisht, ato llogariten rreth 2000 euro për metër katror, gati trefishi i nivelit të para dy dekadave. Si pasojë, Tirana po shndërrohet në një nga kryeqytetet më të shtrenjta në Europë në raport me nivelin e pagave, duke e bërë praktikisht të paarritshme blerjen e një banese për shumë të rinj dhe familje të shtresës së mesme. Në vend që të jetë një motor zhvillimi, ndërtimi po prodhon një realitet të ndarë mes atyre që përfitojnë nga rritja e çmimeve të pronave dhe shumicës që përjashtohet nga tregu i banesave.

Paralelisht me këtë zhvillim, sektorët prodhues janë dobësuar në mënyrë të dukshme. Shqipëria po humbet kapacitetet e saj industriale dhe agroindustriale, ndërsa ekonomia po zhvendoset drejt një modeli të bazuar pothuajse vetëm në konsum, të furnizuar kryesisht nga importet. Ky është një nga rreziqet më serioze makroekonomike që po përballet vendi. Një ekonomi që importon shumicën e mallrave që konsumon bëhet e varur nga luhatjet e çmimeve ndërkombëtare, nga krizat globale dhe nga kursi i këmbimit. Dobësimi i prodhimit vendas po përkthehet drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë sot rreth 1% mbi mesataren e Bashkimit Europian, ndërkohë që të ardhurat mesatare për frymë arrijnë vetëm rreth 41% të mesatares së BE-së. Ky kontrast i fortë ilustron një paradoks të dhimbshëm: qytetarët shqiptarë përballen me çmime pothuajse europiane, por me të ardhura shumë më të ulëta.

Kjo mospërputhje reflektohet qartë në strukturën e konsumit të familjeve. Sipas INSTAT, rreth 40% e buxhetit familjar shkon për ushqime dhe pije joalkoolike, ndërsa në vendet e BE-së ky tregues është rreth 13%. Diferenca tregon qartë presionin e madh ekonomik mbi familjet shqiptare, të cilat detyrohen të shpenzojnë pjesën dërrmuese të të ardhurave vetëm për nevojat bazë, duke lënë shumë më pak hapësirë për kursime, arsim, shëndetësi cilësore apo investime familjare.

Viti 2024 ka bërë edhe më të dukshme këto dobësi strukturore. Pikërisht në këtë vit shihet një ndryshim i rrezikshëm në modelin e rritjes ekonomike: shteti është shndërruar në kontribuuesin kryesor të rritjes së PBB-së. Nga një rritje prej rreth 4%, më shumë se gjysma e saj ka ardhur nga taksat dhe shpenzimet publike. Vetëm taksat neto kanë dhënë afërsisht 1.97 pikë përqindje në rritjen totale, ndërsa administrata publike dhe mbrojtja – falë kryesisht rritjes së pagave në sektorin publik – kanë shtuar rreth 0.91 pikë përqindje të tjera. Kjo do të thotë se rritja e vitit 2024 nuk është rezultat i zgjerimit të prodhimit, inovacionit apo rritjes së eksporteve, por rrjedhojë e rritjes fiskale.

Ndërkohë, sektori privat – i cili në vitin 2023 mbulonte rreth 96% të rritjes së PBB-së – në vitin 2024 ka kontribuar vetëm me rreth 49%, niveli më i ulët i regjistruar në dekada, përjashtuar vitet e krizës së vitit 1997 dhe pandemisë së vitit 2020. Zhvendosja nga një rritje e mbështetur te sektori privat drejt një rritjeje të financuar nga shteti është një sinjal shumë serioz për perspektivën afatmesme të ekonomisë.

Një ekonomi që mbahet gjallë kryesisht nga rritja e pagave publike, nga rritja e të ardhurave nga TVSH-ja dhe akcizat, e jo nga shtimi i prodhimit dhe eksporteve, bëhet gjithnjë e më e ndjeshme ndaj krizave fiskale. Në vitin 2024, të ardhurat nga TVSH-ja janë rritur kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve dhe e konsumit të nxitur nga turizmi, e jo si rezultat i zgjerimit të volumit prodhues. Kjo tregon se pjesë e rritjes së PBB-së është inflacionare, e “fryrë” nga çmimet, dhe nuk pasqyron përmirësim të qëndrueshëm të kapaciteteve prodhuese të ekonomisë.

Rritja e pagave në administratë – në vetvete një masë e nevojshme për ta afruar Shqipërinë me standardet rajonale dhe për të frenuar largimin e punonjësve të kualifikuar – ka prodhuar edhe efekte anësore të dëmshme. Ajo ka rritur presionet mbi sipërmarrjet private, të cilat tashmë përballen me kosto në rritje, me mungesë forcash të kualifikuara të punës dhe me një treg të brendshëm të vogël e të fragmentuar. Nëse sektori privat zbehet, baza reale e rritjes ekonomike ngushtohet dhe rreziku i stagnimit rritet.

Nëse nga rritja totale e vitit 2024 heqim kontributin e shtetit, rritja “e pastër” e ekonomisë del rreth 1.97%, niveli më i ulët që nga viti 2013, përjashtuar vitin e pandemisë. Ky fakt tregon qartë se sektori privat është në dobësim, dhe se rritja e regjistruar nuk po shoqërohet me rritje të produktivitetit, të investimeve afatgjata apo të aftësisë konkurruese të vendit.

Në këtë kontekst, Shqipëria po hyn në një fazë ku ekonomia po bëhet më pak elastike dhe më e ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme. Një ekonomi që rritet kryesisht përmes taksave dhe shpenzimeve publike, e jo përmes prodhimit, inovacionit dhe rritjes së eksporteve, nuk mund të sigurojë mirëqenie të qëndrueshme. Nëse kjo prirje vazhdon, vendi rrezikon të përballet me ngadalësim të rritjes, zgjerim të pabarazive sociale, ulje të përfitueshmërisë së sipërmarrjeve dhe, në skenarin më të keq, me një periudhë stagnimi ekonomik.

Për të shmangur këtë trajekt të rrezikshëm, është i domosdoshëm një ndryshim rrënjësor i modelit të zhvillimit. Shqipëria ka nevojë urgjente për t’u zhvendosur drejt një ekonomie që mbështetet te prodhimi vendas, te industria dhe agroindustria, te inovacioni dhe teknologjia, si dhe te investimet në kapitalin njerëzor. Vetëm një ekonomi që prodhon, që eksporton dhe që inovon mund të krijojë vlerë të shtuar reale dhe të garantojë rritje të qëndrueshme në afatgjatë.

Ndërtimet, çmimet e rritura dhe ndërhyrjet fiskale mund ta mbajnë ekonominë në funksion për një periudhë të kufizuar, por nuk mjaftojnë për ta bërë atë të fortë dhe konkurruese në një mjedis global gjithnjë e më sfidues. Shqipëria sot është e detyruar të zgjedhë midis një ekonomie që “rritet në letra” – përmes treguesve formalë të fryrë nga faktorë afatshkurtër – dhe një ekonomie që zhvillohet realisht, përmes prodhimit, inovacionit dhe mirëqenies së shpërndarë në mënyrë më të drejtë.

Vetëm zgjedhja e modelit të dytë, atij të zhvillimit real dhe afatgjatë, mund të ndërtojë atë të ardhme ekonomike që qytetarët shqiptarë presin dhe meritojnë.

Etiketa: aktualitet
Pas

Kur është koha e duhur për të ngrënë mëngjes

Para

Forcohet lufta kundër piraterisë online, edhe për krijuesit e përmbajtjes në rrjetet sociale

Para
Forcohet lufta kundër piraterisë online, edhe për krijuesit e përmbajtjes në rrjetet sociale

Forcohet lufta kundër piraterisë online, edhe për krijuesit e përmbajtjes në rrjetet sociale

ADVERTISEMENT

Të Gjitha

Siguria me pronat dhe Kadastra Digjitale – Këshilli i Investimeve zbulon pengesën që po largon investitorët

Siguria me pronat dhe Kadastra Digjitale – Këshilli i Investimeve zbulon pengesën që po largon investitorët

nga Fast News
12:00 | 24/11/2025
0

Forcohet lufta kundër piraterisë online, edhe për krijuesit e përmbajtjes në rrjetet sociale

Forcohet lufta kundër piraterisë online, edhe për krijuesit e përmbajtjes në rrjetet sociale

nga Fast News
11:30 | 24/11/2025
0

Ku po shkon ekonomia shqiptare?

Ku po shkon ekonomia shqiptare?

nga Fast News
10:56 | 24/11/2025
0

Kur është koha e duhur për të ngrënë mëngjes

Kur është koha e duhur për të ngrënë mëngjes

nga Fast News
10:50 | 24/11/2025
0

Recent News

Siguria me pronat dhe Kadastra Digjitale – Këshilli i Investimeve zbulon pengesën që po largon investitorët

Siguria me pronat dhe Kadastra Digjitale – Këshilli i Investimeve zbulon pengesën që po largon investitorët

12:00 | 24/11/2025
Forcohet lufta kundër piraterisë online, edhe për krijuesit e përmbajtjes në rrjetet sociale

Forcohet lufta kundër piraterisë online, edhe për krijuesit e përmbajtjes në rrjetet sociale

11:30 | 24/11/2025

Categories

  • Aktualitet
  • Analizë
  • Barazia Gjinore
  • Biznes
  • Bota
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
  • Ekonomi
  • Finance
  • Lifestyle
  • LIGJET e BIZNESIT
  • Të gjitha
  • Teknologji
  • Uncategorized

Rreth nesh

Fast News Economy është portali dedikuar ekonomisë, që informon mbi zhvillimet e fundit nga vendi dhe bota. Lajme të shpejta, analiza, opinione, gjithcka që doni dhe duhet të dini nga ekonomia i gjeni këtu.
Fast News Economy portali i lajmit të shpejtë!
Fast News Economy

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar